Energjia epike dhe kontributi modern i Zeqir Sadik Lushaj

0

Shkruan Hasan Muzli Selimi

Kur filloj të shkruaj në cilëndo gjini letrare, apo analizë si në filozofi, apo për një përsonalitet mendja më shkumëzon energji, zemra dhe gjithë qenia me  dridhet si thupra në ujë. E pyes veten. Pse ky lloj trishtimi, ky lloj emocioni ,ky lloj inferioriteti ndaj subjektit që do përpiqem ta ringjallë? Po ky subjekt a është për një shënim të këtij lloji? Vlen dhe a i qëndron kohës? Kështu mbetem pezull për pak kohë dhe i jap vetes shtysë të bëj diçka që ia vlen. Këtu dhe kështu fillon projekt-ideja e shkrimit. Këtu marr parasysh edhe mundësinë time për të dhënë maksimumin për subjektin tim. Në shumë raste shënimit tim i thërras, o vetja ime. Më duket krejt pjesë e imja edhe pse në kohë ai ka bashkëpunuar me realitetin e kohës së tij.

Nuk është e lehtë të shkruash për një njeri, sado i pa aktivitet të jetë në jetën e tij të njohjes me ne, që  ne tani jetojmë dhe ai nuk jeton. Kërkova në shumë vende e shumë shkrime, bilës edhe monografi të njerëzve që kanë bërë epokë dhe nuk gjeta cilësi dhe kritere si të subjektit tim që unë sot po shënoj. Nëse ne vlerësojmë mbi bazë kriteresh përsonat e Malësisë Mirë Tropojë në veçanti dhe në tërë Shqipërinë në përgjithësi  subjekti i shkrimit tim do të jetë një nga të parët për nga kontributi, për kah arsimimi, për kah mirësia, për kah mençuria, për kah bukuria dhe krijimtaria. Lidhur me çka thashë mendoj që Zeqir Sadik Lushaj do të ishte në vendin e nderit dhe më të dukshmin. Kam parë dhe dëgjuar, kam folur dhe kanë folur, kam shëtit dhe kam kontaktuar dhe nuk gjeta një njeri që nuk e vlerësoi me kriterin e burrërisë moderne, të bujarisë primitivo-idealiste dhe të mençurisë së kohës.

Ndodh që brenda pak sekondave bëhen dhe ndodhin ngjarje të arrira dhe të pakëndshme. Të vijnë në mendje kujtime të kohës që nuk shlyhen kurrë. Kujtimet vijnë sipas kërkesës së rreth-kujtimit të një ngjarje, apo të një ndodhie që e ke përjetuar. Ndjesitë e kujtimeve sjellin ngarkesa emocionale të prirura për një dëshpërim, apo ngazëllim çasti. Ndoshta nuk kishte arsye të ndodhte kështu ky kujtim, por unë e mendova dhe filloj zemra të dridhet, gjëndrat e djersës filluan aktivizimin. E kur ndodh kështu? Kështu ndodh, kur kujton një njeri që rrezaton mirësi, fytyra e tij në aspektin figurativ model i kohës. Mendimi dhe veprimi aktivizohen njëherësh. Ky kujtim-ndjesi daton me vitin 1973, kur në oborrin e shtëpisë time u shfaq Zeqir Lushaj shoqëruar me njerëzit e mi. Bashkë me të  vinte i fejuari i motrës fshatar i këtij djali. Këtë djalë që më vonë e njoha ishte Zeqir Lushaj dhe do përpiqem ta vizatoj. Nuk e kisha parë ndonjëherë. Ju urova ardhjen dhe zgjata dorën drejt tij. Bashkëudhtarët e tij ma prezantuan, mësuesi juaj në gjimnaz. Prezantim model për një nxënës që kërkon mbështetje. Nuk ishte hera e parë që në shtëpina tonë vinin mësues. Në atë kohë mësuesit shkonin nëpër shtëpitë e nxënësve dhe me ta përgatisnin të nesërmen. Mësova se shkolla jonë do ta ketë mësues dhe përgjegjës për rininë. Mirëse ka ardhë ia ktheva dhe dorën e takova me dorën e tij. Lere njëherë këtë prezantim,- tha Zeqiri. Në çast doli nana dhe i uroj mirëse ardhjen. Jam Zeqir Sadiku u prezantue, me atë buzëqeshjen e tij gjysmë hanë. O mirëse erdhe se të paskemi mik, bile shumë mik të mirë. Me këtë të folme nana e afroi edhe më shumë se sa kolegun e vajzës dhe fshatarin e dhëndrrit. Hoqi pardesynë bojë bezhë, doli në një kostum po bojë kafe të hapur, me këmishë pa kollare dhe të zbërthyer në komçet e para tek qafa. Unë kurrë nuk e kam pa Zeqir Lushajn të mbërthyer në komçën e fundit afër qafës. Këmishen më të bardhë  se bora. Në tropojën e vjetër  ai u njoh si një djalë me shumë kultur dhe mjaft masovik. Aktivitetet që bëri ai në shkollën e mesme të përgjithshme kujtohen edhe sot. Nxënësit e shkollës e donin dhe i gëzoheshin orës së mësimit që ai zhvillonte.

Kush ishte Zeqir Sadik Lushaj?

Zeqir Lushaj u lind në fshatin Gri të Malësisë së Mirë Tropojë me datën 08.Mars 1949. Shkollën fillore e mbaroi në fshatin Gri dhe shtatëvjeçaren në Geghysen. Në vitin 1967 mbaroi shkollën e mesme pedagogjike “Shejnaze Juka” në Shkodër. Qysh në shkollë Zeqir Lushaj ishte korrespodent i gazetave të kohës si “Zëri i Rinisë”, “Mesuesi”, “Sporti” etj. Gjatë kohës ai u pranue bindshëm në gazetat më me emër të kohës si korrespodent. Shkrimet e tij u vlerësuan dhe zunë vendin kryesor në këto gazeta. Si mësues punoi në Geghysen, në vitin 1970-1973. Kreu studimet e larta në akademinë e sporteve “ Vojo Kushi” në Tiranë. Stazhin si mësues i edukimit fizik e kreu në shkollën e mesme të përgjithshme në Tropojë. Në vitin 1974 mbrojti diplomën me notë të shkëlqyer në Institutin e Kulturës Fizike Tiranë. Po në këtë vit emërohet korrespodent i Gazetës “Zëri i Rinisë” detyrë funksionale. Gjatë kohës si gazetar përfundoi studimet pasuniversitare në filozofinë politike dhe gazetari njëherësh duke kryer detyrën e ngarkuar deri në vitin 1977. Pas këtij arsimimi Zeqir Lushaj emërohet instruktor në Komitetin Qendror të Rinisë në Tiranë. Me këtë përvojë të vyer e plot sukses, me vlerësime të larta, ky burrë letrash dhe shumë pozitiv emërohet instruktor në Këshillin e Përgjihshëm të Frontit Demokratik të Shqipërisë. Ky vend pune e nxori edhe në reformë pas suprimimit si institucion për shkak të shdërrimeve historike. Është autor i dhjetëra librave me poezi, analiza politike, publiçistike, drejtues i gazetave të shkruara, asaj elektronike, portaleve e të tjera.

Zeqir Lushaj shkrimin e parë i botoi, në vitet e rinisë së hershme tek gazeta “Zëri i Rinisë”.  Aty qe pikënisja e tij si një intelektual që sjell dhe premton shumë në elitën shoqërore Shqiptare. Kur filloi të shkruajë publiçistik ishte maturant në shkollën “Shejnaze Juka” në Shkodër dhe daton me vitin 1967. Qysh prej asaj kohe e deri sa dha frymën e fundit, ai kontriboi me mendjen dhe penën e tij të pashoqe. Kontriboj gati gjashtëdhjetë vjet në shtypin shqiptar si atë të shkruar dhe periodik, në gazetat elektronike e portale që derdhin kultur dhe atdhetari. Shumë vite gazetar-redaktor i gazetës “Zëri i Rinisë”, në Tiranë i të përditshmes “Bashkimi”, i gazetës periodike “Paqja”, redaktor i përgjithshëm në portalin-revistën “Zemra Shqiptare” Mbretëria e Bashkuar Londër”. Njëherësh është autor edhe i qindra shkrimeve në mijëra faqe në gjithë masmedian shqiptare në Ballkan, Europë e Amerikë. Zeqir Lushaj ka botuar gjashtë libra, kjo si dhuratë vetvetes dhe shoqërisë në përvjetorin e datëlindjes së tij. Këto libra janë, “Hija e vendlindjes”, poezi,  “Lisi i shkruar”, poezi, “Vdekja e varreve”, poezi, “Dyqani i mendjes”, “Shkrime publicistike”, “Pengjet Vjershërime”, “Fjala mbi tel…” Tekste këngësh popullore. Në vitin 2016, botoi edhe 6 libra të tjerë: “Si n’kurbet, bre vëlla” Poezi, “Zbehje e heroizmit” shkrime publicistike, “Duhama e Valbonës” poezi, “Piedestali” poezi, “Rrokada” vjershërime politike dhe “Sportit i mbeta borxh” si dhe reportazhe, portrete, kujtime. Zeqir Lushaj ka bërë edhe shumë tekste këngës si, “ Aaah Serbi, moj shtigë e vjetër”, “Në gojë fishekun e don Alltia”, “Djem të Kosovës — Lavdi Paçi”, N’oda Burrash me Sharki N’dore” këngë kushtuar Dervish Shaqes. “ Nanë Tereza, Nana e Globit”, “Kur po del Çikë me shetit”, “ Çikë Hasjane” , “ Flakë e Kuqe është ndez Gjakova”, “ Shtylla e këngës është Dervish Shaqa” Ky autor veprash të mëdha ka lënë shumë dorëshkrime në tavolinën e tij të punës.

Zeqiri Lushaj ishte kërkues ndaj vetes dhe shoqërisë që e rrethonin. Ai nuk mund të bënte sehir në kohët e shndërrimeve të mëdha. Në kthesat historike ai kërkonte t’i drejtonte masat. Turmat të ishin në kuadrin e orientimit filozofik të kohës dhe jo, turmat të merreshin përpara nga eufuria dhe emocioni. E kështu në vitet njëmijë e nëntëqind e nëntëdhjetë e më pas ai organizoi një grup intelektualësh të pavarur e të dëgjuar dhe krijoi shoqatën “Bashkimi Kombëtar Shqiptar”, që më pas kjo shoqatë merr emrin: “Lëvizja Shqiptare për Mirëkuptim dhe Paqe”. Kjo Lëvizje me programin, statutin, vizionin e saj pranohet menjëherë anëtare me të drejta të plota në Këshillin Botëror për Paqe. Zeqir Lushaj në këtë shoqatë mbajti postin e  Sekretarit të Përgjithshëm, si dhe bashkëbotues i gazetës “Paqja”.

Zeqir Sadik Lushaj pati një emër të madh në shoqërinë shqiptare të  gjitha etapave të jetës tij. Ai tërhoqi pas vetes njerëz me mendësi dhe dije përparimtare, me kultur dhe nivel bashkëkohor, dukej defakto prijës popullor. Zeqiri ishte një masovik i përmasave për t’u mburrur dhe jepte përshtypjen e një “Nanë Tereze” e vogël. E them të vogël, sepse nuk kishte hapësirë për të qënë një dimension tjetër. Lavdia e tij rridhte prej thjeshtësisë, zemërmadhësisë, përultësisë dhe më e rëndësishmja prej diturisë që ai mbante me vete si traditë e kullës, prej ku doli dhe auditorit që në çdo çast e krijonte, sikur krijonin fëmijët lojën në livadhe.

Nëse themi  a lind njeriu i lirë ? Duhet ta pranojmë që njeriu është i lirë prej lindjes e deri në sekondën e fundit të jetës, ky fenomen është vetëm Zeqir Malësia. Ai ishte vullneti individual dhe vullnetin e përgjithshëm e merrte si forcë dhe mbingarkesë që e mbarte me shumë kopetencë. Shoqërinë e ditës e dallonte mësëmiri me shoqërinë e punës. Marrëdhënien, Zeqir Sadiku nuk e kishte komerciale. Komercialiteti e prish burrin edhe krijimtaria dallon nga përfitimi material, nëse do kemi art të parapaguar, do të kemi një formë arti të normuar. Normimi në art vjen pas një ndërgjegjie profesionale e cila ngarkon boshllëqet e mediokritetit. Subjekti im ishte i lirë në tërë qenien e tij.

Njëherë biseduam për Axhën e tij Dervish Avdyl Hasanin. Ai fliste për të me kopetencë dhe vlerësim maksimal lidhur me besimin që ai predikonte. Kisha dëgjuar edhe njerëz të tjerë që flisnin dhe tregonin për të. Biles më pati fol edhe Dervish Tahir Ademi, i cili e kishte gjysh nga nana, por kurrë nuk pati një ngjitje tek unë për këtë personalitet të besimit sufi si komentimi dhe analiza mistike që i bëri Zeqir Sadik Lushaj. Kaq etshëm  bisedonte dhe analizonte situatat, jo vetëm të ujërave të veta, atë të kulturës, të sportit, të gazetarisë, por edhe ato politike, juridike, zakonore, traditore e ekonomike dhe si mund të përfeksionohet. Sa e shikonte ngarkesën që sillte debati, ai bënte në çast matjet psikologjike të cilat i bënte shumë bukur dhe thoshte një batutë humoristike që gjithë qeniet në diskutim çlodheshin   dhe merrnin forcë për kuvend-debatin e mëtejshëm. Edhe batutën, humorin e krijonte në lidhje me temën në diskutim.

Në jetën e përditshme njeriu bën dallimin e nocioneve të përgjithshme. Mendon se njohja nuk mund të përcaktohet dhe se ajo bën pjesë në nocione të vetkuptueshme. Pra njohja duhet të kuptohet për t’u asimiluar dhe zgjidhur. Lidhur me sa thashë më lart unë mendoj se vetdija nuk mund të  ndahet prej vetive të tjera të shpirtit, të vullnetit dhe të fuqisë së energjisë, sepse ato janë në unison. Përparësia e diturisë në raport me besimin është e qartë. Raporti i besimit me diturinë është marrëveshje e zemrës, ku dituria i jep zgjidhje kësaj marrëveshje. Kemi lidhjen e trupit me zemrën, zemrën me shpirtin, ku shpesh shpirtin e kemi quajtur frymë. Ky është komponenti që nuk u ndava kurrë me Zeqir Sadikun, siç më pëlqente mua ta thërrisja. Dua ta thërrasë në emrin e babës, sepse ai ishte shtylla, ai ishte lisi. Sadik Selmani ishte dhe mbetet vërtetë lis i shkruar në Malësinë e Gjakovës Tropojë. Në rininë e tij ishte një djalë çapkën,  orientohej mjaft bukur me kohën, mbante detyrën e xhandarit, sa krijohet fronti unik kundër fashizmit, ai shkëputet dhe angazhohet në brigadat partizane. Drejton mësëmiri skuadrën e disiplinës në brigadën njëzet e pesë sulmuese. Në odat e burrave Sadiku ishte orator i niveleve të larta. Më ra të njihem me Sadikun qëkur unë isha në moshë të re. Ai vinte në shtëpinë tonë dhe tek motra e tij e martuar me Adem Musën në Gegaj. Më vonë unë e zgjata njohjen me këtë burrë me dimensione të larta deri sa ai jetoj. Gjithkush babën e ka një frymëzim, por Zeqiri e kishte idhull, sikur edhe ne që njiheshim me të. Zeqir Sadiku ishte nip i Gashit në Luzhë, i Sadri Zeqirit një familje me shumë tradita në të gjitha aspektet e jetës shoqërore. Në këto rrethana siç thoshte Sadiku baba i Zeqirit, burri kërkon burrin. Zeqiri u martua me vajzën e Murat Bekës së Begaje të Gashit Gurit. Një trinom burrnie me një traditë dhe konfrontim idesh, dualitet viganësh të mendimit dhe të veprimit burrëror, të filozofisë popullore, të zgjidhjes së çështjeve dhe të marrëveshjeve të mëdha. Zeqiri kishte disa vëllezër e motra. Të gjithë me nivel të kohës. Nuredini, vllau i madh, një studiues dhe krijues i përmasave mbarë shqiptare. Pra Zeqir Lushaj nuk është dalë prej hiçit. Ka dalë prej Grie, fshat që ka nxjerrë më shumë se askush intelektual, patriot dhe burra të përmasave të larta.

