Kreu Blog Faqe 168

Shtëpia e Bardhë në alarm! Shefes së stafit të Donald Trump i hakerojnë telefonin, gabimi që i tradhtoi ‘piratët’

0

Këshilltarja kryesore e Donald Trump ka rënë viktimë e hakerave, që depërtuan në telefonin e saj dhe përdorën inteligjencën artificiale për të imituar zërin e saj.

Plani keqdashës përfshinte të dhëna të vjedhura nga telefoni personal i shefes së stafit të Shtëpisë së Bardhë, Susie Wiles, të cilat më pas u përdorën për të telefonuar disa nga njerëzit më të fuqishëm në Amerikë.

Gjatë disa javëve, senatorë të njohur, guvernatorë dhe drejtues të bizneseve amerikane kanë marrë mesazhe zanore ose sms nga një numër i panjohur që pretendonte të ishte Wiles, raportoi Wall Street Journal.

Hakerat ranë në kurth kur bënë gabimin fatal të bënin pyetje për të cilat ndihmësja më e afërt e presidentit duhet të kishte dijeni.

Wiles e njohur me nofkën “Zonja e Akullt”, ka kontaktuar bashkëpunëtorët e saj duke i paralajmëruar që të injorojnë çdo mesazh apo telefonatë të çuditshme nga numra të panjohur që pretendojnë se janë ajo.

Disa prej telefonatave përdornin një zë që imitonte Wiles. Autoritetet dyshojnë se imituesi ka përdorur inteligjencë artificiale për të riprodhuar zërin e saj. FBI është duke hetuar situatën e pazakontë, por burime për median kanë thënë se nuk besohet që pas kësaj të qëndrojë ndonjë shtet i huaj.

“FBI e trajton çdo kërcënim ndaj presidentit, stafit të tij dhe sigurisë sonë kibernetike me seriozitetin maksimal. Sigurimi i mundësisë që zyrtarët tanë të administratës të komunikojnë në mënyrë të sigurt për të përmbushur misionin e presidentit është prioriteti ynë kryesor”, tha drejtori i FBI-së, Kash Patel, në një deklaratë.

Autoritetet po hetojnë cili ishte qëllimi i kësaj skeme.

Erdogan shkëlqen në politikën e jashtme, por do rrëzohet nga “xhepi” i turqve të zakonshëm

0

Shkruan Nikoletta Kritikou

Imponues por edhe dashamirës, ​​ish-kryeministri dhe ministri i jashtëm turk, Ahmet Davutoglu, mbërriti në Sulaymaniyah, Irak, si i ftuar nderi i Forumit të Delfit. Fjalimi i tij është i matur, duke iu përshtatur përshkrimit të tij si “i urti” i diplomacisë turke.

Gjatë viteve 2002-2016, ai ndihmoi në formësimin e politikës së jashtme të Turqisë, dhe u njoh gjerësisht si arkitekti i “Neo-Otomanizmit”, një term që sot e mohon. Dikur krahu i djathtë i presidentit Recep Tayyip Erdogan, ai është sot është një nga kritikët e tij më të ashpër dhe themeluesi i Partisë të së Ardhmes.

Megjithëse një mbështetës i zbutjes së marrëdhënieve greko-turke, Davutoglu e mbron ende doktrinën “Atdheu Blu” si një kundërpërgjigje ndaj asaj që ai e quan rrethim gjeopolitik të Turqisë, duke paralajmëruar se çdo lëvizje e njëanshme greke në Egje ose Mesdheun Lindor do të ishte një “ruletë ruse”.

PKK-ja ka njoftuar përfundimin e luftës së saj të armatosur pas 40 vitesh. Ndonëse shumë detaje mbeten të paqarta, partia pro-kurde DEM i ka kërkuar Erdoganit të marrë masa për ndërtimin e besimit. Besoni se do ta bëjë këtë?

Për 4 dekada, PKK-ja ka shkaktuar probleme të mëdha jo vetëm në Turqi, por edhe në Irak dhe Siri. Zgjidhja e kësaj çështjeje do të ishte në interesin e të gjithëve. Si ministër i jashtëm dhe më pas kryeministër, e mbështeta procesin e paqes në vitet 2013-2015.

Por nuk pati zgjidhje, sepse kriza e Sirisë, ngritja e ISIS-it, përdorimi i armëve kimike nga Assad dhe grushti i shtetit në Egjipt, e ndryshuan mjedisin. PKK-ja e ndryshoi qëndrimin e saj, duke synuar të kontrollonte pjesë të Sirisë dhe krijonte një bazë të re. Tani ndikimi turk në Siri është në kulmin e tij, dhe administrata e re ka lidhje të ngushta me Turqinë.

Hapi kyç është çarmatimi. Pa të, nuk mund të ecim përpara. Rekomandimi im është që të mos vonohen hapat e mëtejshëm, që duhet të nisin brenda një ose dy javësh. Nevojitet një proces i vërtetë çarmatimi, dhe jo vetëm deklarata simbolike.

Turqia është në qendër të gjeopolitikës globale, duke pritur bisedimet mbi Ukrainën dhe programin bërthamor të Iranit. Në kushtet kur Erdogan, po grumbullon kapital politik, sa e mundshme është që ai të kërkojë një mandat tjetër presidencial?

Nëse presidenti arrin diçka në nivel ndërkombëtar, ai mund ta shfrytëzojë atë. Por me Kushtetutë, ky është mandati i tij i fundit. Për një mandat tjetër do të duhen ndryshime kushtetuese. Askush nuk mund të parashikojë se çfarë do të ndodhë në vitet e ardhshme. Megjithatë, nuk mund ta anashkalojmë ekonominë në rënie, varfërinë në rritje, korrupsionin e përhapur dhe lirinë e kufizuar të mendimit. Fitimet në politikën e jashtme janë të rëndësishme, por njerëzit votojnë bazuar në jetën e tyre të përditshme dhe kryesisht tek ekonomia.

Pas rrëzimit të Assadit, Turqia ka mbajtur trupa në Sirinë Veriore dhe Veriperëndimore, ashtu si Izraeli në Jugperëndim. A ka vend për afrim në kushtet kur të dyja vendet i kanë përforcuar pozicionet e tyre dhe të deklaratave të ashpra midis Erdogan dhe Netanyahut?

Nuk ka një konflikt midis Turqisë dhe Izraelit, por midis Izraelit dhe njerëzimit. Më lejoni të jem shumë i qartë: Izraeli po kryen gjenocid dhe kërkon të zhdukë Gazën. Ai po kryen spastrim etnik. Këto akte janë krime që duhet të dënohen nga Gjykata Ndërkombëtare Penale.

Po ashtu, Izraeli po përpiqet të destabilizojë Libanin dhe Sirinë. Strategjia e Izraelit është të nxisë mosmarrëveshje midis turqve dhe kurdëve, turqve dhe arabëve, kurdëve dhe arabëve, iranianëve dhe të tjerëve. Por, pavarësisht superioritetit të tij teknologjik, ai ka dështuar për gati dy vjet të mposhtë një popull që nuk ka një ushtri tradicionale. Në vitin 1967, Izraeli mundi 4 shtete arabe brenda 6 ditësh. Sot, me gjithë atë fuqi ushtarake, ai nuk mund të kontrollojë as Gazën.

Trump dhe Erdogan kanë zhvilluar një marrëdhënie respekti të ndërsjellë. Ka raporte se SHBA-ja mund të heqë kufizimet e mbetura që pengojnë bashkëpunimin në mbrojtje. Departamenti i Shtetit miratoi së fundmi shitjen e sistemeve të raketave të përparuara. Si e interpretoni qëndrimin e Turqisë në këto kushte?

Turqia dhe SHBA-ja, janë dy kombe me interesa strategjike të rëndësishme. Ndaj kjo nuk ka të bëjë me marrëdhëniet personale. Ne kemi nevojë për një qasje të arsyeshme. Kur isha ministër i jashtëm dhe Hillary Clinton mbante të njëjtin post, bisedonim bazuar në faktin se Turqia është një komb i fuqishëm në zemër të Afro-Eurazisë, me qasje në Ballkan, Kaukaz, Azinë Qendrore dhe Lindjen e Mesme, ndërsa SHBA-të janë një fuqi globale. Asnjëra nuk mund ta injorojë tjetrën. Prandaj, nevojitet një qasje më strategjike, e bazuar në institucione dhe strategji afatgjata, dhe jo vetëm tek raportet personale midis presidentëve.

Sa afër janë Greqia dhe Turqia hartimit të një plani që potencialisht mund ta referojë mosmarrëveshjen e tyre kryesore – në lidhje me Zonat Ekonomike Ekskluzive dhe shelfet kontinentale – në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë?

Në marrëdhëniet greko-turke, ne duhet ta fusim konceptin e empatisë. Në vitin 2010, mbajtëm në Athinë mbledhje të përbashkëta të qeverive dhe nënshkruam 25 marrëveshje brenda një dite. Një arritje më e rëndësishme se 90 vjet lidhje diplomatike.

Por, nëse Greqia pretendon se ZEE i përket vetëm asaj, dhe synon të kontrollojë të gjithë zonën detare dhe ekonomike, kjo është e papranueshme. Asnjë qeveri turke nuk do ta pranonte ndonjëherë këtë. Turqia ka vijën bregdetare më të gjatë në Mesdheun Lindor dhe nuk mund të kufizohet.

Po kështu, Turqia duhet ta shohë Egjeun jo si një hapësirë ​​konkurrence dhe hegjemonie, por si një det me hapësira bashkëpunimi, dhe potenciali është i madh. Nëse ka burime natyrore në zonë, ato duhet të eksplorohen dhe ndahen bashkërisht.

Në vitin 2011, ju ishit Ministër i Jashtëm i Turqisë. Në atë kohë, a iu afruam një zgjidhjeje për Qipron dhe zonat detare, ose të paktën një kuadri ligjor? Cilat ishin shtyllat kryesore?

Ishim shumë afër një pakti. Midis Turqisë dhe Greqisë pati bisedime eksploruese, bazuar tek interesat e ndërsjella. Fatkeqësisht, pas dorëheqjes time bisedimet u ndërprenë. Pati përparim të konsiderueshëm në zgjidhjen e çështjeve të shelfit kontinental dhe zonës detare. Ishte një paketë gjithëpërfshirëse.

Mosmarrëveshjet mund të zgjidhen në Hagë, por nga të dyja palët ekzistojnë argumente ligjore. Rezultati është i pasigurt dhe vendimi në favor të njërës apo tjetrës nga gjykata mund t’i përkeqësojë raportet. Në lidhje me Qipron, në vitin 2004 isha pjesë e ekipit negociator turk në Burgenstock.

U humb një shans i madh. Në atë kohë kryeministri Erdogan, Ministri i Jashtëm Gul dhe të gjithë ne morëm një rrezik të madh. Mjerisht, pala greke na tha jo. Kur koha kalon pa një zgjidhje, edhe zgjidhjet e vjetra humbasin vlefshmërinë. Kanë kaluar 21 vjet që nga Plani i Annan dhe të dyja komunitetet në ishull janë sot më të ndara se kurrë. Po zbehen kujtimet e përbashkëta, ndërsa çështjet e pronës mbeten të pazgjidhura. Opsioni më i mirë aktual, është një zgjidhje me dy shtete nën mbikëqyrjen e BE-së.

A e shihni “Atdheun Blu” si një vazhdim të vizionit tuaj strategjik, siç është paraqitur në librin tuaj “Thellësia strategjike”, dhe a përputhet ai me konceptin e Neo-Otomanizmit?

Në librin tim, unë propozova një rend të ri rajonal në zonat rreth Turqisë – Ballkanin, Lindjen e Mesme dhe Kaukazin – jo një strategji të hegjemonisë turke. Unë e hedh poshtë termin “Neo-Otomanizëm”. Ai përdoret nga qarqe të caktuara për të nxitur arabët kundër nesh. Sa i përket konceptit të “Atdheut Blu”, është një reagim ndaj Hartës së Seviljes, e cila e kufizon Turqinë në Gjirin e Antalias.

Turqia ka të drejtë të thotë jo. Tek e fundit, ky Atdhe Blu na përket të gjithëve. Askush nuk mund ta fusë Turqinë në kurth në Detin Mesdhe. Ne ose mund të bashkëpunojmë dhe të ngrihemi si dy yje në ngjitje, ose të dështojmë duke luftuar njëri-tjetrin, të manipuluar nga fuqitë e jashtme.

Si e shihni bashkëpunimin e Greqisë me Egjiptin, Izraelin dhe Qipron? A po synojnë këto aleanca Turqinë?

Nëse Turqia izolohet, kjo do të jetë një lojë e rrezikshme, njëlloj si “ruleta ruse”. Përpjekja për të izoluar Turqinë përmes aleancave trepalëshe me Greqinë, Izraelin dhe Egjiptin është e gabuar dhe një lëvizje e papjekur. Propaganda është gjithnjë e lehtë, ndërsa ndërtimi i një fryme bashkëpunimi është shumë i vështirë.

Nëse një problem duket i pazgjidhshëm, lëreni mënjanë dhe vazhdoni të bashkëpunoni për gjërat e tjera. Me kalimin e kohës, ai problem do të zvogëlohet. Kjo është këshilla ime për miqtë e mi grekë: Flisni me Turqinë me vullnet të mirë. Mos na mënjanoni. Ne mund të formojmë një shoqatë të përbashkët të Mesdheut Lindor – Greqia, Egjipti, Turqia, Siria, Libani. Nga ajo do të përfitonin të gjithë.

Vajza e Shefqet Kastratit vë kujen, i kërkon babait të nxjerrë burrin nga burgu

0

Pas arrestimit të Darjo Jasharit, dhëndrit të biznesmenit të njohur Shefqet Kastrati, në lidhje me një skemë të gjerë kontrabande cigaresh të zbuluar nga SPAK, burime të afërta në rrethin e tyre bëjnë me dije se vajza e Kastratit, Xheni Kastrati, ka kërkuar ndihmën e babait të saj për të ndërhyrë me ndikimin e tij në këtë çështje.

Sipas këtyre burimeve, Xheni Kastrati është shprehur e tronditur nga arrestimi i bashkëshortit të saj dhe ka kërkuar mbështetjen e familjes për të siguruar një proces gjyqi qe ti garantoje lirine për Darjon.

Ndërkohë, Shefqet Kastrati nuk ka bërë asnjë deklaratë publike lidhur me këtë çështje, duke ruajtur një qëndrim të rezervuar përballë situatës së krijuar.

SPAK ka arrestuar Darjo Jasharin dhe babain e tij, Ilir Jashari, si pjesë e një hetimi të gjerë mbi një rrjet të strukturuar kriminal që dyshohet se ka kontrabanduar cigare në tregun vendas dhe atë europian, duke shkaktuar një dëm të konsiderueshëm ekonomik për shtetin shqiptar.

Një nga skemat më të sofistikuara të kontrabandës me cigare në Shqipëri është zbuluar dhe goditur nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), duke çuar pas hekurave disa prej drejtuesve dhe pjesëmarrësve kryesorë të saj.

Në qendër të hetimeve janë Ilir dhe Darjo Jashari, babë e bir, të cilët sipas SPAK kanë drejtuar për vite me radhë një rrjet kriminal të strukturuar për kontrabandë me cigare përmes kompanisë “Albania Tabak”, një fabrikë me status “Përpunim Aktiv” e vendosur në Librazhd.

DHËNDRI I NJË BIZNESMENI TË NJOHUR

Ajo që bie në sy veçanërisht është fakti se Darjo Jashari është dhëndri i biznesmenit të njohur Shefqet Kastrati, një nga emrat më me ndikim në botën e sipërmarrjes shqiptare. Kjo lidhje familjare hedh hije mbi mënyrën se si një skemë kaq e sofistikuar kontrabande ka arritur të funksionojë për një kohë të gjatë pa u ndëshkuar.

SKEMA: PËRPUNIM AKTIV, POR NË TREGUN E ZI

Fabrika “Albania Tabak” kishte marrë licencë për përpunim aktiv, që do të thotë përpunim të mallrave për eksport pa taksa doganore. Por në vend që cigaret të eksportoheshin, ato përfundonin në tregun e brendshëm shqiptar dhe kontrabandoheshin më pas drejt vendeve të BE-së.

SPAK ka dokumentuar mbi 30 raste falsifikimi në sistemin doganor “Asycuda World”, ku ngarkesat figuronin si të eksportuara, por në realitet nuk kishin dalë kurrë nga vendi. Marrëveshjet me kompanitë jashtë ishin simuluar dhe destinacionet e deklaruara ishin të rreme.

DËMI EKONOMIK DHE PËRFITIMET KRIMINALE

Dëmi i shkaktuar vetëm buxhetit të shtetit shqiptar llogaritet në 3.6 miliardë lekë (rreth 40 milionë euro). Në shtetet e Bashkimit Europian, mungesa e të ardhurave nga akcizat dhe taksat përllogaritet në 12.8 milionë euro.

Pjesë e skemës ishin edhe zyrtarë doganorë, të cilët kanë lejuar çlirimin fiktiv të mallrave, duke u përfshirë në trafikimin e paligjshëm. Prodhimi i paketave pa pullë fiskale dhe shpërndarja në rrugë të paligjshme bëri të mundur shmangien totale të tatimeve.

MASAT E MARA DERI MË TANI

Pas një hetimi të gjatë, Gjykata e Posaçme ka caktuar arrest me burg për 6 persona, përfshirë Ilir dhe Darjo Jasharin, si dhe shtetas të huaj. Mbi 20 zyrtarë doganorë janë nën hetim me masa sigurie të lehta, si ndalim daljeje jashtë shtetit dhe detyrim paraqitjeje.

Në listën e 35 të pandehurve përfshihen emra nga fusha të ndryshme – nga drejtues fabrike, financierë, deri tek punonjës doganash.

NJOLLË NË SISTEMIN E DREJTËSISË DHE BIZNESIT

Hetimi dhe arrestimet vijnë si një konfirmim i raportimeve të hershme investigative që që në vitin 2018 kishin ngritur alarmin mbi funksionimin e dyshimtë të kësaj fabrike. SPAK thekson se kjo është një goditje e rëndësishme ndaj kriminalitetit ekonomik dhe abuzimit me statuset fiskale në dëm të buxhetit të shtetit dhe konkurrencës së ndershme.

Përfshirja e Darjo Jasharit në këtë dosje shton edhe më shumë presionin publik dhe institucional, për të zbardhur se deri ku shkon ndikimi i lidhjeve të biznesit me strukturat shtetërore dhe mënyrën se si për vite të tëra, një rrjet i tillë kriminal ka operuar pa u ndëshkuar.

Lista e të pandehurve të përfshirë në skemë përfshin 35 emra

Ilir Jashari
Darjo Jashari
Servet Dauti
Luan Qorolli
Nazmi Goçi
Gerti Ciu
Norion Spahia
Luis Mazreku
Durim Perja
Bordi Zotaj
Indrit Cenaj
Matilda Duzha
Andri Tola
Mentor Neli
Gentian Tabaku
Kreshnik Gumaj
Eldi Hoxha
Mile Bijeliç
Emin Shabani
Ilber Kolleshi
Ylber Karanxha
Blendi Resuli
Idlir Cukaj
Lida Matoshi
Alisa Sinani
Ylli Sinani
Vladimir Goxhi
Shpëtim Logka
Rezart Doci
Altevin Norja
Lorenc Çela
Zeljko Stafjer
Matilda Duza (shfaqet dy herë për masa sigurie të ndryshme)
Gëzim Stërkshi
Juli Zogu
Florian Arapi.

Bushati: As Putini nuk do t’i bënte aq keq Shqipërisë, sa i bëri administrata Biden, duke mbështetur autokratin Rama!

0

Analisti Andi Bushati, deklaroi se administrata Biden, i dhuroi Shqipërisë një autokrat si Edi Rama.

I ftuar në MCN TV, Bushati theksoi se me këtë mbështetje ndaj Ramës, i bëri më shumë dëm Shqipërisë, seç do t’i kishte bërë edhe një diktator si Putini.
Pjesë nga biseda në studio:

Bushati: Çfarë ndryshimi ka Shqipëria amerikane, me autokracinë e Ramës, nga Azebaixhani rus me presidentin e përjetshëm? Edhe Rusia në Azerbaixhan edhe Amerika në Shqipëri, kanë prodhuar të njëjtin model autokratik, por njëri ka atlete dhe tjetri ka mustaqe. Kjo është dhurata që na ka dhënë aleati. Putini nuk do të bënte më keq në Shqipëri, se ajo që ka bërë Biden, sesa të mbështeste një diktatoruc që të vinte nën këmbë gjithë vendin.

Zogaj: Biden ka mbështetur demokracinë. Ka patur si kryefjalë demokracinë dhe luftën kundër korrupsionit dhe zbatimin e ligjit. Ka mbështetur një instrument që ka për detyrë të çojë në burg dhe i ka cuar. Imagjino pa ata?

Rakipi: Ata nuk janë fajtorë por..

Bushati: Janë zero fajtorë, fajin e kemi ne. Por nuk merren dot si referencë për mësime morale sepse herë pas here… A ka qenë Amerika e mirë për të rrëzuar Berishën në 97′? Padyshim, pra na kanë bërë edhe mirë. Por në fund…

Zogaj: Në Shqipëri votohet me probleme, por në Rusi nuk votohet fare.

Sa foli Amerika, non grat-a u rishkreh!

