Shkruan Zef Ndreka
Partia Demokratike nuk po përballet thjesht me një humbje elektorale apo me një cikël të pafavorshëm politik. Ajo ndodhet përballë një krize identiteti, organizimi dhe besueshmërie, e cila është ndërtuar gradualisht gjatë viteve dhe që sot ka arritur në një pikë kritike. Kjo është arsyeja pse debati nuk është më vetëm se kush do ta drejtojë PD-në, por nëse ajo do të jetë ende në gjendje të mbetet alternativa kryesore e qendrës së djathtë në Shqipëri.
Historia e Partisë Demokratike është e lidhur ngushtë me historinë e pluralizmit shqiptar. Ajo lindi si lëvizja që rrëzoi monopolin politik të diktaturës dhe hapi rrugën e demokracisë. Për vite me radhë ishte simbol i shpresës, i orientimit perëndimor dhe i reformave që çuan vendin drejt anëtarësimit në NATO dhe afrimit me Bashkimin Evropian. Këto janë merita historike që askush nuk mund t’ia mohojë.
Megjithatë, historia nuk garanton të ardhmen. Në demokraci, partitë gjykohen jo vetëm për atë që kanë bërë, por edhe për atë që janë në gjendje të ofrojnë sot. Pikërisht këtu qëndron problemi më i madh i PD-së. Konfliktet e brendshme kanë zëvendësuar debatin programor, përplasjet personale kanë marrë vendin e alternativave politike, ndërsa energjia e partisë është konsumuar në beteja për kontrollin e saj, në vend që të përqendrohej tek sfidat e qytetarëve.
Një opozitë bëhet e besueshme kur arrin të krijojë shpresë. Kur qytetarët shohin një parti të përçarë, me konflikte të pafundme dhe pa një vizion të qartë për të ardhmen, ata largohen gradualisht prej saj. Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se i bashkohen kundërshtarit politik; shpesh zgjedhin indiferencën ose presin lindjen e një alternative të re.
Fenomene të ngjashme janë parë edhe në demokraci të konsoliduara. Demokristianët dhe Socialistët në Itali, si edhe Partia Socialiste në Francë, humbën rolin dominues jo sepse mungonin traditat, por sepse nuk arritën të rinovoheshin dhe të përshtateshin me realitetet e reja politike. Kur një parti identifikohet vetëm me të kaluarën dhe nuk prodhon lidership të ri, ajo rrezikon të humbasë lidhjen me brezat e rinj dhe me pritshmëritë e shoqërisë.
Edhe në Shqipëri, shoqëria ka ndryshuar. Brezi i ri nuk kërkon vetëm retorikë politike apo përplasje të vazhdueshme. Ai kërkon zgjidhje për punësimin, arsimin, ekonominë, drejtësinë, teknologjinë dhe integrimin evropian. Një opozitë që nuk arrin të flasë për këto tema me ide konkrete, e ka të vështirë të fitojë besimin e shumicës.
Protestat e fundit kanë treguar se pakënaqësitë ekzistojnë. Por pakënaqësia, në vetvete, nuk mjafton për të ndërtuar fitore politike. Historia politike shqiptare ka dëshmuar se protestat krijojnë presion, por zgjedhjet fitohen me organizim, besueshmëri, program dhe lidership. Nëse këto elemente mungojnë, energjia e protestës zbehet pa prodhuar ndryshimin e synuar.
Prandaj, dilema nuk është nëse PD-ja ka një të kaluar të rëndësishme. Kjo është e padiskutueshme. Dilema është nëse ajo ka vullnetin dhe kapacitetin për të ndërtuar të ardhmen. Një reformim i vërtetë do të kërkonte hapje ndaj brezit të ri, rikthim të demokracisë së brendshme, bashkim të energjive politike dhe ndërtimin e një projekti që shkon përtej figurave historike.
Në të kundërt, vakumi që mund të krijohet nuk do të mbetet bosh. Historia politike tregon se kur partitë tradicionale dobësohen, hapësira mbushet nga forca të reja politike, të cilat përpiqen të përfaqësojnë elektoratin e zhgënjyer. Kjo mund të ndodhë edhe në Shqipëri, nëse Partia Demokratike nuk arrin të rigjejë identitetin dhe forcën e saj.
Në fund, mbijetesa e PD-së nuk do të varet nga nostalgjia për vitin 1990, por nga aftësia për t’iu përgjigjur Shqipërisë së vitit 2026 dhe sfidave të së ardhmes. Asnjë parti politike nuk është e përjetshme. Ato jetojnë vetëm për aq kohë sa dinë të reformohen, të dëgjojnë shoqërinë dhe të prodhojnë besim.
Pikërisht këtu qëndron sfida e madhe e Partisë Demokratike: të zgjedhë mes mbijetesës përmes ndryshimit ose zbehjes graduale deri në margjinalizim. Historia ende nuk e ka dhënë verdiktin, por koha për vendime po shkurtohet çdo ditë.







