Shkruan Zef Ndreka
Po gjykohet UÇK – kanë ngritur zërin ditët e fundit në Serbi!
Dhe dënimi i 4 udhëheqeve të saj në Hagë, do të thotë zhbërje e pavarësisë së Kosovës, sipas tyre!
Nisur nga këto deklarata, shtrohet thjeshtë pyetja:
Çfarë përfiton realisht Serbia nga dënimi i tyre ?
Për ta analizuar këtë situatë për lexuesin dhe opinionin publik, mund të themi se nga gjykata politike e Hagës edhe mund të dënime ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së dhe se Serbia mund të përfitojë kryesisht diçka të papërfillëshme në planin politik, në planin diplomatik dhe atë propagandistik, por asnjëherë në aspektin juridik që lidhet me statusin e Kosovës.
Përfitimet që pretendon Serbia të nxjerrë nga propaganda e saj mund të synojë forcimin e shellhes së saj për luftën, duke argumentuar se krimet janë kryer edhe nga pjesëtarë të UÇK-së dhe se konflikti nuk duhet parë vetëm si agresion serb kundër shqiptarëve të Kosovës.
Gjithashtu, pretendojnë të fitojnë kapital politik në arenën ndërkombëtare, sidomos në vendet që nuk e kanë njohur ende Kosovën, duke përdorur vendimet gjyqësore për të mbështetur argumentet e veta diplomatike.
Por mund të jetë edhe synim presioni më i madh në dialogun Kosovë–Serbi, ku mund të përpiqen të fitojnë avantazhe politike ose të kërkojnë lëshime nga pala kosovare.
Serbët me lojën e tyre kërkojnë ndikim në kujtesën historike, duke tentuar të relativizojnë atë ose të zbusin përgjegjësinë e institucioneve serbe për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.
Sido që të jetë, Serbia nuk fiton asgjë nga këto deklarata idioteske apo edhe nga dënimet e mundëshme. Serbia nuk e bën dot anulimin e pavarësisë së Kosovës, nuk e gëzon kurrë më
njohjen e sovranitetit serb mbi Kosovën apo
ndryshimin e kufijve. Dhe më tej, Serbia nuk mund ta bëjë kurrë shfuqizimin e njohjeve ndërkombëtare të Kosovës.
Më duhet të theksoj se edhe nëse ndonjë nga individët nga UÇK-ja do të dënohen, kjo nuk i zbeh faktet historike të dokumentuara për krimet e kryera nga forcat e regjimit të Slobodan Millosheviçit gjatë luftës së Kosovës, të cilat janë trajtuar nga gjykata të ndryshme ndërkombëtare.
Prandaj, përfitimi më i madh dhe pa vlerë i Serbisë do të ishte në fushën e sjelljes politike dhe diplomatike të ndihmuara edhe nga qeveria Kurti deri më tani, ndërsa ndikimi juridik mbi ekzistencën e shtetit të Kosovës do të mbetet i pa cënuar.
Pra dënimi i mundshëm i katër ish-udhëheqësve të UÇK-së nuk do të thotë zhbërje e pavarësisë së Kosovës. Ndaj duhet bërë dallimi mes përgjegjësisë individuale penale dhe legjitimitetit të një shteti. Gjykata speciale gjykon individë për vepra të pretenduara penale, jo ekzistencën e Kosovës si shtet. Edhe sikur persona të caktuar shpallen fajtorë, përgjegjësia mbetet individuale dhe nuk i atribuohet automatikisht as UÇK-së në tërësi, as popullit të Kosovës.
Nga ana tjetër, propaganda serbe shpesh ka tentuar ta paraqesë procesin si një gjykim ndaj gjithë UÇK-së ose ndaj vetë luftës për çlirim. Kjo është një tezë politike, jo juridike. Pavarësia e Kosovës është shpallur në vitin 2008 dhe është njohur nga shumë shtete të botës. Legjitimiteti i saj buron nga proceset politike, institucionale dhe ndërkombëtare, jo nga fati gjyqësor i individëve të veçantë.
Megjithatë, ka një të vertetë të hidhur se një vendim dënues ndaj figurave kryesore të UÇK-së mund të ketë vetëm pasoja politike, morale dhe historike. Ai mund të ndikojë në mënyrën se si interpretohen disa ngjarje të luftës, por nuk ndryshon statusin juridik të Kosovës si shtet.









