Kreu Blog Faqe 219

Gjykata Kushtetuese sulmon ndaj SPAK-ut

0

Gjykata Kushtetuese do të tentojë të godasë sërish SPAK-un.

Goditja pritet të vijë për t’i hequr SPAK-ut pjesën e vetingut që ai bën tani pas mbarimit të afatit të vetingut nga komisionet përkatëse.

Prej 3 muajsh SPAK-u bën dhe KPA-në dhe KPK-në, pra vetingun për prokurorë dhe gjyqtarë.

Pas skenarit të parë që ne e raportuam në lidhje me sulmin që po i bëhet për t’i hequr vetingun e brendshëm që bën struktura e SPAK-ut, kjo e përmendur edhe nga zoti Dumani.

“Ne kemi një kontroll të brendshëm për shkak të parashikimit në ligj. Ne nuk kemi qenë të verbër nga organet e vetingut, kemi regjistruar me iniciativë hetime kryesisht për veprën penale të korrupsionit. Janë çështje që i kemi në hetim dhe jemi të kujdesshëm duke bërë filtrime të vendimeve të vetingut”, deklaronte Dumani.

Tani po kërkojnë t’i heqin “KPA”-në. Duan t’i heqin SPAK-ut vetingun që bën për gjyqtarë dhe prokurorët e ngelur në proces. Duan ta godasin SPAK-un në Gjykatën Kushtetuese me të gjitha format.Prandaj dhe po përdoren mediat dhe individë të caktuar për të thënë se SPAK-u ka bërë përgjime të paligjshme, por në fakt përgjimet janë të ligjshme dhe nga ana tjetër si mund të japin anëtarë e Gjykatës Kushtetuese vendim për SPAK-un kur ata në fakt janë palë dhe janë në konflikt të pastër interesi. Për më tepër janë dhe të shantazhueshëm.

Pra, skema është e qartë, duan të godasin vetingun që bën institucioni dhe po ashtu duan të godasin vazhdimin e vetingut nga SPAK-u.

Deri tani askush nuk ka dalë të japë një fakt të vetëm ligjor që SPAK-u të ketë shkelur ligjin, thjesht dhe vetëm hamendësojnë, akuzojnë, kur në fakt SPAK-u ka arrestuar me dhjetëra zyrtarë të korruptuar, ka çuar dhjetëra grupe kriminale, persona me precedentë penalë përballë bankës së të akuzuarve./ CNA

Kurti nuk paraqitet për të dëshmuar në Prokurorinë Speciale: Të vijnë në zyrën time

0

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk është paraqitur as këtë të hënë në Prokurorinë Speciale, ku ishte ftuar për të dëshmuar lidhur me çështjen e rezervave shtetërore. Kjo shënon herën e tretë që Kurti nuk i përgjigjet ftesës së organit të drejtësisë.

Në kohën kur pritej të jepte dëshminë e tij, Kurti ndodhej në Gjilan, ku mori pjesë në ceremoninë për nisjen e punimeve të një çerdheje të re.

Duke komentuar situatën, ai deklaroi se është i gatshëm të dëshmojë, por kërkoi që kjo të ndodhë në Zyrën e Kryeministrit.

“Nëse Prokuroria e ka pasur të rëndësishme dëshminë time, atëherë ata duhet të vinin tek unë. Kjo Prokurori më shumë po e lufton qeverinë sesa krimin dhe korrupsionin,” tha Kurti gjatë vizitës së tij në Gjilan.

Sipas vendimit të Gjykatës Themelore, Kurti ishte i detyruar të paraqitej më 4 mars në Prokurorinë Speciale për të dhënë dëshmi në lidhje me rezervat shtetërore.

Edhe nje socialist në burg, SPAK dërgon për gjykim kreun e Bashkisë Tropojë, Rexhë Byberi

0

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dërguar për gjykim kryetarin socialist të Bashkisë Tropojë, Rexhë Byberi, dhe zëvendësin e tij, Abedin Kërrnaja, të akuzuar për “Shpërdorim detyre” në bashkëpunim.

