Kreu Hapësirë Mjegullnaja e një kohëhumbjeje, sot në ditëvdekjen e Lizës së vërtetë të...

Mjegullnaja e një kohëhumbjeje, sot në ditëvdekjen e Lizës së vërtetë të “Leonardos”, gruas që buzëqesh mistershëm

0
20

Shkruan Aëbert Vataj

Ata që e kanë parë, ashtu si të tjerët që mbetën të magjepsur nga mistika e buzëqeshjes dhe hiret e saj, rrallëherë kanë mundur ta lidhin atë portret me një person prej mishi e gjaku. Sepse arti ka synuar gjithnjë që, përmes idealizimit, ta pasurojë botën me një magjepsje dhe adhurim aq të përsosur, sa të duket e pabesueshme që ajo bukuri mund t’i përkasë një qenieje konkrete. Edhe në ato raste kur shpirti krijues i mjeshtrave të penelit dhe daltës ka arritur të përjetësojë të bukurën, realiteti ka qenë thjesht një përfytyrim i ushqyer nga rrëfimet dhe tregimet gojore apo të shkruara. E megjithatë, Mona Lisa apo Xhokonda që bota adhuronte, ishte pikërisht ajo: vetë Lisa del Giocondo.
Ajo ishte një grua e gjallë, me frymë të butë dhe me një brendësi që s’e përshkruan dot fjala. Një fisnike italiane nga familja e njohur Gherardini e Firencës, e lindur më 15 qershor 1479 dhe e ndarë nga jeta më 15 korrik 1542. Por historia do ta njihte me një emër të dytë, një emër që nuk i përket më një njeriu, por një misteri të pambarim: Mona Lisa.
Lisa del Giocondo ishte bashkëshortja e tregtarit të mëndafshit, Francesco del Giocondo, një burrë më i madh në moshë, të cilit ajo i fali gjashtë fëmijë dhe ngrohtësinë e një vatre të qetë. Jeta e saj në Firencen e Rilindjes rrodhi nën ritmin e një zonje të respektuar, mes fëshfërimës së mëndafshit, aromës së rrugëve të shtruara me gurë dhe detyrimeve të përditshme të një familjeje të mirëqenë.
Nuk pati në jetën e saj drama të mëdha, as thyerje tragjike apo lajmërime hyjnore. Ishte një ekzistencë e zakonshme, e destinuar të tretej në harresën e ngrohtë të kohës, ashtu si mijëra jetë të tjera rreth e rrotull saj. Mirëpo, në përkuljen e fatit, ajo do të ulej përballë gjeniut të shqetësuar të epokës. Dhe pikërisht aty, në atë takim të heshtur, thjeshtësia e saj mori peshën e një universi të tërë.
Kur Leonardo da Vinci nisi të hidhte penelatat e para mbi dërrasën e plepit, ai nuk po pikturonte thjesht portretin e gruas së një tregtari. Ai po kapte diçka të pakatshme. Përmes teknikës së tij të famshme të sfumatos, ku drita dhe hiri shkrihen pa kufij të dukshëm, si tymi që tretet në ajër — Leonardo izoloi në kanavacë një çast pezull: një gjendje mes shpresës dhe dyshimit, mes gjallërisë dhe një melankolie të hollë që të mbërthen.
“Mona Lisa është personifikimi i përvojës njerëzore, që na vështron me atë buzëqeshje të ditur që ka parë gjithçka dhe prapë hesht.” Do të përkufizonte Walter Pater.
Buzëqeshja e saj e fshehtë nuk është një shprehje e ngrirë; ajo është një lëvizje e brendshme e shpirtit që shfaqet dhe fshihet varësisht nga drita që e prek dhe syri që e vështron. Historiani i artit Ernst Gombrich do ta quante me të drejtë “enigmën më të madhe të pikturës perëndimore”, sepse ajo buzëqeshje na fton në një dialog ku përgjigjet nuk jepen kurrë plotësisht.
Shekujt kaluan dhe fytyra e saj, e fiksuar në atë portret të përjetshëm, filloi të jetonte një jetë paralele, jo më atë të një gruaje prej mishi, por atë të një miti autonom. Lisa del Giocondo vdiq në këtë ditë korriku, e përcjellë me lutje të thjeshta në manastirin e Shën Orsolës, por Mona Lisa sapo kishte lindur për të mos vdekur kurrë.
Ajo u shndërrua në simbolin e plotë të Rilindjes, në një ikonë që tejkalon epokat dhe që funksionon si logo e pavdekësisë së artit. Misteri që e rrethon u bë terreni ku njerëzimi projektoi obsesionet e veta:
Sigmund Freud do të shihte tek ajo buzëqeshje shfaqjen e nënës së humbur të Leonardos, një rikthim nostalgjik në zanafillën e dashurisë së parë.
Kritikët modernë e lexojnë si një manifestim androgjen apo si një alegori të fshehtë të feminitetit universal, ku natyra dhe njeriu bëhen një.
Nga vjedhja bujshme e vitit 1911 në Luvër e deri te riprodhimet pa fund në kulturën pop (kartolina, t-shirte, reklama dhe meme), ajo u kthye në një pasqyrë ku bota e sotme sheh kureshtjen dhe vetveten.
Për shekuj me radhë, skepticizmi tentoi ta zhbënte ekzistencën e saj reale, duke e trajtuar portretin si një fantazi të pastër të da Vincit. Megjithatë, në vitin 2005, zbulimi i një shënimi të shkruar në margjinat e një libri nga Agostino Vespucci në tetor të vitit 1503 konfirmoi përfundimisht se modeli i Leonardos ishte vërtet Lisa Gherardini.
Kjo e vërtetë arkivore nuk e zbehu misterin; përkundrazi, e bëri atë edhe më poetik. Na tregoi se pas kryeveprës më të madhe të njerëzimit fshihej një grua e thjeshtë, e një qyteti të mbytur në art, e cila kaloi nëpër këtë botë pa e ditur se po linte pas testamentin më magjepsës të frymës njerëzore.
Dhe ja ku jemi sot, saktësisht në ditën kur ajo mbylli sytë më 1542. Përpara asaj buzëqeshjeje që na shoqëron prej pesë shekujsh, ne ende ndiejmë se po shohim një çelës pa bravë, një rreze që depërton përtej arsyes dhe kuptimit. Mona Lisa nuk është më vetëm Lisa del Giocondo; ajo është vetë misteri i artit, i jetës dhe i kohës që, sado që përpiqet, nuk mund ta burgosë dot brenda një emri të thjeshtë vdekësor.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu