Shkruan Amarildo Stoica
Në një Shqipëri ku hipokrizia është kthyer në standard qeverisës, Edi Rama sapo na dha një tjetër provë se si manipulohet realiteti, deformohen perceptimet dhe, mbi të gjitha, përdoren fondet publike si plaçkë personale.
Ditët e fundit, Rama i bënte thirrje publike hetuesve të imagjinonin se ku i kishte gjetur Sali Berisha 6 milionë euro për lobim në SHBA. Një “bombë” imagjinare që Rama përpiqet ta shesë si skandal të madh politik. Por ja ku propaganda i bie për tokë:
Sali Berisha është në opozitë, nuk ka qasje në fondet publike, dhe ka deklaruar hapur burimin e fondeve të lobimit – mbështetje private, pa lidhje me taksat e shqiptarëve.
Ku është krimi këtu? Askund. Është një praktikë normale në demokracitë perëndimore.
Por ndërkohë, çfarë bën Edi Rama?
Me firmën e tij dhe dorën në arkën publike, firmos një shumë po prej 6 milionë eurosh, për të organizuar në Shqipëri garat ndërkombëtare të çiklizmit – një shfaqje luksoze, për të kënaqur veten dhe për të mbushur xhepat e klientelës së oborrit rilindas.
Dua ta bëj shumë të qartë: askush nuk është kundër sportit.
Por kur spitalet kanë mungesë ilaçesh, shkollat mungesë librash, fermerët presin subvencione që nuk vijnë dhe pensionistët mbijetojnë me ndihma qesharake, si mundet që prioritet i shtetit të jetë shfaqja me biçikleta?
Ku është transparenca? Kush do të përfitojë tenderat dhe miliona eurot nga ky event?
Përgjigja dihet: të njëjtët njerëz, të njëjtat duar që kontrollojnë ekonominë e pushtetit.
Ironia është therëse: ndërsa Berisha, në opozitë dhe i izoluar, përpiqet me fondet e tij të luftojë një vendim të padrejtë ndërkombëtar, Rama përdor qindra mijëra euro nga paratë tona për të blerë imazh, për të zbukuruar propagandën e tij dhe për të zgjatur jetën e një regjimi të korruptuar.
Pyetja e madhe që del nga kjo histori është:
A ka filluar Rama të ketë frikë?
Frikë se mos Berisha ia del të rrëzojë “non gratën”?
Frikë se mos bie justifikimi kryesor i propagandës së tij?
Frikë se shqiptarët mund të çlirohen nga pengmarrja dhe frika?
Sepse e vërteta është kjo:
Nuk është Berisha që e tremb Ramën.
Është rikthimi i lirisë.
Është mundësia që shqiptarët të zgjedhin pa shantazh, pa presion dhe pa mashtrime.
Kjo nuk është vetëm hipokrizi.
Kjo është një tallje e madhe me popullin.
Një arrogancë brutale me djersën dhe taksat e shqiptarëve.
Ndaj, herën tjetër që Edi Rama të ngrejë gishtin e akuzës dhe të pyesë:
“Ku i gjeti Berisha 6 milionë euro?”
Ne kemi përgjigjen më të thjeshtë dhe më therëse:
“Jo nga xhepat tanë, zoti Kryeministër.
Xhepat tanë i ke boshatisur ti, për biçikletat!”