A duhet dhe si mund të votojë diaspora?

0

Shkruan Ilir Kalemaj

Jemi një vit larg zgjedhjeve lokale të 2023shit dhe ende nuk ka një draft diskutimi apo qoftë dhe konvergjencë mendimesh dhe veprimi politik mes aktorëve opozitarë, të cilët janë ata që e kanë kërkuar qysh në krye të herës këtë reformë. Për të parandaluar masakrën zgjedhore të radhës. Për të garantuar minimumin e lirisë së votës dhe shenjtërinë e mosprekjes së saj apo shitblerjes si në Pazar të Roskovecit. Gjë e cila natyrisht duhet të shkonte si dora në dorashkë me reformën territorial-administrative e cila prodhoi gjithashtu një salamandër elektorale, e ndjerë vençarisht në zgjedhjet lokale. Ndryshe, duke filluar nga bashkia Tiranë, rrezikojnë t’ja dhurojnë sërish në pjatë Ramës dhe Veliajt.

Ndërkohë pas një ndërprerje shumëvjecare dhe sërish me ndërmjetësimin e OSBE-së, fokusi risillet  mbi votën e diasporës. Natyrisht si atëherë, si tani, lepuri fle në detaje. Për ta mundësuar votën e emigrantëve në praktikë, dhe jo të bëjnë gjasme dhe të lënë kohën të rrjedhë si pa u kuptuar një sërë mekanizmash ligjorë dhe institucionalë duhet të merreshin qysh dje. Sot është vonë, nesër do të thotë kurrë. Pasi në thelb është vullneti politik. Nëse ky ekziston, modelet dhe zgjidhjet janë, nuk ka pse të shpikim rrotën nga e para.

Së pari, duke qenë se Shqipëria figuron me 3.4 milionë votues, pra rreth dyfishi i atyre që realisht votojnë dhe rreth gjysëm milioni më shumë se krejt numri i përgjithshëm i shqiptarëve që realisht jetojnë në Shqipëri duke përfshirë fëmijë etj., është krejt i mundshëm që koncepti i zgjerimit të së drejtës së votës bazuar në listat zgjedhore të shtrihet dhe aty ku jetojnë emigrantët shqiptarë. Sepse natyrisht ata që kanë mundësinë, luksin dhe dëshirën për të marrën tragetin apo avionin dhe ardhur për të votuar e kanë bërë këtë tashmë. Ideja është të mundësohen të pamundurit. Ku përfshihen natyrisht dhe ata pa adresa fikse, studentët etj.

T’u kërkosh çdo emigranti shqiptar në emigrim adresa fikse, apo të votojnë në ambasadat apo konsullatat tona, është t’u heqësh të drejtën e votës një pjese të mirë syresh, apo të sabotosh procesin qysh në fillim. Në fakt, vota mund të mundësohet nëpërmjet votimit me postë. Pasi kushtet për votim online nuk ekzistojnë për momentin përveçse është në teori më i manipulueshëm. Listat e konfirmuara dhe shpallura paraprakisht nga KQZ ku çdo votues shqiptar me banim jashtë vendit mund të gjejë veten, t’i nisë kërkesën me postë apo email KQZ-së, të presë të marrë zarf të paguar nga kjo e fundit me zarf të dytë me vulat përkatëse brenda, te votojë deri në 15 ditë para ditës së votimit në mënyrë që të përballohet me sukses fluksi, janë disa nga zgjidhjet e propozuara që mund ta bëjnë realitet votën e emigrantëve. Por dhe të japin garancitë që do të numërohet siç duhet.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu