Kreu Analizë Fjalori i të kaluarës, si program politik

Fjalori i të kaluarës, si program politik

0
5

Shkruan Zef Ndreka

– Një ministër serb premton flamurin mbi Prizren.
Më 7 tetor, në një tubim elektoral në Rashkë, ministri i Brëndshëm i Serbisë, Ivica Daçiç, tha se Kosova mund të jetë “e pushtuar”, por “e pavarur nuk do të jetë kurrë”, dhe se “herët a vonë flamuri serb do të valëvitet mbi Prizren”.
Ja vlen ta analizojmë këtë deklaratë.
Deklarata e fundit e Ivica Daçiçit, ministër i Brendshëm i Serbisë dhe një prej politikanëve më jetëgjatë të establishmentit serb, se “herët a vonë flamuri serb do të valëvitet mbi Prizren”, nuk duhet kaluar si një episod folklorik i një fushate elektorale.
Deklarata kërkon vëmendje politike dhe diplomatike.
Sepse nuk kemi të bëjmë me deklaratën e një individi të parëndësishëm, as me një zë periferik të nacionalizmit serb, por kemi të bëjmë me një ministër të qeverisë së Serbisë, me kryetarin e Partisë Socialiste të Serbisë dhe me një politikan që e ka filluar karrierën e tij në strukturat politike të kohës së Slobodan Millosheviçit.
Pikërisht në këto kushte, deklarata bëhet shumë më shqetësuese.
Daçiç tha në Rashkë se partia e tij nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës. Por ai shkoi më tej, kur deklaroi se Kosova mund të jetë “e pushtuar”, por nuk do të jetë kurrë e pavarur, ndërsa për Prizrenin premtoi rikthimin e flamurit serb.
Në pamje të parë, kjo mund të interpretohet si nacionalizëm elektoral. Serbia ndodhet në fushatë dhe Kosova vazhdon të përdoret si një nga instrumentet më të fuqishme për mobilizimin e votës nacionaliste.
Por problemi është pikërisht ky, se nacionalizmi elektoral në Ballkan nuk ka qenë gjithmonë vetëm elektoral.
Historia e rajonit na ka mësuar se fjalët, kur përsëriten nga institucionet dhe shndërrohen në doktrinë politike, mund të përgatisin terrenin për veprime shumë më të rrezikshme.
Më duket naive të pyesim:
A do mundet ndonjëherë Daçiçi të ngrejë flamurin serb mbi Prizren?!
Natyrisht që realiteti politik, institucional dhe i sigurisë në Kosovë, sot është krejt tjetër. Por ato që dua të theksoj janë:
Çfarë politike po kultivon Serbia për brezin e ardhshëm?
A po përgatit qytetarët e saj për pajtim me realitetin e pasluftës, apo vazhdon ti edukojë me idenë e rikthimit territorial?
Prizreni nuk është zgjedhur rastësisht.
Daçiçi nuk përmendi Mitrovicën e Veriut, nuk përmendi një komunë me shumicë serbe, por përmendi Prizrenin, si simbolikë shumë më të fortë.
Prizreni është një prej qendrave historike e kulturore më të rëndësishme të Kosovës dhe të shqiptarëve. Është gjithashtu qyteti ku ka lindur vetë Daçiçi. Prandaj, kur si ministër deklaron se flamuri shtetëror serb do të valëvitet një ditë mbi Prizren, mesazhi nuk mund të reduktohet thjesht në “kujdesin për serbët e Kosovës”, por
është pretendim simbolik mbi territorin.
Dhe kjo bie ndesh me çdo përpjekje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Nuk mund të kërkosh integrim europian dhe njëkohësisht, tu premtosh zgjedhësve rikthimin e sovranitetit tënd mbi territorin e fqinjit.
Nuk mund të flasësh në Bruksel për normalizim dhe në Rashkë për flamurin serb mbi Prizren.
Hija e viteve ’90.
Ka edhe një arsye tjetër pse deklarata e Daçiçit duhet marrë seriozisht.
Daçiçi nuk vjen nga një histori politike e shkëputur nga vitet ’90. Ai ka qenë një figurë e rëndësishme e Partisë Socialiste të Serbisë dhe zëdhënës i saj në epokën e Millosheviçit. Më vonë u shndërrua në një politikan pragmatist, ministër, kryeministër, kryetar parlamenti dhe ministër të Jashtëm, por lidhja historike me atë traditë politike mbetet pjesë e biografisë së tij.
Pikërisht për këtë arsye, kur nga një figurë e tillë rikthehet gjuha e flamujve, territoreve dhe “Kosovës serbe”, kujtesa historike e Ballkanit ndizet menjëherë.
Rajoni e ka provuar një herë se ku çon politika që fillon me hartat dhe flamujt dhe përfundon me njerëzit.
Kjo është arsyeja pse Europa nuk duhet ta konsiderojë këtë thjesht si folklor elektoral serb.
Banjska e bën retorikën edhe më serioze.
Ekziston edhe një element që e bën kontekstin e sotëm shumë më delikat, Banjska.
Pas sulmit të armatosur të shtatorit 2023, sjellja nacionaliste nuk mund të trajtohet më sikur ekziston në një vakum. Vetëm pak ditë pas deklaratës së Daçiçit, prania publike e Milan Radoiçiçit në një tubim elektoral të SNS-së në Kragujevc shkaktoi reagime të forta në Kosovë. Autoritetet kosovare kërkuan reagim ndërkombëtar, ndërsa Glauk Konjufca i lidhi dy ngjarjet me vazhdimësinë e një politike të rrezikshme.
Kjo nuk do të thotë se një deklaratë elektorale është provë se Serbia po përgatit një konflikt ushtarak. Një përfundim i tillë do të ishte i pambështetur.
Por do të ishte po aq naive të thuhej se fjalët nuk kanë rëndësi, sidomos në Ballkan.
Sepse kur ministrat flasin për rikthim flamujsh mbi qytetet e një shteti tjetër dhe personazhe të lidhura me episode të dhunshme shfaqen publikisht pranë tubimeve të pushtetit, Europa ka arsye të kërkojë shpjegime.
Një kontradiktë europiane e Serbisë.
Serbia dëshiron të mbetet vend kandidat për Bashkimin Europian. Merr pjesë në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja dhe ekonomikisht është e lidhur thellësisht me Europën.
Por integrimi europian nuk mund të jetë thjesht dhe vetëm projekt ekonomik.
Europa pas Luftës së Dytë Botërore u ndërtua pikërisht mbi heqjen dorë nga revanshizmi territorial.
Nuk mund të ketë një Serbi europiane që ushqehet politikisht me ëndrrën e rikthimit në Prizren.
Dhe këtu Bashkimi Europian duhet të jetë shumë më i qartë, kundër një politike që vazhdon ta mbajë rajonin peng të së kaluarës.
Edhe ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha, reagoi duke paralajmëruar se një gjuhë e tillë nuk mund të konsiderohet thjesht retorikë politike, sepse mund të inkurajojë njerëz të gatshëm ta shndërrojnë atë në veprim. Ai e cilësoi Kosovën një realitet të pakthyeshëm, shtet sovran dhe demokratik.
Kosova duhet të përgjigjet me shtet, jo me folklor nacionalist.
Por edhe Kosova duhet të jetë e kujdesshme në reagimin e saj.
Përgjigjja më e gabuar ndaj nacionalizmit serb do të ishte një nacionalizëm shqiptar po aq agresiv.
Përgjigjja më e fuqishme është forcimi i shtetit të Kosovës.
Institucione demokratike, sundim ligji, zhvillim ekonomik, integrim euroatlantik, partneritet i qëndrueshëm me SHBA-në dhe Bashkimin Europian, mbrojtje e të drejtave të komunitetit serb dhe integrim i tij në institucionet e Kosovës.
Sepse kështu i hiqet Beogradit edhe argumenti i fundit për ta përdorur popullsinë serbe të Kosovës si instrument të politikës së vet.
Serbët e Kosovës duhet të kenë siguri, të drejta dhe perspektivë pikërisht brenda Kosovës, jo të përdoren si urë për ambicie territoriale nga Beogradi.
Serbia duhet të zgjedhë, Millosheviçin apo Europën.
Deklarata e Daçiçit shtron një sërë pyetjesh shumë më të mëdha sesa vetë flamuri mbi Prizren.
Ku dëshiron të shkojë Serbia?
Drejt Europës apo drejt nostalgjisë së viteve ’90?
Drejt pajtimit me shqiptarët apo drejt edukimit të brezave të rinj me mitin e rikthimit territorial?
Drejt një Ballkani ku kufijtë nuk diskutohen më me kërcënime, apo drejt një rajoni që vazhdon të jetojë nën hijen e hartave të vjetra?
Daçiçi mund ta ketë thënë deklaratën për të marrë vota më 25 tetor. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi janë pikërisht në kulmin e fushatës.
Por këtu qëndron paradoksi tjetër.
Nëse për të marrë vota në Serbinë e vitit 2026 një politikan duhet ende të premtojë flamurin serb mbi Prizren, atëherë problemi është shumë më i madh se Ivica Daçiçi.
Do të thotë se, një çerek shekulli pas luftës së Kosovës, një pjesë e politikës serbe vazhdon të ushqehet nga e njëjta lëndë politike, Kosova si territor për tu rikthyer, jo si fqinj me të cilin duhet ndërtuar paqja.
Dhe pikërisht këtë duhet ta kuptojnë Brukseli, Uashingtoni dhe të gjitha kryeqytetet europiane.
Paqja në Ballkan nuk rrezikohet vetëm kur lëvizin ushtritë. Ajo fillon të rrezikohet shumë më herët, kur fjalori i së kaluarës normalizohet përsëri si program politik i së ardhmes.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu