Sipas shifrave të dhëna nga Rithemelimi, në proces kanë marrë pjesë 51.797 votues ndërsa nuk dihet ende se sa prej tyre janë anëtarë të Partisë Demokratike dhe sa prej tyre janë simpatizantë.
Sa i përket parregullsive të procesit të denoncuara nga kandidatët apo pjesëmarrësit në votime, anëtari i Kryesisë së Rithemelimit, Eno Bozdo tha për mediet se po ndiqeshin të gjitha problematikat e hasura në procese të ndryshme.
“Po e ndjek në vazhdimësi jo vetë ato denoncime për parregullsi por të gjithë problematikat që hasen në procese të ndryshme. Deri tani procesi ka shkuar vërtet shumë mirë dhe pjesëmarrja është tepër e lartë, gjë që tregon se simpatizantët e kanë kuptuar rëndësinë”- u shpreh Bozdo, ndërsa nuk hezitoi të bënte thirrje edhe për pjesëmarrje sa më të lartë në protestën e 6 dhjetorit, në ditën kur në Tiranë mblidhen liderët e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.
Pjesëmarrja në bashkitë përkatëse:
Shkodër: 3142
Lezhë: 5070
Kukës: 4230
Dibër: 3830
Durrës: 3240
Tirane: 14263
Elbsan: 3582
Korçë: 4585
Berat: 1468
Fier: 4148
Vlorë: 2801
Gjirokastër: 1438
Total deri në orën 17:00 janë: 51.797 votues.

Sidoqoftë, frenezia e primareve e futur si një lloj virusi propagandistik nga Sali Berisha kur u përjashtua nga grupi parlamentar i PD-së, si pasojë e shpalljes “Non Grata” nga qeveria e SHBA; duket dështoi totalisht për të përcjellë atë transparencën e premtuar.
Pavarësisht shifrave të publikuara nga Rithemelimi, nuk ka informacion se sa anëtarë ka gjithsej PD-ja që kanë të drejtë vote dhe sa simpatizantë kanë vendosur të bëhen pjesë e Primareve.
Paqartësia me këto lista ka sjellë problematika në disa bashki të vendit. Procesi nuk ka vijuar i qetë, ndërsa mes akuzave të disa kandidatëve për manipulime dhe fitues të paracaktuar, 8 kandidatë kanë dhënë dorëheqjen.
Bëhet fjalë për Feride Rrahmanën në Tropojë, Erjon Iljazin në Lushnje, Dritan Canin në Belsh, Kodhel Çalën në Gramsh, Arben Mizën në Devoll, Denis Hidrin dhe Ilir Ndreun në Krujë dhe Brikena Koroveshin në Kuçovë.
Po ashtu, deri më tani janë zyrtarizuar emrat e disa prej disa kandidatëve fitues.
Në Skrapar, fitues është shpallur kandidati i vetëm, Eugen Mustafallari.
Në Selenicë, fitues është Leonard Rakipaj.
Në Vaun e Dejës, fitues është Zef Hila me 734 vota përballë Kolë Shabanit, i cili sipas informacioneve të përcjella nga Rithemelimi, arriti të merrte 117 vota.