0

Shkruan Zef Ndreka

Deklarata i la pa fjalë. Ndërkohë papagajt e Berishës edhe pse nuk e prisnin një deklaratë të tillë, vazhdojnë të zbërthejnë në formën e tyre deklaratën që sipas tyre: “Amerikanët nuk uruan fituesin, por popullin”!
Por çdo të thotë kjo?
Kjo do të thotë se ky është qëndrimi më i drejtë i SHBA-ve për zgjedhjet në Shqipëri.
Një deklaratë në dukje e thjeshtë, me pak fjalë, me shumë domëthënie, pa asnjë dilemë dhe pa rezerva.
Me ne fund “Amerika u shpreh dhe Non Grata u rishkreh” !
Sigurisht që deklarata nuk kishte rezerva mbasi
nëse do të kishte rezerva për zgjedhjet e 11-Majit, SHBA-të nuk do të uronin, por do të mbanin një tjetër qëndrim.
Pra qëndrimi i tyre mund të ishte më i ashpër, ose mund ta kalonin me heshtje atë që pretendohet nga opozita se ndodhi në Shqipëri ditën e zgjedhjeve.
Në këtë situatë, opozita “luftarake e Non Grat-ës ” nuk mori atë që priste nga qëndrimi amerikan për zgjedhjet.
Ashtu siç nuk mori as heqjen e statusit non grat-a për Berishën apo ndonjë mesazh mbështetjeje para zgjedhjeve, apo ti organizonte atë vizitën e bukur në Washington që e fabrikuan me shokun Caputo!
Ashtu sikunër nuk korri atë që mbolli me kaubojsin LaCivita që iku me bisht në shalë por me xhepat me dollarë!
Bravo i qoftë!
Nga ana tjetër Rama mund të jetë i kënaqur me faktin se pala amerikane shprehet se: “presim të vazhdojmë përtneritetin tonë të ngushtë me Shqipërinë”.
Ky është një mesazh jo edhe aq i koduar e i vështirë për t’u kuptuar, se amerikanët presin vijimësinë e jo diçka tjetër.
Pra: SHBA-të njohin rezultatin e zgjedhjeve dhe presin të vijojnë bashkëpunimin me qeverinë!
Në këto kushte, Amerikanët i kanë vendosur kapakun një etape dhe nuk e di sa do të merrën me interesat e brëndshme politike në Shqipëri, sidomos të opozitës apo më saktë të PD-së, deri sa të rinovohet ose të shkatërrohet plotësisht ajo.
Ose mbas kësaj rishkrehjeje të non grat-ës, do të merrën më fshatçe me ata që mungojnë në mesazhin e këtij urimi!

Media Amerikane: Shqipëria nuk është demokraci dhe këto zgjedhje e konfirmuan sërish!

0

Partia Socialiste në pushtet ka manipuluar zgjedhjet përmes përdorimit të karteleve të drogës, vendeve të punës shtetërore, një sistemi klientelist dhe shërbimeve sekrete të ish-regjimit komunist për të frikësuar votuesit, raporton opozita konservatore përpara komunitetit ndërkombëtar.

Më 27 maj, Ambasada e SHBA-së në Tiranë publikoi një mesazh të shkurtër ku përgëzonte popullin shqiptar për zgjedhjet e 11 majit. Nuk u përmendën rezultatet apo ndonjë fitues. Thjesht një njohje që zgjedhjet ndodhën. Kjo nuk ishte ajo që shqiptarët prisnin pas një procesi të kontestuar dhe të manipuluar. Megjithatë, ky mesazh dallon nga retorika e administratës Biden, e cila sipas opozitës, ka vepruar shpesh në shërbim të interesave të George Soros-it, me qëllim çmontimin e opozitës konservatore në Shqipëri.

Zgjedhjet e 11 majit ishin një farsë. Qeveria aktuale ka konsoliduar një regjim njëpartiak që kontrollon të gjitha institucionet dhe përdor kartelet e drogës për të qëndruar në pushtet për një mandat të katërt radhazi, një precedent i pashembullt. Prej gati dy javësh pas zgjedhjeve, rrjetet sociale shqiptare janë përfshirë nga video, postime dhe komente që dëshmojnë manipulimin masiv të procesit. Ndërkohë, mediat nën kontrollin e qeverisë, veçanërisht ato kombëtare, përpiqen të shpërqendrojnë vëmendjen dhe të frikësojnë, përqeshin apo heshtin opozitën konservatore.

Ngjarje ndërkombëtare si Giro d’Italia gjatë ditës së zgjedhjeve dhe Samiti i Këshillit të BE-së më 16 maj në Tiranë, po përdoren për të zhvendosur vëmendjen nga manipulimi elektoral dhe për të censuruar opozitën.

Rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2025 kujtojnë ato të vitit 1991, kur Partia e Punës (paraardhësja e socialistëve) ‘fitoi’ zgjedhjet e para të ashtuquajtura të lira, pas 45 vitesh diktaturë komuniste, nëpërmjet frikësimit dhe manipulimit të votës.

Sipas burimeve të opozitës konservatore: ‘Në një përpjekje të dëshpëruar për të siguruar një mandat të katërt, qeveria aktuale politizoi drejtësinë kundër opozitës. Krerët e tre partive më të mëdha opozitare u vendosën nën arrest shtëpie, paraburgim ose përballen me procese penale pa asnjë akuzë të provuar. Deputetë dhe kryebashkiakë opozitarë u arrestuan ose u frikësuan në shkelje të të drejtave politike themelore.’

Ngjashëm me të kaluarën komuniste, kutitë e votimit treguan fitore të socialistëve me mbi 97% në disa zona. Opozita mbajti një protestë masive më 16 maj, në të njëjtën ditë me samitin e BE-së. Pas publikimit të provave mbi manipulimet me votat e diasporës, që tejkalonin numrin e votuesve të regjistruar, autoritetet zgjedhore pretenduan një sulm kibernetik të huaj.

Për më tepër, arrestimet për çështje droge u bënë vetëm pas zgjedhjeve, pavarësisht thirrjeve të opozitës për t’i ndërmarrë para votimeve, gjë që ngre shqetësime të mëdha.

Vetëm një njohje e procesit zgjedhor nga ambasada e SHBA-së, pa përmendur manipulimet, nuk mjafton. Shqipëria nuk është një demokraci, dhe këto zgjedhje e konfirmuan sërish. Opozita thekson se administrata e mëparshme amerikane, veçanërisht Departamenti i Shtetit, ka bashkëpunuar ngushtë me rrjetin e Soros-it dhe qeverinë socialiste për të asgjësuar opozitën konservatore dhe për të kthyer Shqipërinë në një shtet njëpartiak. BE-ja, gjithashtu, ka qenë e vonuar, e dobët dhe e paefektshme në reagim.

BE-ja mund të mos jetë as e gatshme për të vepruar. Agresioni rus në Ukrainë e ka komplikuar situatën dhe e ka vendosur BE-në në një pozicion mbijetese, duke thelluar ndasitë e brendshme. Nuk është hera e parë që BE-ja zgjedh stabilitetin sipërfaqësor mbi demokracinë reale.

Për të siguruar përkrahje ndërkombëtare dhe për të larguar vëmendjen nga korrupsioni, kryeministri aktual socialist Rama ka ofruar që Shqipëria të shërbejë si kamp refugjatësh për vende të tjera, siç është marrëveshja me Italinë, ndërkohë që vetë shqiptarët po largohen masivisht nga vendi për të shpëtuar nga represioni.

Shqiptarët e kanë humbur shpresën për demokraci të vërtetë. Sipas burimeve nga Partia Demokratike, qeveria aktuale ka ndërmarrë një ‘terrorizëm zgjedhor’ të pashembullt.

Përdorimi i krimit të organizuar

Sipas Partisë Demokratike: ‘Procesi zgjedhor përbënte shkelje sistematike të Kodit Zgjedhor dhe Kritereve të Kopenhagës. Këto veprime përbëjnë një sulm të paprecedent ndaj demokracisë, ku kufijtë midis shtetit, partisë dhe krimit të organizuar janë fshirë plotësisht. Zgjedhjet e 11 majit janë kulmi i kapjes së shtetit nga grupet kriminale.’

Përdorimi i fondeve publike për blerje votash:

Bonuse pensioni për qëllime elektorale.

Licenca kanabisi në këmbim të mbështetjes politike në dhjetëra mijëra hektarë.

Punësime masive para zgjedhjeve, në këmbim të votës.

Amnisti paraelektorale me vlerë mbi 200 milionë euro, shpallur 48 orë para zgjedhjeve.

Financimi propagandistik i eventeve si Giro d’Italia me 7 milionë euro në datat 10–11 maj, për të shpërqendruar dhe penguar opozitën.

Abuzime të mëdha me tenderë dhe kontrata koncesionare gjatë fushatës, me qëllim ndikimin e votës.

Fushata frikësimi

Sistemi i ‘patronazhistëve’, reminishencë e kohës komuniste, u rikthye dhe u përhap në çdo qendër votimi. Të dhënat personale u përdorën për të ndikuar votuesit dhe çdo nëpunës publik kishte detyrimin të siguronte 20 vota, përfshirë nga diaspora, dhe të sillte numrat e kontaktit dhe foto të votës së atyre personave.

Aktivizimi i ish-Sigurimit të Shtetit

Sipas burimeve nga Partia Demokratike, dy nënkryetarë të SHISH mobilizuan ish-agjentë të Sigurimit për të ndikuar zgjedhjet me frikë e shantazh, ashtu si në kohën e diktaturës.

Kontrolli dhe censura e medias

Qeveria kontrollon të gjitha mediat kombëtare, duke ndaluar raportimin e pavarur. Mbyllja e TikTok-ut para zgjedhjeve ishte një tjetër përpjekje për të ndalur informacionin dhe shprehjen e lirë. Edhe aktivitetet e opozitës u penguan në mënyrë sistematike.

Zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 në Shqipëri u njollosën nga shkelje sistematike që komprometuan parimet ndërkombëtare të një procesi zgjedhor të lirë dhe të ndershëm.

Partia Demokratike e Shqipërisë kërkon:

Hetim ndërkombëtar mbi zgjedhjet.

Qeveri teknike për të menaxhuar procesin e integrimit dhe për të organizuar zgjedhje të lira.

Liri për median dhe pluralizëm informimi.

Mbikëqyrje ndërkombëtare të vazhdueshme për të garantuar procese demokratike në Shqipëri.

Populli shqiptar ka humbur shpresën se demokracia është e mundur. Legjitimimi i zgjedhjeve të manipuluara të 11 majit 2025 përbën fundin e lirisë dhe demokracisë në Shqipëri.

Marrë nga: Liberty Sentinel

Adriatik Lapaj: PS vodhi votat, kishte në dorë të dhënat e votuesve të Diasporës

0

Kreu i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj përmes një postimi në rrjetet sociale, hedh dyshime se Partia Socialiste ka tjetërsuar votën e Diasporës.

Sipas Lapajt, PS ka pasur në posedim listat e shqiptarëve që votuan nga jashtë, por edhe numrat e telefonit dhe adresat e tyre. Ai po ashtu publikon rastin e një emigranti nga Anglia, i cili sipas Lapajt është kontaktuar nga një numër telefoni britanik ne emër të një kandidati socialist.

“Ku i gjeti PS të dhënat e votuesve nga diaspora? Nga procesi ynë faktmbledhës rezulton se PS ka kontaktuar në forma të ndryshme ndër të cilat dhe me mesazhe votuesit e regjistruar nga diaspora. Në rastin që po paraqes rezulton që numri +44 74 11 505458 në emër të PS dhe njërit prej deputetëve të saj të ketë kontaktuar shqiptarët e Anglisë para zgjedhjeve të dt. 11 maj duke treguar se përveçse kanë pas informacion që këta shtetas kanë qenë të regjistruar si votues nga jashtë kanë pasur dhe kontaktet e tyre të telefonit. Rezulton që u kanë ditur emrat, numrat e telefonit dhe adresat”, shkruan Lapaj.

Në vijim, drejtuesi i koalicionit “Nisma-Shqipëria Bëhet” në zgjedhjet e 11 majit, shton se pyetjet që ngremë tashmë janë krejt të thjeshta dhe i liston si më poshtë:

1. Nga i kanë marrë të dhënat Partia Socialiste dhe deputetët e saj?

2. Dhënia e numrave, adresave të votuesve të regjistruar nga jashtë a shkelin të dhënat personale të këtyre shtetasve?

3. Dhënia e të dhënave personale të votuesve te një forcë politike dhe jo te të tjerat a është cenim i procesit të rregullt për zgjedhje të lira dhe të ndershme?

Nesër mblidhet Kuvendi për herë të parë pas zgjedhjeve, ja çfarë pritet të ndodhë

0

Pas zgjedhjeve të 11 majit, Kuvendi rifillon punimet nesër, me një seancë formale që do të miratojë kalendarin trejavor të punës. Para seancës, Partia Socialiste do të mbledhë grupin parlamentar në orën 11:30, ku do të diskutohet për vijimin e punës në komisione.

Nga ana tjetër, edhe Partia Demokratike pritet të jetë aktive në seancë. Kryetari i grupit, Gazment Bardhi, ka paralajmëruar një fokus të fortë në denoncimin e “farsës elektorale” të 11 majit.

Konferenca e Kryetarëve do të mblidhet në orën 10:00, ndërsa seanca e fundit e kësaj legjislature është planifikuar për më 8 korrik.

POSTIMET E FUNDIT