Shkruan Nikoletta Kritikou
Imponues por edhe dashamirës, ish-kryeministri dhe ministri i jashtëm turk, Ahmet Davutoglu, mbërriti në Sulaymaniyah, Irak, si i ftuar nderi i Forumit të Delfit. Fjalimi i tij është i matur, duke iu përshtatur përshkrimit të tij si “i urti” i diplomacisë turke.
Gjatë viteve 2002-2016, ai ndihmoi në formësimin e politikës së jashtme të Turqisë, dhe u njoh gjerësisht si arkitekti i “Neo-Otomanizmit”, një term që sot e mohon. Dikur krahu i djathtë i presidentit Recep Tayyip Erdogan, ai është sot është një nga kritikët e tij më të ashpër dhe themeluesi i Partisë të së Ardhmes.
Megjithëse një mbështetës i zbutjes së marrëdhënieve greko-turke, Davutoglu e mbron ende doktrinën “Atdheu Blu” si një kundërpërgjigje ndaj asaj që ai e quan rrethim gjeopolitik të Turqisë, duke paralajmëruar se çdo lëvizje e njëanshme greke në Egje ose Mesdheun Lindor do të ishte një “ruletë ruse”.
PKK-ja ka njoftuar përfundimin e luftës së saj të armatosur pas 40 vitesh. Ndonëse shumë detaje mbeten të paqarta, partia pro-kurde DEM i ka kërkuar Erdoganit të marrë masa për ndërtimin e besimit. Besoni se do ta bëjë këtë?
Për 4 dekada, PKK-ja ka shkaktuar probleme të mëdha jo vetëm në Turqi, por edhe në Irak dhe Siri. Zgjidhja e kësaj çështjeje do të ishte në interesin e të gjithëve. Si ministër i jashtëm dhe më pas kryeministër, e mbështeta procesin e paqes në vitet 2013-2015.
Por nuk pati zgjidhje, sepse kriza e Sirisë, ngritja e ISIS-it, përdorimi i armëve kimike nga Assad dhe grushti i shtetit në Egjipt, e ndryshuan mjedisin. PKK-ja e ndryshoi qëndrimin e saj, duke synuar të kontrollonte pjesë të Sirisë dhe krijonte një bazë të re. Tani ndikimi turk në Siri është në kulmin e tij, dhe administrata e re ka lidhje të ngushta me Turqinë.
Hapi kyç është çarmatimi. Pa të, nuk mund të ecim përpara. Rekomandimi im është që të mos vonohen hapat e mëtejshëm, që duhet të nisin brenda një ose dy javësh. Nevojitet një proces i vërtetë çarmatimi, dhe jo vetëm deklarata simbolike.
Turqia është në qendër të gjeopolitikës globale, duke pritur bisedimet mbi Ukrainën dhe programin bërthamor të Iranit. Në kushtet kur Erdogan, po grumbullon kapital politik, sa e mundshme është që ai të kërkojë një mandat tjetër presidencial?
Nëse presidenti arrin diçka në nivel ndërkombëtar, ai mund ta shfrytëzojë atë. Por me Kushtetutë, ky është mandati i tij i fundit. Për një mandat tjetër do të duhen ndryshime kushtetuese. Askush nuk mund të parashikojë se çfarë do të ndodhë në vitet e ardhshme. Megjithatë, nuk mund ta anashkalojmë ekonominë në rënie, varfërinë në rritje, korrupsionin e përhapur dhe lirinë e kufizuar të mendimit. Fitimet në politikën e jashtme janë të rëndësishme, por njerëzit votojnë bazuar në jetën e tyre të përditshme dhe kryesisht tek ekonomia.
Pas rrëzimit të Assadit, Turqia ka mbajtur trupa në Sirinë Veriore dhe Veriperëndimore, ashtu si Izraeli në Jugperëndim. A ka vend për afrim në kushtet kur të dyja vendet i kanë përforcuar pozicionet e tyre dhe të deklaratave të ashpra midis Erdogan dhe Netanyahut?
Nuk ka një konflikt midis Turqisë dhe Izraelit, por midis Izraelit dhe njerëzimit. Më lejoni të jem shumë i qartë: Izraeli po kryen gjenocid dhe kërkon të zhdukë Gazën. Ai po kryen spastrim etnik. Këto akte janë krime që duhet të dënohen nga Gjykata Ndërkombëtare Penale.
Po ashtu, Izraeli po përpiqet të destabilizojë Libanin dhe Sirinë. Strategjia e Izraelit është të nxisë mosmarrëveshje midis turqve dhe kurdëve, turqve dhe arabëve, kurdëve dhe arabëve, iranianëve dhe të tjerëve. Por, pavarësisht superioritetit të tij teknologjik, ai ka dështuar për gati dy vjet të mposhtë një popull që nuk ka një ushtri tradicionale. Në vitin 1967, Izraeli mundi 4 shtete arabe brenda 6 ditësh. Sot, me gjithë atë fuqi ushtarake, ai nuk mund të kontrollojë as Gazën.
Trump dhe Erdogan kanë zhvilluar një marrëdhënie respekti të ndërsjellë. Ka raporte se SHBA-ja mund të heqë kufizimet e mbetura që pengojnë bashkëpunimin në mbrojtje. Departamenti i Shtetit miratoi së fundmi shitjen e sistemeve të raketave të përparuara. Si e interpretoni qëndrimin e Turqisë në këto kushte?
Turqia dhe SHBA-ja, janë dy kombe me interesa strategjike të rëndësishme. Ndaj kjo nuk ka të bëjë me marrëdhëniet personale. Ne kemi nevojë për një qasje të arsyeshme. Kur isha ministër i jashtëm dhe Hillary Clinton mbante të njëjtin post, bisedonim bazuar në faktin se Turqia është një komb i fuqishëm në zemër të Afro-Eurazisë, me qasje në Ballkan, Kaukaz, Azinë Qendrore dhe Lindjen e Mesme, ndërsa SHBA-të janë një fuqi globale. Asnjëra nuk mund ta injorojë tjetrën. Prandaj, nevojitet një qasje më strategjike, e bazuar në institucione dhe strategji afatgjata, dhe jo vetëm tek raportet personale midis presidentëve.
Sa afër janë Greqia dhe Turqia hartimit të një plani që potencialisht mund ta referojë mosmarrëveshjen e tyre kryesore – në lidhje me Zonat Ekonomike Ekskluzive dhe shelfet kontinentale – në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë?
Në marrëdhëniet greko-turke, ne duhet ta fusim konceptin e empatisë. Në vitin 2010, mbajtëm në Athinë mbledhje të përbashkëta të qeverive dhe nënshkruam 25 marrëveshje brenda një dite. Një arritje më e rëndësishme se 90 vjet lidhje diplomatike.
Por, nëse Greqia pretendon se ZEE i përket vetëm asaj, dhe synon të kontrollojë të gjithë zonën detare dhe ekonomike, kjo është e papranueshme. Asnjë qeveri turke nuk do ta pranonte ndonjëherë këtë. Turqia ka vijën bregdetare më të gjatë në Mesdheun Lindor dhe nuk mund të kufizohet.
Po kështu, Turqia duhet ta shohë Egjeun jo si një hapësirë konkurrence dhe hegjemonie, por si një det me hapësira bashkëpunimi, dhe potenciali është i madh. Nëse ka burime natyrore në zonë, ato duhet të eksplorohen dhe ndahen bashkërisht.
Në vitin 2011, ju ishit Ministër i Jashtëm i Turqisë. Në atë kohë, a iu afruam një zgjidhjeje për Qipron dhe zonat detare, ose të paktën një kuadri ligjor? Cilat ishin shtyllat kryesore?
Ishim shumë afër një pakti. Midis Turqisë dhe Greqisë pati bisedime eksploruese, bazuar tek interesat e ndërsjella. Fatkeqësisht, pas dorëheqjes time bisedimet u ndërprenë. Pati përparim të konsiderueshëm në zgjidhjen e çështjeve të shelfit kontinental dhe zonës detare. Ishte një paketë gjithëpërfshirëse.
Mosmarrëveshjet mund të zgjidhen në Hagë, por nga të dyja palët ekzistojnë argumente ligjore. Rezultati është i pasigurt dhe vendimi në favor të njërës apo tjetrës nga gjykata mund t’i përkeqësojë raportet. Në lidhje me Qipron, në vitin 2004 isha pjesë e ekipit negociator turk në Burgenstock.
U humb një shans i madh. Në atë kohë kryeministri Erdogan, Ministri i Jashtëm Gul dhe të gjithë ne morëm një rrezik të madh. Mjerisht, pala greke na tha jo. Kur koha kalon pa një zgjidhje, edhe zgjidhjet e vjetra humbasin vlefshmërinë. Kanë kaluar 21 vjet që nga Plani i Annan dhe të dyja komunitetet në ishull janë sot më të ndara se kurrë. Po zbehen kujtimet e përbashkëta, ndërsa çështjet e pronës mbeten të pazgjidhura. Opsioni më i mirë aktual, është një zgjidhje me dy shtete nën mbikëqyrjen e BE-së.
A e shihni “Atdheun Blu” si një vazhdim të vizionit tuaj strategjik, siç është paraqitur në librin tuaj “Thellësia strategjike”, dhe a përputhet ai me konceptin e Neo-Otomanizmit?
Në librin tim, unë propozova një rend të ri rajonal në zonat rreth Turqisë – Ballkanin, Lindjen e Mesme dhe Kaukazin – jo një strategji të hegjemonisë turke. Unë e hedh poshtë termin “Neo-Otomanizëm”. Ai përdoret nga qarqe të caktuara për të nxitur arabët kundër nesh. Sa i përket konceptit të “Atdheut Blu”, është një reagim ndaj Hartës së Seviljes, e cila e kufizon Turqinë në Gjirin e Antalias.
Turqia ka të drejtë të thotë jo. Tek e fundit, ky Atdhe Blu na përket të gjithëve. Askush nuk mund ta fusë Turqinë në kurth në Detin Mesdhe. Ne ose mund të bashkëpunojmë dhe të ngrihemi si dy yje në ngjitje, ose të dështojmë duke luftuar njëri-tjetrin, të manipuluar nga fuqitë e jashtme.
Si e shihni bashkëpunimin e Greqisë me Egjiptin, Izraelin dhe Qipron? A po synojnë këto aleanca Turqinë?
Nëse Turqia izolohet, kjo do të jetë një lojë e rrezikshme, njëlloj si “ruleta ruse”. Përpjekja për të izoluar Turqinë përmes aleancave trepalëshe me Greqinë, Izraelin dhe Egjiptin është e gabuar dhe një lëvizje e papjekur. Propaganda është gjithnjë e lehtë, ndërsa ndërtimi i një fryme bashkëpunimi është shumë i vështirë.
Nëse një problem duket i pazgjidhshëm, lëreni mënjanë dhe vazhdoni të bashkëpunoni për gjërat e tjera. Me kalimin e kohës, ai problem do të zvogëlohet. Kjo është këshilla ime për miqtë e mi grekë: Flisni me Turqinë me vullnet të mirë. Mos na mënjanoni. Ne mund të formojmë një shoqatë të përbashkët të Mesdheut Lindor – Greqia, Egjipti, Turqia, Siria, Libani. Nga ajo do të përfitonin të gjithë.