Shkruan Zef Ndreka
Sondazhi i fundit, pasqyron realisht klimën politike dhe tregon më shumë sesa thjesht nivelin e mbështetjes për Sali Berishën. Ky sondazh, nxorri në pah krizën e gjatë të opozitës shqiptare dhe lodhjen e një pjese të madhe të shoqërisë me politikën konfliktuale të tranzicionit.
Fakti që vetëm 7.7% deklarojnë mbështetje aktive për Berishën, ndërsa 77% e konsiderojnë ciklin e tij politik të mbyllur dhe nuk e mbështesin në protesta, është një sinjal i fortë për shumë arësye që mund ti analizojmë përmes përgjigjeve të pyetjeve të mëposhtme:
A prodhojnë protestat ndryshim politik?!
Duket se shumica e qytetarëve nuk besojnë më se protestat e organizuara prej tij mund të prodhojnë ndryshim real politik. Në vitet ’90 apo edhe më pas, protesta shihej si instrument presioni dhe mobilizimi qytetar. Ndërsa sot perceptimi është ndryshe. Shumë njerëz i shohin këto protesta si rituale politike të përsëritura, pa vizion të ri dhe pa asnjë energji transformuese.
A është kosumuar politikisht Berisha?!
Sigurisht, duket qartë se ekziston një konsumim i figurës politike të Berishës. Ai mbetet padyshim një nga figurat më të rëndësishme të pluralizmit shqiptar, me rol historik në rrëzimin e komunizmit dhe krijimin e sistemit shumëpartiak. Por politika moderne sot kërkon rinovim të vazhdueshëm, gjuhë të re dhe modele të reja përfaqësimi. Një pjesë e madhe e elektoratit, sidomos brezat më të rinj, nuk identifikohen më me sjelljet e vjetra të konfliktit politik të tij.
Në këtë pikë, problemi nuk është vetëm Berisha si individ, por mënyra se si opozita ka mbetur e lidhur pothuajse ekskluzivisht me figurën e tij. Kjo ka penguar krijimin e alternativave të reja reale brenda së djathtës shqiptare. Çdo debat që fillon apo bëhet për reformim, për hapje apo për ndryshim, është kthyer në betejë “me Berishën ose kundër Berishës”, duke lënë në plan të fundit programet, idetë dhe projektet politike.
Përse qytetarët nuk i bashkohen protestave?!
Ky është një tjetër element i rëndësishëm, pra refuzimi i qytetarëve për tu bashkuar me protestat. Kjo nuk tregon mbështetje për qeverinë, por më shumë mosbesim ndaj opozitës aktuale. Kështu gjendemi në një situatë paradoksale ku pakënaqësia ndaj pushtetit ekziston, por ajo nuk gjen rrugë apo vend për zgjidhje, por kanalizohet tek opozita tradicionale. Kjo pakënaqësi ka krijuar vakumin e përfaqësimit politik.
Në plan afatgjatë të gjitha këto, mund të sjellin disa zhvillime ku:
Ose opozita do të gjej rrugë të reformohet dhe të prodhojë një lidership të ri.
Ose opozita do të fragmentarizohet më tej duke u përçarë edhe më shumë.
Ose do të hapet rruga për lëvizje të reja politike jashtë establishmentit tradicional.
Në të gjitha demokracitë, asnjë figurë politike nuk është e përjetshme. Edhe liderët më të fortë Europë e më tej, kanë patur një cikël ngritjeje, një cikël dominimi dhe më pas rënieje.
Kështu, pyetja e fundit në këtë shkrim:
A është mbyllur realisht cikli i Berishës?!
Në të vërtetë, cikli i Berishës po mbyllet plotësisht. Dhe opozita shqiptare duhet të ketë aftësinë të fillojë të ndërtojë një epokë të re pas kësaj rënjeje.
Kjo është emergjente të ndodhë, sidomos me PD-në, që kriza të mbetet vetëm Berishë dhe jo e gjithë sistemit opozitar në Shqipëri.