Ai, Zeqiri në Tiranë punonte dhe vepronte me një vullnet të pakufizuar. Krijonte dhe çertifikonte veprimtari të ndryshme. Autor i gjithë atyre veprave skenike, si filma dokumentar me çmime kombëtare e ndërkombëtare, vëllime poetike, tekste këngësh që edhe sot këndohen si hit, autor i dhjetëra veprave analistike të publicistikës. E megjithë këto, ai normonte orarin e punës çdo ditë pa asnjë mungesë dhe i dilte koha të interesohej për një të semurë në spitalin universitar në Tiranë, për një student, apo ushtar në repartet e gjithë Shqipërisë. Zeqir Sadikut nuk i lëshohej kurrë dera e shtëpisë. Aty të gjithë malësorët e Tropojës shkarkonin hallin dhe dertin e kohës në shtëpinë e tij. Aty zgjidheshin hallet e fëmijës, të prindit, apo të mikut. Po shkojmë tek Zeqir Sadiku se aty gjejmë zgjidhje. Shpesh i thonim Kishë, apo Xhami. Ai me buzën në gaz gjysmë hane shprehej, unë jam Teqe. Më kujtohet njëherë që nuk gjetëm hotel dhe shkuam bashkë me një njeri gjaku të Zeqirit për të gjetë strehë atë natë të ftohtë dimri. Gjetëm mbi dyzet njerëz. Dikush i binte çiftelisë, dikush sharkisë e dikush lahutës. Këto ishin simbolet e këtij njeriu të ëmbël. Ai mbante të gatshme edhe çarapet për kapuçë, lojën popullore që e shkurtonte natën. E shoqja, Sabrie Muratja gatuante dhe hidhte në tavolinë lloj-lloj gatimesh derisa i erdhi ora për të shkuar në punë në orën një të natës. Në këtë çast Zeqiri mori një sexhade dhe dhjetë çerapa me një sferë çeliku që shkëlqente, shtroj lojën traditore të kapuçëve. Luajtëm deri në mëngjes. Bujtësit që ishin nga zonat e jugut nuk e njihnin lojën tonë traditore dhe Zeqiri thoshte edhe ju do e mësoni. Kalon nata si mos të kishte ardhë fare dhe qeshte me atë të qeshur gjysmë hane. U ngritëm pa gjumë, pa lodhje dhe u ndamë nëpër punët që kishim. Ja, ky ishte Zeqiri i Malësisë dhe i Gjithë Shqipërisë. Ky ishte mendjendrituri dhe besimtari që kishte bërë marrëveshje me diturinë, me zemrën dhe i jepte zgjidhje gjithçkaje që i kërkohej.

Zeqir Lushaj ishte një eksplorues i natyrës. Ai nuk ngopej kurrë me natyrën. Dilte në malet dhe bjeshkët e Shqipërisë, ku edhe frymëzimi i vinte si gurrat. Një pjesë të krijimtarisë së  tij kanë titullin e vendeve dhe bjeshkëve të Krasniqes së Tropojës. Në Zvicër, tek djali doli në bjeshkët e atij vendi dhe eci aq shumë sa nata po afronte. U shqetësuan për të miqtë dhe djali. Ju vunë në kërkim, bilës me helikopter. E gjetën në luginat e bjeshkëve në ecje dhe në harmoni të plotë me natyrën. Kishim frikë se mos humbet i thanë. Unë të humbas në ujërat e mia? Unë jam njeri i bjeshkëve dhe kurrë nuk humbas në këto troje që orientohem shumë lehtë. Nuk më nevojitet busulla. Busullë kam intuitën time prej gjahtari. Elementin natyror e trajtonte edhe si filozofi, edhe si ndërtim jete. Natyra është pjesa më elitare e njeriut. Zoti e krijoj që njeriu të përshtatet me kushtet dhe të krijojë filozofinë e jetës natyrore.

Ca detaje të zakoneve që i mbolli edhe tek unë. Uleshim të pinim një kafe, ndoshta edhe një gotë pije të fortë. Sa vinte porosia ai nxirrte nga xhepi portofolin dhe paguante. Tani janë tonat, hajdeni të pimë dhe ngrinte shëndetin për bashkëbiseduesin. Kjo më ka mbetur që atëherë, kur Zeqiri kishte marrë biletën për Nju-Xhersi. Pas kthimit nga Nju-Xhersi shkova në Shëngjin me një mikun tim dhe më tha: U gëzova shumë për ty, por për këtë mikun tënd u gëzova më shumë. Sa bukur ia kalova atë ditë me atë njeri që si ai vështirë të ketë. Disa orë u përpoq që unë të mësoj dhe të futem tek Zemra Shqiptare dhe të dërgoj atje materiale për botim. Kjo është krejt e lehtë bre burrë. Skuqej krejt, kur unë harroja mësimin e çastit në kompjuterin e tij aty.

Këto ishin pak çaste që unë solla në mendjen e njerëzve që do të njihen me këtë përshkrim. Me Zeqirin dallohej shumë lehtë jeta, por edhe zgjidhej shumë lehtë problemi që dilte gjatë jetës. Dialogu ishte virtyti që e karakterizonte Zeqir Lushajn. Ai fliste qetë dhe me pasionin e lektorit. Didaktika e tij në debate ishte e kuptueshme, kishte shumë leksik, pra fjalori i tij ishte mjaft i mbushur sa të dukej vetja shumë larg. Ai ishte një libër e mbushur me komunikim, me një tentakul të marrëdhënieve të panumëruara. Kur fliste për babën, dajën, apo për mikun e tij ai dilte tek filozofia popullore, dukej që është një artizan i normës së lartë të së drejtës zakonore. Gjithë këtë e mbështillte më dijet e tij shkollore. Pra tregonte që është një njeri i mësuar, i lexuar dhe i shetitur.

Zeqir Lushaj jetoi në një kohë pa kohë, ose në një kohë që nuk duhej të vinte. Nuk është fjala këtu për periudhat vetem para viteve 1990, por edhe pas këtij viti. Largimi i tij në dhëra të huaja e pikërisht në Nju-Xhersi ShBA e zbehu një fije kontaktin me të. Sa u kthye prej andej gjendja e tij ndryshoi për mirë dhe gjithë jeta e tij buroi në analet e letrave shqipe. Gjithnjë ishte mik i pandarë me shtypin shqiptar. Në Shengjin atë e gjeje me një tufë gazetash të shtypit, shtruar në një tavolinë duke shfletuar një për një. Qeshte dhe humori i tij kishte raste që dilte nga kontrolli për ambientin. Shpeshherë thoshte (gazetarucët), kur haste në shkrime që nuk kishin shpesh as subjekt.

Zeqiri  prej vitit 1998 u largua nga vendi, Shqipëria. Ai punoi dhe jetoi në Nju-Xhersi të SHBA-së nga u kthye bashkë me bashkëshorten e tij Sabrien për të jetuar përfundimisht në Shqipëri. Jeta në Shengjin ishte shumë aktive. Të dukej si shtëpia e Sadik Selmanit të Grisë, së Krasniqes. Me pritje dhe përcjellje të pashkëputura. Disaherë jemi bërë mbi dhjetë mysafirë, disa të përkohshëm dhe disa të përhershëm. Ai mbizotëronte cilindo orator, nganjëherë si zoti i shtëpisë thoshte: ”Kush e din historinë e sahatit”. Fjalën e kishte që duhet të flasin edhe mysafirët e jo me kohë të pakufizuar vetëm i zoti i shtëpisë.

Të gjitha rrjetet sociale, gazetat elektronike dhe ato të shkruara u mbushën me lajmin e ditës. Në moshën 72 vjeçare ndahet nga jeta Zeqir Lushaj.  U shua gazetari, poeti, studiuesi, shkrimtari e veprimtari i mirënjohur shqiptaro-amerikan, Zeqir Lushaj, prej Malësisë së Mirë Tropojë Shqipëri. Më shumë se tridhjetë vjet me detyra e funksione të larta në institucionet e larta në Tiranë. Për një dekadë i punësuar familjarisht në Nju-Xhersi të Amerikës shtetas amerikan. Kthehet përgjithnjë në atdheun e tij- Shqipëri, me banesë e jetesë të kohëve të fundit në Shëngjin. Trupi i tij do të prehet prej të enjtës së 11 nëntorit 2021, në vendlindjen e tij, në Grin e Krasniqes, që e ka dashtë aq shumë dhe në poezinë e tij thotë: – “Më pëlqen varri , me dru lisi katër lënde prej palcës qarrit , Përmbi dhe t’tokës griçore, Veç lendinë me bar të livadhit-“. Kështu e kërkoj edhe në poezinë e tij pararendëse dhe kështu u bë për këtë njeri të limiteve të paarritura.

Pak fjalë për dyqanin e mendjes:

Zeqir Lushaj dhe krijimtaria e tij janë në unison me traditën dhe me filozofinë popullore. Në gjithë krijimtarinë e tij del në pah libri filozofik e publiçistik që rrjedh çdo ditë energji pozitive në analet e kulturës popullore. Në atë krijimtari ka në mendje dashurinë, bujarinë si një virtyt i mrekullueshëm i trevës Shqiptare Tropojë. “Ndalu një herë këtu te Blini i Grisë, o njeri i mirë, mik, shok, dashamir, apo rrugëtar i panjohur në paç qëllue…” Kjo është ftesa e zakonit në trojet tona. Ai ndan me veten dhe krijon një aleancë me virtytin shekullor të hijes së blinit plak në Gri. Ngjallë imazhin e legjëndave dhe të besatimit, apo të pajtimit. Të ndarjes së bukës përgjysëm me mikun, fshatarin, njeriun e mirë a si të ketë qëllue.

“Ndalu e falu me ketë burrë, ndërro një fjalë, një përshendetje, qaj një dertë e dëgjo ndonjë këshillë… Ndalu, se ky burri e ka fjalën dhe këshillën si fllad bjeshke, të pastër si uji Valbone, që s’ka kandar ta peshojë…Ndalu dhe mbille edhe ti një filizë… filizë blini, që të rritet krahas atij të vjetrit…Dhe të behet mrizë! “ Autori ka një nostalgji për shenjat, simbolet. Gria si fshat ka simbolet e veta. Këto simbole janë pasuria e këtij fshati. Blini i Grisë, Gëshenja e Currit, Kisha, Varri i Fratit, Teqeja e Grisë. Blini mit për këdo që kalonte aty. Por mit u bë edhe Sadik Selmani babai i autorit. Ai, Sadiku para qe një udhërrëfyes i denjë përcilindo burrë, apo njeri që kalonte aty. Jo vetëm kaq, por ai ka shpëtuar jetë njerëzv në

borë e shi, në vapë e luftë, në ndjekje e të ndjekur. Autori kërkon që jo vetëm Blini i vjetër, por nevojitet edhe një bli i ri e të jetë filiz. Ai të rritet e ndoshta ta zëvendësojnë të vjetrin se dihet ligji i mohimit, të mohimit. Simboli i blinit rrjedh deri tek njeriu, tek Sadik Selmani që në atë derë duhet të lind një djalë, një filiz që të zëvendësojnë atë Sadik mit. Por ndalu, një urdhër, jo lutje, ndalu dhe bëj tënden, përshëndetu, kërko mendjen në kutinë e duhanit. Aty e gjenë, të paktën nisja një cigare prej larg dhe një të fala miku. “Në hijen e të cilit të freskohen rrugëtarët, në degët e tij të pushojnë pëllumbat dhe të cicëroinë gushkuqet, lulet e tij të leshoinë aromën e jetës…Se ai burri e donte fort jeteën, i donte njerëzit, natyrën, këngët e zogjve dhe lulet e blinit….” Ahh autori, kujton me nostaligji gjithçka fëminore e rinore në atë breg qafe të blinit të Grisë. Ai i kujton me mall, sepse edhe ai burri tani është poshtë ledinës. Prej aty dëgjon hapat që njerëzit ndërrojnë në kalim poshtë në rrugëë, rrugë që lidh kohët. Kujton cicërimat e zogjëve të cilësdo stinë, kujton pëllumbat, dallëndyshet, kujton freskinë e blinit. Zeqir Lushaj mba mend që në atë hije kanë pushuar jo vetëm rrugëtarë halli, por edhe dasmorë, kanë pushuar burra në kuvend e kanë pushuar edhe klerik. Në blinin e Grisë ka një dyqan mendje dhe ky dyqan do jetë pasuria e patundshme e gjithë Malësisë Mirë.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu