Shkruan Zef Ndreka
Në më shumë se tridhjetë vite pluralizëm, Shqipëria ka kaluar nga një sistem i mbyllur totalitar në një demokraci funksionale në formë, por shpesh problematike në përmbajtje. Ky tranzicion i gjatë nuk ka qenë linear. Përkundrazi, ai është shoqëruar me shpërthime të njëpasnjëshme politike, ekonomike dhe institucionale, një realitet ky që mund të përshkruhet metaforikisht si një “tritol politik oligark”.
Rënia e regjimit komunist, hapi rrugën për një ekonomi tregu të papërgatitur dhe një klasë politike pa përvojë në menaxhimin e shtetit. Privatizimet e shpejta dhe mungesa e institucioneve të forta krijuan terren për përqendrimin e pasurisë në pak duar. Në vend që të ndërtohej një ekonomi konkurruese, u hodhën themelet e një sistemi ku lidhjet me politikën shpesh ishin më të rëndësishme se aftësia ekonomike.
Ky proces mori një goditje të rëndë pas viteve 1992, e cila jo vetëm shkatërroi ekonominë familjare të mijëra shqiptarëve, por edhe minoi besimin tek shteti. Nga kjo pikë, marrëdhënia mes politikës dhe biznesit u bë më e fortë dhe më e errët, duke krijuar një simbiozë që do të ndikonte gjatë për dekada.
Në vitet që pasuan, figura si Sali Berisha, Fatos Nano dhe Ilir Meta dominuan skenën politike, ndërsa në prapaskenë u konsolidua një elitë ekonomike me ndikim shumë të ndjeshëm në vendimmarrje. Kjo periudhë shënoi kalimin nga një ekonomi e lirë në teori, në një sistem ku interesat e mëdha ekonomike filluan të diktojnë politika publike.
Me riardhjen në pushtet të sicialistëve, u artikulua fort nevoja për reformë, veçanërisht në drejtësi. Ngritja e SPAK dhe gjykatave si dhe procesi i vetingut synuan të godasin korrupsionin dhe lidhjet klienteliste. Megjithatë, perceptimi në publik mbetet i ndarë. Disa shohin përparim, ndlrsa të tjerë vazhdojnë të besojnë se sistemi mbetet i kapur nga interesa të ngushta.
Oligarki politike si term në vendin tonë, e përdorim jo rrallë në diskursin politik, herë si akuzë, por ndonjëherë edhe si realitet i perceptuar. Ndërsa në kuptimin klasik, oligarkia nënkupton kontroll të drejtpërdrejtë të shtetit nga një grup i vogël ekonomik, në vendin tonë, situata është më hibride, sepse në realitet kemi një ndërthurje të fortë mes politikës dhe biznesit, por jo gjithmonë një kontroll të qartë dhe të centralizuar si në modele të tjera post-komuniste.
Megjithatë, ajo që mbetet konstante është ndjesia e një sistemi që prodhon tension, që prodhon pasiguri dhe shpesh prodhon mungesë besimi tek institucionet.
Ky është “tritoli” i vërtetë. Jo vetëm korrupsioni apo ndikimi ekonomik, por cikli i vazhdueshëm i krizave që pengon ndërtimin e një shteti të qëndrueshëm dhe funksional.
Vëndi ynë sot ndodhet në një udhëkryq.
Nga njëra anë, është aspirata për integrim europian që kërkon standarde të larta demokracie dhe shteti ligjor, nga ana tjetër, trashëgimia e një tranzicioni të gjatë dhe të vështirë që vazhdon të ndikojë realitetin politik dhe ekonomik.
Ajo që këto tre dekada kanë treguar, është se ndryshimet në vendin tonë nuk vijnë vetëm nga rotacioni politik, por nga ndërtimi i institucioneve të forta dhe ndarja reale e pushtetit nga interesat private.
Përndryshe, “tritoli” do të mbetet i pranishëm si një kancer, herë i heshtur, herë shpërthyes në themelin e jetës publike shqiptare.








