Kosovarët më 7 qershor do t’i rikthehen kutive të votimit, pasi është caktuar data e zgjedhjeve të reja në vend.
Kështu, njoftoi u.d. presidentja, Albulena Haxhiu, e cila tha se, bazuar në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi konsiderohet i shpërndarë dhe se në linjë me përgjegjësitë kushtetuese ka zhvilluar takime me përfaqësues institucionalë dhe partiakë për organizimin e procesit zgjedhor.
“Pas dështimit të Kuvendit për të zgjedhur presidentin, bazuar në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi konsiderohet i shpërndarë. Në linjë me përgjegjësitë kushtetuese, kam pritur në takim kryesuesin e KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, me të cilin biseduam për aspektet organizative. Ndërsa sot përmbylla takimin me drejtuesit e partive politike. Ishin të ftuar 17 parti politike, ishin të pranishëm 15 prej tyre. Dëgjova propozimet e partive”, tha ajo.
Haxhiu shtoi se vendimi është marrë pas vlerësimit të afateve dhe nevojave organizative të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
“Pas vlerësimit të afateve, nevojave organizative të KQZ-së, kam vendosur që zgjedhjet të mbahen më 7 qershor. Kjo nuk është ajo që qytetarët kanë dashur, sepse ata presin përbashkim. Po vonohemi në shumë reforma, pa asnjë nevojë. Shumë punë kemi para vetes, dhe nuk e kemi komoditetin për të humbur kohë”, tha Haxhiu.
Edhe partitë politike janë dakorduar që zgjedhjet e reja të mbahen më 7 qershor.








