Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, ka dënuar sulmet e kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ndaj SPAK si dhe ndaj drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumanit.
Në një reagim në rrjetet sociale, ambasada e SHBA-së nënvizon se do të qëndrojë në krah të profesionistëve të drejtësisë që respektojnë ligjin dhe do të mbështesë të gjithë ata që kërkojnë t’i japin fund pandëshkueshmërisë.
“Përshëndesim dënimin nga KLP të sulmeve të drejtpërdrejta dhe të tërthorta kundër SPAK-ut në ditët dhe javët e fundit.
Do të vazhdojmë të qëndrojmë në krah të shumicës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë që mbështesin institucionet e reja të drejtësisë dhe rolin kyç që ato luajnë në demokracinë e Shqipërisë.
SHBA qëndron në krah të profesionistëve të drejtësisë që respektojnë ligjin dhe do të mbështesë të gjithë ata që kërkojnë t’i japin fund pandëshkueshmërisë”,- shkruan në një njoftim në rrjetet sociale, ambasada e SHBA.
Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta në deklaratat e tij të fundit nuk i ka kursyer sulmet nga kreut të SPAK, Altin Dumani, por edhe vetë këtij institucioni.
Meta nuk u kursye me akuzat ndaj Altin Dumanit, madje e etiketoi kreun e SPAK-ut si kushëri të një tjetër personazhi në SPAK, Nuredin Dumanit.
“Pse çfarë prisni ju, Kushëriri i Nuredinit, do thotë që e takova? I papërgjegjshëm dhe delikuent. Nuk presim integritet nga dikush që ka hyrë thellë në lojërat politike të Edi Ramës”, tha Meta gjatë deklaratës së tij.