Telefoni i “penduar” i bashkiakut të Tiranës, “kryeinceneratori” që djeg i fikur
Vetëm me Donald J. Trump, do të kemi një botë më të sigurt, një të ardhme pa kërcënimin e armëve të shkatërrimit në masë
Shkruan Nga Halil Teodori
Situata e sotme globale, e rënduar nga konflikti në Ukrainë dhe rivaliteti midis fuqive të mëdha, ka risjellë frikën e përdorimit të armëve të shkatërrimit në masë. Rusia, me arsenalin e saj bërthamor të madh, po sfidon rendin ndërkombëtar, ndërsa vende të tjera si Kina, Anglia, Franca, Izraeli dhe Irani po pozicionohen me strategji të ndryshme, shpesh duke bërë demonstrime force. Kjo sjell një pyetje të madhe:
A është Donald J. Trump lideri i vetëm që mund ta shpëtojë botën nga kërcënimi bërthamor?
Është për t’u marrë në konsideratë tradita e liderëve amerikanë, vendosmëria dhe garancia e të cilëve ka shmangur luftëra dhe devijuar konflikte me pasoja globale.
Mund të pohojmë se Trump ka treguar aftësi për të negociuar drejtpërdrejt me liderë të fuqishëm, si Kim Jong-un dhe Vladimir Putin. Megjithatë, suksesi i këtyre përpjekjeve është i debatueshëm. Për shembull, bisedimet me Korenë e Veriut nuk çuan në një çarmatim real bërthamor, dhe marrëdhëniet me Rusinë mbetën të tensionuara.
Armët bërthamore janë një çështje globale që kërkon bashkëpunim midis fuqive të mëdha. Marrëveshjet historike të kontrollit të armëve, si Traktati INF apo START, janë arritur përmes diplomacisë shumëpalëshe. Në këtë kuptim, as Trump, as ndonjë lider tjetër nuk mund ta zgjidhë këtë problem i vetëm. Por ajo që Trump ofron në këtë skenë të madhe është se ai shquhet për vendosmëri dhe këmbëngulje, shpesh sipas mënyrës së tij, e cila ka provokuar debate dhe futur zhvillimet globale në një rrjedhë të re zhvillimesh, një prej të cilave zgjimi i Evropës dhe Britanisë të rikonsiderojnë rritjen ponenciale të buxhetit të armatimit.
Mënyra se si Trump po qaset t’i imponohet zhvillimeve globale, diplomatike dhe politike, nga njëra anë po zgjon militarizimin, nga ana tjetër përzgjon Evropën nga apatia. Në fokus të kësaj emergjence është fuqizimi i mbrojtjes bërthamore me zgjerim të hartës së koracës që garanton siguri.
Kujtojmë se gjatë mandatit të tij, Trump e tërhoqi SHBA-në nga disa marrëveshje kyçe, si Marrëveshja Bërthamore me Iranin (JCPOA), gjë që mund të ketë kontribuar në rritjen e tensioneve. Për këtë arsye, disa analistë argumentojnë se qasja e tij e njëanshme mund të ketë sjellë më shumë paqartësi sesa stabilitet.
Në histori, siguria globale nuk ka qenë kurrë e garantuar nga një lider i vetëm, edhe pse për hir të së vërtetës, sot ai që po luan gurët në fushën globale të shahut është Trump, me qasje për të treguar vullnet dhe forcë në përmbushjen e këtij synimi.
Kujtesa na sjell në vëmëndje se Franklin D. Roosevelt, Winston Churchill, Ronald Reagan, Mikhail Gorbachev, të gjithë kanë luajtur rol të madh në stabilitetin ndërkombëtar, por gjithmonë brenda një ekuilibri më të gjerë politik. Trump ndoshta po luan ndryshe, sepse edhe bota ka ndryshuar, por kreu i Shtëpisë së Bardhë do të vijojë të luaj rolin e gardianit të sigurisë bërthamore të botës, nëpërmjet nevojës për një botë që në përpjekjen për të fuqizuar mbrojtjes, po punon për paqen.
Si President i Shteteve të Bashkuara (2017-2021), Trump ndoqi një qasje të veçantë ndaj çështjeve globale të sigurisë dhe dukshëm ai po ndjek të njëjtat linja, madje po i fuqizon ende.
Dialogu me Liderët Autoritarë
– Ai vendosi marrëdhënie të drejtpërdrejta me udhëheqës si Vladimir Putin dhe Kim Jong-un, duke preferuar diplomacinë personale mbi kanalet tradicionale diplomatike. Kjo strategji pati sukses të pjesshëm në uljen e tensioneve me Korenë e Veriut, por nuk prodhoi rezultate afatgjata.
Administrata e tij u tërhoq nga Marrëveshja Bërthamore e Iranit (JCPOA), duke e lënë Teheranin të pakontrolluar në përparimet e tij bërthamore. Kjo lëvizje u kritikua si një rrezik për stabilitetin global.
Presioni mbi NATO-n
– Trump kërkoi që aleatët e NATO-s të rrisnin kontributet financiare, duke ngritur shqetësime për angazhimin e SHBA-së në mbrojtjen kolektive. Kjo krijoi pasiguri te partnerët e Evropës Lindore, përfshirë Ukrainën.
Marrëveshjet e Reja me Rusinë
– Edhe pse Trump kishte një qasje më të butë ndaj Moskës, administrata e tij nxiti tërheqjen nga Traktati INF (Intermediate-Range Nuclear Forces), një marrëveshje kyçe për kontrollin e armëve midis SHBA-së dhe Rusisë.
A mund ta pastrojë botën Trump nga armët bërthamore?
Ndërsa Trump ka treguar prirje për të negociuar me liderë të fuqishëm, një çështje aq komplekse sa çarmatimi bërthamor kërkon më shumë se diplomaci personale. Për të pastruar botën nga armët bërthamore, nevojiten:
Angazhim i përhershëm ndërkombëtar. Një lider i vetëm nuk mund të arrijë një objektiv kaq të madh pa përfshirjen e fuqive të tjera globale.
Rifreskim i marrëveshjeve ndërkombëtare.
Traktate si START dhe INF duhet të forcohen, jo të braktisen.
Siguri teknologjike dhe strategji afatgjata. Kontrolli i armëve kërkon qasje të avancuar në teknologji dhe mekanizma mbikëqyrës të besueshëm.
Megjithëse Donald J. Trump mund të ketë aftësinë për të krijuar një diskurs ndryshe dhe për të nxitur dialog me liderët botërorë, ai mund të mos jetë faktori i vetëm që mund të garantojë sigurinë ndaj armëve të shkatërrimit në masë. Problemi kërkon një strategji të gjerë globale, ku bashkëpunimi mes fuqive të mëdha, përfshirë SHBA-në, Rusinë, Kinën dhe organizatat ndërkombëtare, është thelbësor.
Rreziku i përshkallëzimit bërthamor është real dhe kërkon një përgjigje të koordinuar nga të gjitha vendet. Historia na mëson se asnjë lider nuk mund të veprojë i vetëm për të garantuar paqen globale, por politika e mençur dhe diplomacia e qëndrueshme mund të ndihmojnë në uljen e tensioneve dhe në sigurimin e një bote më të qëndrueshme.
Gjithsesi, duhet pohuar dhe është e vërtetuar tashmë edhe nga historia dhe faktet që shkruajnë faqet e saj, se SHBA, ka qenë dhe do të mbetet një prej aktorëve dhe faktorëve përcaktues për fatin e sigurisë bërthamore të botës. Një potencial i kapaciteteve të tilla, diplomatike, ekonomike dhe ushtarake si SHBA, ka kapacitetet për të përcaktuar rregulla loje dhe për të imponuar atë që burokracitë dhe skepticizmi nuk e lejojnë të shndërrohet në faktor.
Zhvillimet ku Trump ka futur Amerikën dhe botën, janë të fuqishme, të tilla sa të mendosh se riardhja e tij në Shtëpinë e Bardhë është shoqëruar me një erë të re të botëkuptimit politik, diplomatik, ekonomik dhe ushtarak. Ai erdhi me hapa të rëndë në skenën globale dhe me vendosmëri të patundur për të këputur fijet që mbanin lidhur struktura abuzive. E ardhmja e afërt garanton jo vetëm një fuqizim ekonomik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, një rikonsiderim të rolit të superfuqisë, por edhe futjen e politikës dhe diplomacisë në shinat e gjetjes së dakordësive për një të sotme më të sigurt dhe një të ardhme pa kërcënimin e armëve bërthamore.
Arrestimi i Erion Veliaj, një ‘gur prove’ për besueshmërinë e SPAK
Shkruan Blerina Gjoka
Brenda një kohe të shkurtër, besimi i publikut tek Prokuroria e Posaçme u rrit me 10 pikë, sugjeron Barometri i realizuar nga Datacentrum për Euronews Albania, rritje që autorët e sondazhit e lidhin me arrestimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Sipas Barometrit të publikuar të mërkurën me një kampionim të rastësishëm në të gjithë vendin dhe me 1600 intervista ballë për ballë, 52.1 për qind e të pyeturve treguan besim tek SPAK, nga 42.2 përqind sipas barometrit të kryer në janar të këtij viti.
Ndërsa pyetjes si e vlerësonin punën e kësaj strukture iu përgjigjen pozitivisht 70.7 përqind e të anketuarve, duke e vendosur SPAK-un në krye të institucioneve ku shqiptarët kanë më shumë besim.
Sondazhi u krye me tematikën “Besimi tek institucionet – SPAK vlerësimi punës” dhe sipas Blendi Çekës nga Datacentrum, synimi ishte për të matur si kishte ndikuar tek besueshmëria në këtë strukturë të drejtësisë arrestimi i kryebashkiakut Veliaj.
“Ky është fakt i jashtëzakonshëm dhe i rëndësishëm në diskursin politik,” tha Çeka, duke shtuar se barometri bën të njëjtat pyetje në 2 vite e gjysmë për të kuptuar evolimin dhe humorin e shoqërisë në raport me SPAK.
“Këtë radhë ka qenë rritja më e shpejtë dhe më e madhe, sepse ka qenë 10 pikë rritje në çdo tregues,” shtoi ai, duke krahasuar me një rritje të lehtë në sondazhet e mëparshme.
Çeka beson se arrestimi i Veliajt ka qenë pikë thyerje dhe tregues i fortë për këtë ndryshim. Gjithashtu ai beson se sulmet e kryeministrit Edi Rama ndaj SPAK pas arrestimit të Veliajt kanë ndikuar tek perceptimi i votuesve të Partisë Socialiste, duke ulur besueshmërinë e tyre tek kjo strukture me 7 pikë, nga 83% në 74.9%.
Nga ana tjetër, gjetjet sugjerojnë se votuesit e PD-së kanë rritur vlerësimin pozitiv me 28% nga janari në shkurt.
Qëndrimi i Ramës dhe mazhorancës pësoi luhatje të forta brenda dy javësh që nga arrestimi i Veliajt. Rama nisi me sulme direkte ndaj prokurorit dhe gjyqtarit të çështjes së Veliajt, për t’u zbutur më pas me ato që ai i quan “kritika konstruktive” dhe deklarime për respekt për punën e kreut të SPAK të enjten.
Edhe për analistët e politikës, arrestimi i kryebashkiakut të Tiranës ka ndikuar në rritjen e besueshmërisë ndaj Prokurorisë së Posaçme.
“Kjo konsiderohej si provë e pavarësisë së SPAK,” thotë Fatos Lubonja për BIRN, duke sugjeruar se ka një tentativë për rritjen e pavarësisë të SPAK.
“…Dhe jemi në një pikë ku, ose do të rritet e fuqizohet kjo pavarësi, ose do të eliminohet dhe do të merret nën kontroll nga mazhoranca, sepse ajo ka pushtetin,” shtoi ai.
Lubonja beson se në rritjen e besueshmërisë ka ndikuar dhe sjellja e liderëve politikë.
“Ka ndikuar reagimi i parë i egër i Ramës dhe një deklaratë e Berishës që SPAK ‘ka dalë jashtë çdo kontrolli’, e cila u duk sikur i shkeli syrin Ramës që do e fshijmë SPAK,”tha ai.
Për Lubonjën ka një kontradiktë në qëndrimet e opozitës ndaj SPAK, sepse sipas tij, “nga njëra anë bazon luftën e saj politike në disa arrestime që ka bërë SPAK, por nga ana tjetër mbetet problemi që kjo strukturë është përdorur për të eliminuar liderët e opozitës”.
Sipas Lubonjës, të dyja këto qëndrojnë dhe në këndvështrimin e tij, “SPAK ka një pavarësi relative që ndoshta lidhet me përgjegjshmërinë më të madhe të disa individëve aty”.
Votuesit e Partisë Socialiste vijojnë të kenë besim tek SPAK pas arrestimit të atij që konsiderohej si numri dy i kësaj partie dhe pasardhës i Ramës, por gjithsesi, sondazhi tregon se besueshmëria ka rënë nga janari në shkurt.
Sipas Arbër Hitaj, gazetar i Report.tv, kjo rënie lidhet në përgjithësi me mosgoditjen e SPAK në radhët e opozitës.
“Mosgoditja ligjore e asnjë eksponenti të ish- qeverisjes para 2013 në përmasën që po goditet e majta ka ndikuar uljen e besueshmërinë në kahun e majtë,”tha Hitaj, ndërsa ngre pikëpyetje për mënyrën se si ndikon kjo besueshmëri e madhe e publikut tek vetë puna e SPAK.-ut.
“Sondazhet tregojnë se ka një qasje për drejtësi kolektive që kënaqet me arrestime dhe kjo është deri diku e justifikueshme, drejtësia ka munguar prej vitesh. Por a është kthyer ky besim në trysni e zell më të madh nga ana e hetuesve të SPAK për të tejkaluar procedurat dhe për të ushqyer këtë dëshirë” pyet Hitaj, ndërsa përgjigjet: “po, shenjat janë të qarta”.
Pavarësisht arrestimit për korrupsion të ish-presidentit Ilir Meta dhe hetimit të ish-kryeministrit Sali Berisha, Hitaj pretendon se “është problematike” që puna e SPAK nuk shtrihet përtej vitit 2013, kur Partia Socialiste erdhi në pushtet. Ai thekson gjithashtu se përtej partive politike, SPAK-u nuk duhet të ndikohet edhe nga opinioni publik.
“Mendoj se SPAK duhet të jetë i ftohtë nga trysnia e opinionit publik dhe ndaj politikës,” përfundoi ai.
SPAK kerkoi arrestimin e Taulant Balles ne Parlament? Vjen reagimi urgjent i SPAK: Ja cfare po ndodh
SPAK ka mohuar lajmet që po qarkullojnë se ka kërkuar në Kuvend heqjen e imunitetit për dy deputetë, një të Partisë Socialiste dhe një të Partisë Demokratike.
Ky fakt është konfirmuar nga Prokuroria e Posaçme për emisionin “Opinion”. Po ashtu gazetari Blendi Fevziu lexoi nga studio edhe reagimin e Kuvendit, që thotë që nuk ka mbërritur asnjë kërkesë nga SPAK deri më tani.
“Qarkullonte lajmi se SPAK-u ka dërguar kërkesën për heqjen e mandateve, pra po e quaj të imunitetit të dy deputetëve, një të PD-së dhe një të PS-së në parlamentin shqiptar. Stafi im është interesuar zyrtarisht, të paktën këtë më thonë tani. SPAK mohon që të ketë dërguar kërkesë.
Lajmi që po qarkullon se në Kuvend është dërguar kërkesë për heqjen e imunitetit/mandatit të filanit dhe filanit është “fake news”. Gjithashtu Kuvendi thotë që nuk na ka mbërritur asnjë kërkesë nga SPAK deri tani. Ky është konfirmimi zyrtar nga dy institucionet”, tha Blendi Fevziu në studio.
“Ka ardhur LaCivita, Rama nuk qesh më”/ Bushati-Nokës: Kryeministri ju ka grirë votat e diasporës, jeni 70-30!
Flamur Noka thotë se opozita do t’i fitojë zgjedhjet, pasi për këtë po punon edhe strategu i fushatës së Trump, Chris LaCivita.
I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, Noka refuzoi idenë se zgjedhjet pak a shumë janë mbyllur dhe i ka “rregulluar” Edi Rama.
Biseda:
Andi Bushati: Ai ju ka grirë që tani votat e diasporës, jeni 70-30 në diasporë…
Flamur Noka: Kini durim ju…
Andi Tela: Po thua që ai nuk do të ketë mundësi të vjedhë dhe manipulojë?
Flamur Noka: Edi Rama, sot e ke vënë re, që kur ka zbritur LaCivita i ka rënë hija e vdekjes?
Ylli Rakipi: Pra fitoni me LaCivita…
Flamur Noka: Kishte një Edi Ramë që qeshte..
Ylli Rakipi: LaCivita ju rrëmbeu ndonjë para dhe ikën, ju po menduat që fituat me këtë…
Ergys Mërtiri: Duke bërë koalicion me këta, përcillni publikut idenë se na duhet edhe vota e Gjuzit.
Flamur Noka: Edhe vota e atyre që nuk takoj dot unë. Çdo votë e tyre është votë djerse dhe dinjiteti dhe jo votë hajdutësh. Këta nuk janë hajdutë dhe kriminelë.
VEPRA E PLOTË e FROJDIT në SHQIP doli nga shtypi

Arben Çokaj, 6 mars 2025
Në tavolinën time të punës, para kompjuterit, kam kopjen e parë, që mora sot nga botuesi Meritan Spahija, Fiorentia – Shkodër, të Vepra e plotë e Frojdit në shqip, me 990 faqe përkthim nga anglishtja.
Jam i gëzuar që kjo punë e madhe arriti të materializohet me një vepër të tillë, kjo për arsye personale, por edhe më gjerë, për lexuesit. Vepra nga nesër e mbrapa do të botohet e shpërndahet në disa librari të vendit, shpresoj edhe në Kosovë.
Si i hyra përkthimit të Frojdit?
Duke qenë që Frojdi nuk është i përkthyer aq mirë në shqip, ka disa libra me temat kryesore të trajtuara prej tij, por janë libra të ndarë, dhe nga ato vepra jam njohur edhe unë kryesisht me veprën e tij. Kam përkthyer në shqip në fakt ato libra që kam lexuar, por edhe disa pjesë më shumë, gjithsejt 6 libra me temat më kryesore të Frojdit, duke menduar se Vepra e Frojdit i duhet dhe i shërben edhe shqiptarëve, dhe për më tepër Frojdi me sa kam parë, nuk njihet nga shqiptarët, është i keqkuptuar ose njihet sipërfaqësisht. Nuk e di as sa e përdorin profesionistët e fushës së psikologjisë te ne, se në Gjermani e përdorin psikanalizën për psikoterapi. Prandaj, mendoj se përkthimi im i shërben lexuesve shqiptarë, që ta njohin më mirë veprën e Frojdit, e të përfitojnë prej saj.

Sa i duhet Frojdi shoqërisë sot?
Ka disa kohë, muaj, ndoshta më shumë se një vit, që në diskutime të ndryshme në rrjetet sociale, ndeshem me kundërshti, edhe nga njerëz të lexuar të letrave shqipe. Nuk habitem shumë por them, ata ose nuk e njohin Frojdin, ose e njohin shtrembërt, sipërfaqësisht, ose për t’ia lënë ekspertit të psikanalizës përgjigjen: pavetëdija e tyre po bën kundërshti në lidhje me Frojdin e veprën e tij. Një autor shqiptar me banim në Gjermani, Lis Bukuroca thotë se teoria e Frojdit ka rënë, ndërsa studiuesi i njohur Prend N. Buzhala thotë se Frojdi është iracional. Edhe një mik i imi, poet i njohur shqiptaro – amerikan, duket se nuk ka një njohje të mirë të veprës së tij. Kuptohet se jetohet edhe pa e njohur veprën e Frojdit, por mirë është të njihet.
Kemi pasë diskutime me shkrim e debate të ndryshme rreth kësaj. Unë i qëndroj idesë time, Frojdi është një vlerë e pamohueshme e shoqërisë sonë, Vepra e tij rrit kuptueshmërinë për mënyrësn se si njerërzit mendojnë, për zhvillimin e psikikës shoqërore ndër shekuj që në lashtësi, dhe mendoj se ajo vepër i duhet njerëzimit, dhe shqiptarëve, dhe njerëzit mund të emancipohen e kuptojnë më shumë prej saj.
Nëse i hyn leximit të 990 faqeve të përkthyera nga unë në këtë vepër, në varësi të dijes që mund të ketë lexuesi, 30-60% e sasisë së materialeve të trajtuara në këtë vepër mund të shërbejë në përmirësimin dhe emancipimin e dijes dhe informacionit, që secili lexues ka dhe përfiton nga leximi i kësaj vepre madhore në shqip.
Lis Bukuraca më tha se kishte përvojë rreth 40 vjeçare me gjermanishten, është përkthyes në Gjermani, por nuk merrte guximin t’i hynte një përkthimi të tllë, e ndonëse më uronte suksese, ai ishte skeptik, si kam guxuar unë ta marr përsipër një përkthim të tillë? Unë në fakt kam bërë një gabim të lejueshëm, vepën e kam përkthyer nga anglishtja (jo nga gjermanishtja), të cilën e njoh më mirë se gjermanishten dhe besoj se në mbi 95% e sasisë së volumit të përkthyer është korrekte dhe përkthimi është i mirë – për të mos thënë përkthimi më i mirë i mundshëm në shqip. Atëherë a duhet të na frenojë nga përkthimi mungesa e perfeksionit?
A ka gabime/defekte në këtë përkthim?
Po, besoj se po, se gabimet janë njerëzore. I përfshirë në një punë voluminoze, me qëllim për ta kryer sa më shpejt, me metodat e reja të përkthimit e ndihmën e përkthyesve automatikë, leximi e rileximi, mundet se ndodhë që në raste të caktuara mund të ketë ndonjë gabim të mundshëm, ose përkthimi mund të ishte bërë më cilësor, më me kujdes. Gjë që mbetet për t’u rishikuar në edicionet e ardhshme, drejt perfektes, duke e rilexuar edhe një herë veprën, por edhe nga sugjerimet e lexuesve të tjerë, që i mirëpres, puna jonë mund të vijë vetëm drejt përmirësimit.
Por gabimet e defektet në përkthim, janë me siguri minore, dhe nuk ia ulin vlerën dhe dimensionin kësaj vepre të madhe, e besoj se secili lexues, që e lexon këtë vepër, në fund do të thotë Uaaauuu!, për informacionin e gjërat, që ka marrë e mësuar, se e shikon, që nuk i ka ditur më parë, duke përfshirë këtu, me siguri të plotë edhe kritikët e Frojdit, Lisin e Prendin, etj., padyshim. Unë kur e shkruaj edhe këtë shkrim këtu, e shoh se bëj ndonjë gabim ortografik e kur e rilexoj, e përmirërsoj. Kështu që gabimet e mundshme, mund të përmirësohen padyshim edhe në veprën e përkthyer.
Shkrimtari i njohur nga Kosova, Anton Nikë Berisha, në një komunikim miqësor me të, më tha se Frojdi është një personalitet i madh, dhe do guxim të madh për ta përkthyer atë. Mos shiko tjerët çfarë thonë – tha ai ndër tjera. Dhe mendoj se ka të drejtë.
Ju nuk duhet ta prezentoni Zigmund Frojdin për këdo – thotë Tobias Hürter, psikanalist gjerman në shkrimin e tij:
Kush jam unë? Kush je ti? – sqarime sipas teorisë së Frojdit
Duke i marë kritikat me rezervë, unë mbaj përgjegjësi për veprën time, përkthimin tim, për tjerat mban përgjegjësi kryemjeshtri dhe krijuesi i Psikanalizës, Zigmund Frojd, gjithmonë nëse përkthimi im është bërë korrekt nga versioni në anglisht, që kam marrë për bazë.
Versionin e Veprës së plotë në anglisht të Frojdit, me 5102 faqe, e kam marrë me kohë dhe pasi e kisha përfunduar përkthimin, gjeta edhe versionin plotë të Veprës së Frojdit në gjermanisht, me 2258 faqe, të cilës nuk i jam referruar ende. Në versionet e ardhshme të shqipes, me siguri që rishikimi i përkthimit tim, dhe i versionit në gjermanisht, mundet me sjellë ndonjë përmirësim relativ të veprës në shqip, por mendoj se esenca e veprës së Frojdit, gjendet padyshim në përkthimin e tanishëm, që e keni tashmë në dorë dhe mund ta bëni edhe tuajin.
Frojdi i keqkuptuar
Një mik i imi – poet i njohur shqiptaro – amerikan, më tha një herë: “kush është Frojdi?!”. Ndoshta e kishte idenë se edhe ai është i madh, jo vetëm Frojdi. E kam studiuar Frojdin në shkollë – tha, dinte për termat ID, EGO e SUPEREGO, por nga ana tjetër, njohja e tij më dukej se ishte sipërfaqësore rreth veprës së Frojdit.
Tani që libri është në shqip, jam i sigurtë se e kupton më mirë Frojdin, nga sa ka lexuar e kuptuar në anglisht. E nuk besoj se ai do të pyesë më, pas leximit: kush është Frojdi?
Një tjetër intelektual shqiptar, që nuk e ka kuptuar Frojdin si duhet, është Lis Bukuroca. Ai thotë se teoria e Frojdit ka rënë. Por nëse në disa raste zbulimet e Frojdit janë tejkaluar, psikanaliza si fushë e Psikoterapisë vazhdon të përdoret si metodë më e thellë në trajtimin e njerëzve. Pra nëse diçka nga Frojdi është tejkaluar, metoda psikoanalitike që ai themeloi vazhdon të përdoret ende nga profesionistët e fushës. Meqë Lisi e ka kexuar Frojdin në frëngjisht e gjermanisht, e nuk e ka kuptuar, ai ka dy zgjedhje: 1. Ose të jetojë pa e kuptuar Ftojdin, 2. Ose ta blejë përkthimin tim dhe ta kuptojë atë e të kuptojë gjithashtu se Frojdi nuk ka rënë, por ia vlen!
Ndërsa studiuesi Prend N. Buzhala e ka lexuar Frojdin para meje, në serbo-kroatisht e duket se nuk e ka kuptuar si duhet në kohën e tij. Në diskutime me të, Prendi i referohej më shumë kritikëve të Frojdit, që nuk janë pak, prandaj psikoanalisti më sipër thoshte: nuk i prezantohet Frojdi gjithkujt. Se nuk e kuptojnë. Unë nuk besoj se miqtë e mi këtu e të tjerë shqiptarë, janë të paaftë ta kuptojnë Frojdin, më të paaftë se unë, por mendoj se nuk e kanë lexuar veprën e tij si duhet. Prandaj, unë me këtë vepër të përkthyer në shqip kam një mundësi të mirë për t’i bindur ata, se Frojdi vlen, është i dobishëm dhe është mirë e emancipim i një njeriu të lexojë dhe të dijë rreth tij e veprës së tij!
Ju uroj një lexim të këndshëm. Dhe për çdo gabim eventual në përkthim, ju lutem më infrormoni, që gjërat të bëhen edhe më mirë se deri tani! Se po dëgjuam Lisin, mbesim edhe pa Frojdin, edhe pa përkthime cilësore! 🙂
Gjendja shëndetësore e papa Françeskut, e qëndrueshme
Papa Françesku ka kaluar edhe një natë në spital pa komplikime të reja, sipas një njoftimi nga Selia e Shenjtë.
”Nata kaloi e qetë. Papa është ende duke pushuar”, thuhet në deklaratë.
Vatikani nuk dha më shumë informacion mbi gjendjen shëndetësore të 88-vjeçarit.
Kreu i Kishës Katolike ndodhet i shtruar në spitalin ”Gemelli”, në perëndim të Romës, prej gati tre javësh.
Papa Françesku vuan nga pneumonia, e cila ka prekur të dyja mushkëritë.
Ai ka pasur disa episode të dështimit akut të frymëmarrjes dhe mban një maskë në gojë dhe në hundë për ventilim mekanik gjatë natës.
Mjekët janë shumë të përmbajtur nga dhënia e një prognoze për zhvillimin e gjendjes së Tij shëndetësore.
Përzgjidhet si pasuese e Zelenskyt?! Rishfaqet “Princesha e gazit”, Trump bisedime sekrete me Yulia Tymoshenko
Katër anëtarë të lartë të rrethit të Donald Trump kanë zhvilluar diskutime sekrete me disa nga kundërshtarët kryesorë politikë të Volodymyr Zelensky.
Burime diplomatike për revistën prestigjioze, Politico, bëjnë me dije se aleatët e lartë të Donald Trump, zhvilluan bisedime me lideren e opozitës ukrainase, Yulia Tymoshenko, ish-kryeministre ambicioze dhe anëtarë të lartë të partisë së Petro Poroshenko, paraardhësi i Zelensky si president.
Burime për Politiko bëjnë me dije se, diskutimet u përqendruan në faktin nëse Ukraina mund të zhvillojë zgjedhje të shpejta presidenciale. Këto po vonohen në përputhje me kushtetutën e vendit sepse Ukraina mbetet nën ligjin ushtarak.
Kritikët e mbajtjes së zgjedhjeve thonë se ato mund të jenë kaotike dhe të luajnë një rol për Rusinë. Aq më tepër që shumë votues të mundshëm shërbejnë në vijën e parë të frontit ose jetojnë jashtë vendit si refugjatë.
Ndihmësit e Trump janë të bindur se Zelenskyy do të humbiste çdo votë për shkak të lodhjes së luftës dhe zhgënjimit të publikut për korrupsionin e shfrenuar.
Në të vërtetë, vlerësimet e tij në sondazh kanë qenë në rënie prej vitesh, megjithëse ato janë rritur pas debateve të javës së kaluar në Zyrën Ovale, kur udhëheqësit ukrainas iu tregua dera pasi u qortua nga Presidenti Donald Trump dhe Zëvendëspresidenti JD Vance. Sondazhi më i fundit tregon se Zelenskyy është ende i qetë përpara në garën për presidencën.
Rivali më i afërt i Zelenskit, duke e lënë pas atë me më shumë se 20 pikë përqindjeje, është Valery Zaluzhny, ish-komandant ushtrie, i cili tani është ambasador i Ukrainës në Britani.
Vetëm 10 për qind mbështetën Poroshenkon, i cili njihet si Mbreti i çokollatës për shkak të perandorisë së tij të ëmbëlsirave. Timoshenko mori vetëm 5.7 përqind mbështetje.
Si Timoshenko ashtu edhe Poroshenko kanë kundërshtuar publikisht mbajtjen e zgjedhjeve përpara përfundimit të luftimeve, ashtu si edhe kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko.
Erion Veliaj nga burgu: Armina, nona për mbathje transparente, Ajola ishte duke qarë
Përmes një postimi në “Facebook”, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar sërish nga qelia, duke kritikuar ashpër procesin ndaj tij dhe duke ironizuar hetimin e prokurorisë, ndërsa ka shtuar në postimin e tij se “Amina është nona për mbathje transparente”.
Ai e cilësoi si absurd justifikimin e gjykatës për ta lënë në paraburgim, duke thënë se nuk përbën as rrezikshmëri shoqërore, as ka tentuar të largohet nga vendi apo të ndikojë në provat e hetimit.
Në postimin e tij, Veliaj akuzon hetuesit për metoda të padrejta, duke përmendur një episod ku e shoqja e tij u thirr me një mesazh në WhatsApp, për t’u paraqitur në SPAK gjatë pushimeve të fundvitit.
Ai ironizon faktin që një zyrtar i SPAK, ka pretenduar se është ndjerë “i intimiduar” nga një mesazh i tij, ndërsa në të njëjtën kohë, ai ka vijuar punën në Bashkinë e Tiranës pa asnjë pengesë.
“Shteti me Uacap”
Mirëdita e veç mbarësi për secilin prej jush, sidomos ata që agjërojnë. Zoti ua pranoftë!
Por, meqë shejtani nuk merr pushim, detyrohem edhe unë të luftoj përditë me mexhelisin social, nga burgu ku jam kyçur pa gjyq, prej një letre anonime, një vetingu ilegal të 20 vjetëve jetë, pa asnjë akuzë formale dhe falë një prokurori lunatik e një gjykatësi politik.
Ju tregova 3 shtyllat patetike për burgosjen time: As kam ikur nga Shqipëria. As kam prishur prova. As përbëj rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Argumenti i fundit, por edhe më i dëshpëruari i Ols Dados është tekstualisht ky, shkruar nga dështaku violinist dora vetë (fq 277): “Sjellja e shtetasit Erion Veliaj, kur bëhet fjalë për komunikimin e përdorur me hetuesit e BKH-së dhe “kurajon” e shfaqur për t’i lënë të shkruara mesazhet e tij intimiduese në adresë të organit procedues, dëshmon qartë personalitetin e këtij të fundit”.
Në fq 361 “copy&paste” këtë e rithotë edhe Erjoni tjetër, kasapi Bani, për të arsyetuar lënien time në burg pa akuzë zyrtare. Se që ta dini ju, copy&paste është e gjithë dosja: ça shkruan prokurori, e noterizon gjykatësi, pa marrë as mundimin ta perifrazojë dhe këta të dy i lidh edhe literalisht Partia Demokratike.
Po sa turp ama, për jurisprudencën!
Lejomëni ta zbërthej pak këtë arsyetim sigurimsash: Në datën 28 dhjetor udhëtoj për takim me Bankën Botërore në Uashington. Në nisje të avionit, më merr bashkëshortja, e shqetësuar se njëfarë Samet Gurguri, emër i panjohur me numër të panjohur, e kishte ftuar të kthehej edhe një herë në SPAK, ku kishte qenë më parë për 9h e 30 min deri në kufijtë e ezaurimit fizik e mendor, përballë fustanxhiut Ols Dado.
Në gjendje të rënduar psikologjike, nën mjekim dhe mes lotësh, e vetme me djalin, më thotë se është totalisht e panikosur, që ditë të shtunë, një ditë pushimi në vigjilje të Vitit të Ri, e gjendur edhe në mes të një sulmi histerik hienash të gjirizave politikë e mediatikë, i thuhet me një sms nga një i panjohur hajde sërish në SPAK!
Po unë? Besoj bëra atë që do të bënte çdo burrë, i rashë telefonit të numrit anonim për të kuptuar se cili nëpunës shteti komunikon me Whatsap të shtunën në sabah me një grua, nënë, në prag të Vitit të Ri? Numri nuk u përgjigj.
Teksa avioni bëhej gati për nisje, duke qenë se u bë e përsëritur, që sapo largohesha nga jashtë vendit, Olsi i sulej familjes sime, i shkruaj me sms këtij Sametit “është ditë e shtunë – sabat, shabat – edhe Perëndia pushoi të shtunën” dhe i kujtoj se është “turp kjo përndjekje e përsëritur e sime shoqeje sapo unë largohem nga vendi, e i them thuaji Ols Dados boll e molestove gruan time”.
Tekstin e plotë e ka Ols Kafka, autori i këtij Procesi absurd, rrëmbyesi i telefonave tanë, që helbete kur s’ka asnjë provë rrëmon si ata perversët në telefona e vrima çelsi.
Pas këtij teksti “të rëndë” rezulton se Samet Gurguri është “intimiduar” dhe i ka kërkuar Olsit të shtojë akuzat e të përligjë burgimin tim (ose Olsi është intimiduar dhe i ka kërkuar adashit tim kasap të më mbyllë brenda se largqoftë hakmerrem me të – kushedi si e ka imagjinuar Olsi hakmarrjen time fatale!).
Po nëse na qenka “intimiduar” kaq shumë, si qenka e mundur që Gurgurit i hapëm derën edhe në 31 Dhjetor, ku erdhi në Bashkinë e Tiranës dhe këqyri dokumente, pa pyetur për rregullat e hyrje-daljeve në një institucion shtetëror, u ul edhe në kompjuterat e stafit dhe kërkoi lloj-lloj informacioni, të cilin e mori një më një? Madje, nga “intimidimi i madh” që i bëra unë, Erioni, me një sms normale, Sameti në 31 Dhjetor qëndroi në Bashki deri në orën 18.00 të pasdites, edhe pse dihet se në ditën e fundit të vitit zonjat e çdo institucioni lihen të lira pak më herët se orari zyrtar për t’u marrë me përgatitjen e darkës së Vitit të Ri. Por, jo! Sameti na ishte kail të qëndronte në Bashkinë e Tiranës edhe për ndërrimin e viteve dhe ne ishim të gatshëm që ta mbanim aty sa të kishte qejf. E nuk besoj se Sameti ta ketë parë këtë lloj respekti as nga koleget e tij në godinën e SPAK.
Ah, i bëra edhe një kërkim në Google këtij Sametit e më doli një specialist në Spital të Fierit, aktivist i Partisë Demokratike, dega Libofshë, dhe komentues i rregullt kundër partizanëve, antifashistëve dhe komunistëve gjakatarë. Unë jam shumë i lumtur që PD-ja ka degë në Libofshë, pluralizmi në çdo cep të Shqipërisë është shenjë e një demokracie aktive. Jam gjithashtu i ngazëllyer që aktivistë si Sameti i japin Partisë së Kënetës kohën, energjinë dhe statuset e tyre – gjaku i ri për kërma si Saliu është jetik për mbijetesën e kufomës së tij politike.
Por, si zyrtar shtetëror, Sameti duhet të çojë një fletë-thirrje, me letër e me vulë, siç ia çon çdo vrasësi – e siç do duhet t’ia çonte edhe plasësit Shkëlzen apo vrasësit Sali. Nuk besoj se Sameti atyre u shkruan “o Sali” ose “o Zeno”, siç më thotë mua “o Erion”. Dhe nuk besoj jo e jo, se e zgjon Arminën apo Lirinë të shtunave në mëngjes, pasi i ka mbajtur nga 9h më parë (s’di t’i ketë thirrur ndonjëherë megjithëse për fondacione jotransparente dhe mbathje transparente janë nona), për t’u thënë “ejani edhe i her knej nga SPAKu”.
Saliu me siguri do e kish djegur të gjallë Sametin në turrën e druve poshtë ballkonit, para se t’i çonte selam me ndonjë dru mbas koke teksa i intimiduari im ishte rrugës për Libofshë. Kurse unë bëra atë që do të bënte çdo burrë e prind normal, për t’i kërkuar të mos i ngacmonte familjen në mungesë, e të mos i dhunonte gruan ditën e pushimit zyrtar para Vitit të Ri!
Por, Sameti ishte një Sali i vogël në atë rrethin e dadove të Saliut të madh, që edhe pse paguhen më shumë se Presidenti i Republikës e kanë katandisur “shtetin me Uacap”.
Përqafime me mall!
Opozita shqiptare thërret protestë kundër censurës dhe mbylljes së Tik Tok me 15 mars para Kryeministrisë
Kryetari i PD, Sali Berisha, ka thirrur një perotestë të të rnjve kundër censurës dhe mbylljes së Tik-Tok nga Rama me 15 mars.
“Ftoj të gjithë gjimnazistët, të rinjtë qytetarët, të marrin pjesë në protestë kombëtare më 15 mars para Kryeministrisë. Kërkohet anulimi i menjëhershëm i vendimit për censurën dhe bllokimin e TikTok. Ftoj prindërit dhe të rinjtë të mos bëhen viktimë e mashtrimit banal e të pacipë të Ramës. Vdekja e vrasja tragjike e Martin Canit në dyert e shkollës nuk kishte asnjë lidhje me TikTok-un. Martini dhe autori nuk kishin llogari në Tik Tok”, tha Berisha.
Berisha ka reaguar në lidhje me vendimin për mbylljen e aplikacionit TikTok.
Në një dalje urgjente për mediat ai ka sqaruar se vendimi është një akt i pastër censure.
I pyetur nga mediat nëse çështja do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese nga Partia Demokratike, Berisha u shpreh se kjo është një çështje që zgjidhet nga të rinjtë dhe përdoruesit e TikTok.

















