Njëzet e pesë persona janë arrestuar në bastisje në të gjithë Gjermaninë, të dyshuar për komplot për të rrëzuar qeverinë.
Raportet gjermane thonë se grupi i figurave të ekstremit të djathtë dhe ish-ushtarak planifikonte të sulmonte ndërtesën e parlamentit, Reichstag, dhe të merrte pushtetin
Një gjerman i referuar si një princ i quajtur Heinrich XIII, 71, dyshohet se ka qenë qendror në planet e tyre.
Sipas prokurorëve federalë, ai është një nga dy drejtuesit e dyshuar në mesin e të arrestuarve në 11 shtete gjermane.
Komplotuesit thuhet se përfshijnë anëtarë të lëvizjes ekstremiste Reichsbürger [Qytetarët e Rajhut], e cila ka qenë prej kohësh në vështrimin e policisë gjermane për sulme të dhunshme dhe teori konspirative raciste. Ata gjithashtu refuzojnë të njohin shtetin modern gjerman.
Rreth 50 burra dhe gra dyshohet se kanë qenë pjesë e grupit që thuhet se kanë komplotuar për të përmbysur republikën dhe për ta zëvendësuar atë me një shtet të ri të modeluar sipas Gjermanisë së 1871 – një perandori e quajtur Rajhu i Dytë.
“Ne nuk kemi ende një emër për këtë grup,” tha një zëdhënëse e zyrës së prokurorit federal.
Bastisjet u zhvilluan në pjesën më të madhe të vendit dhe dy persona u arrestuan në Austri dhe Itali, njoftoi agjencia gjermane e lajmeve “DPA”. Të arrestuarit do të merreshin në pyetje më vonë gjatë ditës.
Ministri i Drejtësisë, Marco Buschmann, shkroi në “Twitter” se një operacion i madh antiterror po ndodhte dhe se ishte planifikuar një sulm i dyshuar i armatosur ndaj organeve kushtetuese.
Prokurori federal tha se grupi kishte komplotuar një grusht shteti të dhunshëm që nga nëntori 2021.
Ish-anëtarët e ushtrisë ishin gjithashtu një pjesë e rëndësishme e komplotit të grushtit të shtetit, thanë raportet. Ata përfshinin ish-ushtarë elitë nga njësitë speciale.
Komplotuesit kishin krijuar tashmë plane për të sunduar Gjermaninë, tha zyra e prokurorit federal. Anëtarët e kuptuan se mund t’i realizonin qëllimet e tyre vetëm me “mjete ushtarake dhe dhunë kundër përfaqësuesve të shtetit” dhe kjo përfshinte kryerjen e vrasjeve.
Transmetuesi publik “ZDF” raportoi se një ish-deputet i ekstremit të djathtë të dhomës së ulët të parlamentit, Bundestag, ishte gjithashtu pjesë e komplotit dhe ishte vendosur për t’u instaluar si ministër i drejtësisë i grupit, me princin Heinrich si udhëheqës.