Kujtojmë se sipas hetimeve ata akuzohen për shpërdorim detyre në lidhje me zbatimin e vendimeve të Këshillit Bashkiak për ndërtimin e rrugëve, duke shkaktuar një dëm prej mbi 277 milionë Lekësh.

Në përfundim të hetimeve Prokuroria e Posaçme, ka vendosur t’i drejtohet me kërkesë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për dërgimin e çështjes në gjyq, në ngarkim të: Rexhë Byberi, Kryetari i Bashkisë Tropojë, i akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimi i detyrës”, (më shumë se një herë), të kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 dhe 25 i K.Penal. Abedin Kërrnaja, Zv/Kryetari i Bashkisë Tropojë, i akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimi i detyrës”, të kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 dhe 25 i K.Penal.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur kërkesën për dërgimin në gjykim të çështjes penale në ngarkim të kryetarit të Bashkisë së Tropojës, Rexhë Byberi dhe Zv/Kryetarit të Bashkisë z. Abedin Kërrnaja, pas përfundimit të hetimeve në kuadër të procedimit penal nr.1 të vitit 2024.

Të pandehurit janë akuzuar për veprën penale “Shpërdorim detyre” (më shumë se një herë), e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 dhe 25 i Kodit Penal.

Nga të dhënat ka rezultuar se i pandehuri Rexhë Byberi, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Tropojë, ka kryer veprime/mosveprime në mospërmbushje të rregullt të detyrës, në kundërshtim me Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 408, datë 13.5.2015 “Për Miratimin e Rregullores së Zhvillimit të Territorit”, gjatë procesit për hapjen e rrugëve, sipas projekteve të miratuara nga Këshilli Bashkiak.

Konkretisht, për kryerjen e punimeve të cituara më sipër, në bazë të VKM-së 408, datë 13.05.2015 (e ndryshuar), për hapjen e një rrugë të re, subjekti i interesuar duhej të aplikonte në sistemin elektronik e-leje pranë Bashkisë Tropojë, si institucioni vendor që ka tagrin të shqyrtojë dhe miratojë lejen e ndërtimit të infrastrukturës, pasi të ketë verifikuar plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm tekniko-ligjor nga aplikuesi siç parashikohet legjislacioni për këto lloj punimesh.

Konkretisht neni 15 i VKM nr. 408, datë 13.05.2015 ( e ndryshuar) ka saktësuar dokumentet tekniko-ligjore që duhen depozituar në sistemin e-leje gjatë aplikimit të kërkesës për leje ndërtimi të infrastrukturës. Gjithashtu, Bashkia Tropojë duhej të bashkëvepronte me institucionet e tjera kompetente për ndërtimin e rrugës si: Agjencia Kombëtare e Mjedisit për hartimin e Raportit të Vlerësimit për ndikimin në mjedis, si edhe me Ministrinë e linjës (parashikuar në sistemin elektronik e-leje), për impaktin e ndërtimit të rrugës së re dhe pasojat e këtyre punimeve të ndërtimit. Ky bashkëveprim parashikohet në nenin 20, pika 6 e VKM nr. 408, datë 13.05.2015 (e ndryshuar).

Rezulton se hapja e rrugëve sipas projekteve të miratuara nga Këshilli Bashkiak është bërë në kundërshtim me aktet ligjore e nënligjore në fuqi duke sjellë një dëm prej 277. 611.520 (dyqind e shtatëdhjetë e shtatëmilion e gjashtëqind e njëmbëdhjetëmijë e pesëqind e njëzet) Lekë.

Bazuar në legjislacionin përkatës në fuqi, në analizën e rrethanave të faktit të provuara, dokumentacionit të administruar, marrjen në pyetje të dëshmitarëve dhe verifikimin me kujdes të çdo detaji, arrihet në konkluzionin se: shtetasi Rexhë Byberi, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Tropojë, në bashkëpunim me shtetasin, Abedin Kërrnaja kanë kryer veprime/mosveprime që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, të kryera në kundërshtim të VKM Nr. 408, datë 13.5.2015 “Për Miratimin e Rregullores së Zhvillimit të Territorit”, për hapjen e rrugëve duke sjellë dëme, në vlerën e përcaktuar nga akti i ekspertimit.

Evidentohen elementë të figurës së veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, të parashikuar nga nenit 248 i Kodit Penal, në ngarkim të pandehurit Rexhë Byberi, i cili ushtronte detyrën kryetarit të Bashkisë Tropojë si dhe te pandehurit Abedin Kërrnaja, i cili ka mbajtur pozicionin Zv/Kryetarit të Bashkisë Tropojë.

Në përfundim të hetimeve Prokuroria e Posaçme, ka vendosur t’i drejtohet me kërkesë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për dërgimin e çështjes në gjyq, në ngarkim të:

Rexhë Byberi, Kryetari i Bashkisë Tropojë, i akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimi i detyrës”, (më shumë se një herë), të kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 dhe 25 i K.Penal.

Abedin Kërrnaja, Zv/Kryetari i Bashkisë Tropojë, i akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimi i detyrës”, të kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 dhe 25 i K.Penal.

Erion Veliaj tallet me gjykatën që e la në burg.‘U bëtë qesharakë’, cilat prova do prish, më keni marrë telefonin dhe lodrat e djalit…

0

Ditën kur u arrestua në zyrë, Erion Veliajt iu mor edhe celulari i tij, të cilin këtë të martë kryebashkiaku i Tiranës, kërkoi ta rimarrë. E njëjta dyshe që e la në burg, Ols Dado e Erjon Bani, ishte pjesë e seancës për ankimimin ndaj sekuestros, ku gjyqtari i posaçëm e rrëzoi kërkesën e Veliajt dhe nuk ia ktheu celularin.

Në një reagim nga paraburgimi i Durrësit, Erion Veliaj thotë se një nga arsyet pse prokurori Dado kërkoi ndaj tij arrest në burg dhe gjyqtari Bani e pranoi, ishte rreziku i prishjes së provave. Me ironi, Veliaj pyet se ku qëndron rreziku i prishjes së provave, kur celularin e tij e ka SPAK të sekuestruar, apo edhe lodrat e djalit të tij dhe ish-makina e vjehrrit Arben Xoxa janë në sekuestro.

Veliaj ndalet edhe në rastin e shtëpisë njëkatëshe në Yrshek për ndërtimin e së cilës aplikoi në bashki kompania Fusha, e që sot mban në burg për korrupsion pasiv Erjon Veliaj dhe me masë biznesmenin Fusha.
Po cilat prova do prish unë? Celularët i ka Olsi. Kanë edhe lodrat e fëmijëve dhe ish makinën e vjehrrit. Ç’a halli kanë? Mos do marr makinën e Ben Xoxës e do e djeg në Fushë-Krujë a Mumajes si mjet i krimit? Do vete në Yrshek të nxjerr fakirin nga shtëpia një katëshe apo do fshij statuset për balerinët e Preljocajt? Ols Dado dhe Erion Bani, ju mendoni se jeni më të lirë se unë në burg, por ju burgun e keni në shpirt e njerëz të lirë nuk keni qenë kurrë”, shkruan Veliaj.

Një ditë më parë Veliaj argumentoi se edhe dyshimi i hetuesit se mund të arratisej nuk qëndronte pasi gjatë fazës që ai po hetohej, udhëtoi 3 herë jashtë vendit, në Gjermani e SHBA dhe u kthye për tu përballur me drejtësinë, kështu që masa sipas tij mund të ishte bllokimi i pasaportës.

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i është drejtuar me ankesë zyrtare Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, duke kërkuar pezullimin dhe hetim disiplinor të Ols Dados me pretendimin se ai po e heton çështjen e tij në konflikt interesi, kërkesa që kanë mbërritur në dy institucionet e drejtësisë e pritet të shihet se çdo të bëhet me to.

Reagimi i plotë i Erion Veliajt

Se mos prishen lodrat!

Më ka marrë malli pa fund për ju të gjithë: Familjen, Tiranën e secilin që bën punë të mira në këtë vend.

Por, gjer sa të shihemi sërish, më duhet të vazhdoj çmontimin e kurthit pse jam në burg: rrezik ikje, prishje provash, rrezik shoqëror.

Dje rrëzova “frikën e ikjes” prej Ols Dados e Erion Banit, pasi kisha ikur 3 herë e isha kthyer 3 herë, teksa gatuhej çarku ndaj meje.

Arsyeja e dytë pse gjykatësi Bani pranoi nga Olsi burg për mua, është rreziku i prishjes së provave. Po cilat prova do prish unë? Celularët i ka Olsi, timin dhe të nja 10 grarive në Tiranë, me të cilët mund të vojerizojë gjithë ditën e gjithë natën, të shohë çdo foto familjare, bebet, kërthizën, dhëmbin e parë, videot e fjalëve të para, fotot me gjyshin e ndjerë në plazh; të gjitha provat e nevojshme për ku e si jetojmë.

Cilat prova do të prish unë?

Kanë edhe lodrat e fëmijëve dhe ish makinën e vjehrrit. Ç’a halli kanë? Mos do vete do formoj legot, e nga traktor do bëj vapor lodër, apo do marr makinën e Ben Xoxës e do e djeg në Fushë-Krujë a Mumajes si mjet i krimit?

Çfarë provash do prish?

Do vete në Yrshek të nxjerr fakirin nga shtëpia një katëshe apo do fshij statuset për balerinët e Preljocajt?

Boll u bëtë qesharakë! Po i thoni miletit se po punove do ta hash, po pate kurajo do dënohesh, po solle progres do të bëjnë gjëmën, po fitove do të të shqyejmë.

Olsi Dado dhe Erion Bani, ju mendoni se jeni më të lirë se unë në burg, por ju burgun e keni në shpirt e njerëz të lirë nuk keni qenë kurrë!

Përqafime të gjithëve!

Pri – marret në PD-tallja e fundit e Sali Berishës me demokratët!

0

Shkruan Azgan Haklaj

Sali Berisha që është qënia grabiqtare e përpunuar nga regjimi komunist për vjedhjen e kauzave të pastra studentore të vitit 1990, këtë vetëm një miop politik e konteston dhe nuk e pranon.
Ky fenomen nuk është okazion i sotëm por një rrugë e mbrapshtë sistematike e tij në krye të Partisë Demokratike.
Ai e përjetësoi hap pas hapi strategjinë e vet me veprime konkrete e skandale që nga marsi i vitit 1992 kur bashkoi në qeverinë e tij ish-komuniste- vullnetarë të Hysni Milloshit të tipit Ridvan Bode.
Studentët liberatorë, jo vetëm u tradhëtuan por nën pushtetin e Sali zullumqarit të gjithë u anashkaluan biles dhe u larguan e emigruan rrugëve të botës.
Të përndjekurit politikë si palca e konservatorizmit dhe qëndresës antikomuniste jo vetëm u injoruan por u arrit deri aty sa në korrik të vitit 1994 i rrethoi ata në selitë e tyre me hordhitë e policisë dhe shik-ut duke i gjakosur si në rastin e Kurt Kolës e Elez Allçit.
Pronat e ish pronarëve ua kaloi biznesmenëve të rinj, ish komunistëve dhe oficerëve të sigurimit të shtetit duke lenë me gisht në gojë ata që u sekuestruan e u përsekutuan për më shumë se 4 dekada.
Edhe sot buçasin lëngimet e tyre të pas vitit ’90-të të udhëhequra nga Rrapo Hajredin Danushi.
Kursimet e remitancat e emigracionit i mblodhi në fondacionet fajdexhije të sudeve për të arritur në kalljen e vendit në vitin 1997-të.
Biografia e zezë e Sali zullumqarit nuk ka të sosur për t’u kthyer në kohët e sotme ku ai me hordhi e banda rrethoi e shkatërroi selinë e simbolet e demokratëve duke i rrëmbyer ato haptazi me dhunë, me mbeshtetjen e Edi Ramës me të cilin realizoë ujdinë e burgosjes së demokracisë me asgjesimin e votës së lirë.
Euro-Atlantizmi si baza e aspiratave tona demokratike u shpërfytyrua duke e futur këtë forcë politike perëndimore në armiqësi deri “non grata” me SHBA-në, aleatin e pazëvendësueshëm për mbijetesën e progresin e Kombit tonë.
Ditari i zi i Sali Berishës ka shumë faqe që tejkalojnë edhe triologjitë Balzakjane për të arritur me dt 1 mars ku e vulosi me primaret e famshme në të cilat demokratët e vertetë e qëndrestarë që ende i besojnë u ndjenë sërish të zhgënjyer e tradhëtuar dhe me të drejtë po i nominojnë si pri-marre(turp)!
Po a ka zgjidhje kjo panoramë e zymtë të cilën e pikturoi dora e mendja djallëzore e Sali Berishës duke vijuar përjetësimin e çimentosjen e autokraturës e kripto-diktaturës së Edi Ramës dhe pinjollëve të komunizmit?
Natyrisht që po.
Zgjidhje në demokraci nuk janë pseudo-revolucionet e klithmat gënjeshtare të Berishës por vota e 11-të majit.
Sot demokratët edhe ligjërisht e juridikisht kanë shtëpinë e tyre politike demokratike e EuroAtlantike.
Eshtë koha të mbidhemi të gjithë sa jemi demokratë e demokrate qëndrestarë shqiptarë të zhgënjyer e të papërfaqësuar opozitarë rreth koalicionit EuroAtlantik për t’i kthyer frymën e shpresën vendit e Kombit tonë në rrezik po aq sa edhe në vitin 1913-të kur u copëtua barbarisht.
Sot është koha dhe apeli i fundëm për të dalë mbi veten e egoizmin e sëmurë për hir të lirisë, demokracisë dhe shqiptarisë.
Vonesa e mosorientimi i drejtë do na bëjë të përlotemi si Zelenski por atëherë do të jetë vonë.

Koalicioni i Berishës me 25 parti, kush janë deputetët që “përvëlohen” nga marrëveshja e minutës së fundit

0

Kreu demokrat Sali Berisha arriti të përmbyllë një aleancë me 25 parti, duke depozituar në KQZ edhe kërkesën në limitet e afateve për regjistrimin e koalicioneve zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

Në koalicionin e demokratëve të pagëzuar me emrin “Partia Demokratike-Aleanca për Shqipërinë Madhështore” (PD-ASHM) u përfshi edhe PDIU e drejtuar nga Shpëtim Idrizi, megjithëse në ditët e fundit ishte paralajmëruar se kjo parti ishte shumë e pakënaqur me ofertën për të pasur vetëm 1 deputetët në atë që konsiderohet si lista e sigurtë e kandidatëve.

Më e favorizuara nga koalicioni me Berishën mbetet Partia e Lirisë e drejtuar nga Ilir Meta, e cila ka siguruar të paktën 4 vende në listën e sigurtë, ndërsa PAA e Agron Dukës, PR e Fatmir Mediut, PBDNJ e Vangjel Dules dhe PDIU e Shpëtim Idrizit do të kenë vetëm 1 vend në atë që konsiderohet lista e mbyllur.

Megjithëse detajet se ku do të kandidojnë emrat e propozuar nga partitë aleate të Berishës nuk janë zyrtarizuar ende paraprakisht mësohet se Dule do të jetë në listën e Vlorës, Idrizi dhe Mediu në Tiranë, Agron Duka në Durrës, ndërsa PL do të ketë në Tiranë, Korçë, Fier dhe Elbasan. Por nuk përjashtohet mundësia që PL të ketë dy kandidatë në Tiranë, Ilir Metën dhe Tedi Blushin, duke hequr dorë nga qarku i Korçës, atje ku është dakordësuar paraprakisht kandidimi i Sekretarit të Përgjithshëm të PL-së.

Gjithashtu Nard Ndoka i PDK-së duket se ka mbetur pa një marrëveshje për të pasur emrin në listën e sigurtë dhe rrezikon të humbasë sërish mundësinë për të hyrë në Parlament. Edhe në 2021, Ndoka nuk arriti të merrte mandatin edhe pse kandidonte në Shkodër.

Nëse i referohemi listës së deputetëve aktualë, bazuar në zgjedhjet e 2021, të paktën 6 nga deputetët që i përkasin partive aleate humbasin mandatet e deputetëve, ose më saktë nuk rikandidohen në lista të sigurta.

Nga rradhët e PL-së janë Petrit Vasili dhe Monika Kryemadhi. Kjo e fundit kishte paralajmëruar tërheqjen nga politika nga momenti kur SPAK e vendosi nën hetim, ndërsa Vasili duket se është spostuar. Kryemadhi dhe Vasili janë zëvendësuar nga Edmond Haxhinasto dhe Tedi Blushi.

Gjithashtu Mesila Doda, e cila ka qenë deputete e PD dhe më pas iu bashkua PDIU, si rezultat i përplasjeve të krijuara mes demokratëve pas 2013-ës, mund të mos jetë pjesë e Parlamentit të ardhshëm. Më herët ishte njoftuar se Doda ishte tërhequr nga një rikandidim si deputete, ndoshta për ti hapur rrugën një marrëveshje mes PD dhe PDIU, e cila do të ketë në listën e sigurtë vetëm 1 emër, atë të kryetarit Shpëtim Idrizi.

Koalicioni i Berishës me 25 parti, kush janë deputetët që

Gjithashtu mandatet e deputetëve ose rikandidimin në listat e sigurta e humbasin edhe Nusret Avdulla, Selaudin Jakupllari, Gëzim Ademaj, edhe këta pjesë e grupimeve parlamentare në parlamentin aktual të propozuar nga partitë aleate në marrëveshje me PD në 2021.

Gjithashtu Dashamir Shehi, kreu i LZHK, i cili në 2021 kandidonte në Tiranë në listën e koalicionit të drejtuar nga PD, në zgjedhjet e 11 majit do të kandidojë me një tjetër koalicion, atë të krijuar mes partisë së tij dhe Djathtas1912 të Enkelejd Alibeaj.

Por ka edhe një mundësi, që këta emra, ose të tjerë të propozuar nga aleatët, të përfshihen në listën e kandidatëve në atë që konsiderohet si lista e hapur.

Në këtë rast ato duhet të mbledhin sa më shumë vota preferenciale për të zhvendosur listën, por në anën tjetër koalicioni duhet të fitojë sa më shumë vota, që të përkthehen në mandate dhe të sigurohet një numër i lartë deputetësh, sipas qarqeve.

Kush është qëllimi i koalicionit?

Në marrëveshjen e depozituar në KQZ jepen qëllimet mbi të cilat është krijuar ky koalicion partish.

Në dokument thuhet se:

a – Koalicioni ka për qëllim fitoren e zgjedhjeve të 11 Majit 2025 dhe formimin e një maxhorance të re qeverisëse, e cila do të udhëheqë vendin në periudhën 2025-2029 dhe do të realizojë objektivat kryesore të programit të përbashkët.

b -Koalicioni ka për qëllim të punojë së bashku për realizimin e qëllimeve të përbashkëta, duke u angazhuar për zbatimin e programit te perbashket, për sa më poshtë:

i. Zbatimin e ligjit dhe parimeve demokratike në institucionet e vendit duke zbatuar Kushtetutën dhe gjithë korpusin e ligjeve.

ii. Integrimin e vendit në Bashkimin Evropian si prioritet madhor kombëtar.

Iii Ndalimin e shpopullimit të vendit dhe mbështetje për familjen shqiptare dhe vlerat e saj.

iv- Luften pa kompromis me zero tolerancë kundër krimit dhe korrupsionit.

v- Rritjen e pagave dhe pensioneve.

vi. Uljen e kostos së jetesës së qytetarëve dhe rritjen e mirëqënies së tyre.

vii. Çlirimin e ekonomisë dhe pronës publike nga uzurpimi i klaneve dhe oligarkisë, si dhe ndërtimi i një ekonomie prodhuese e eksportuese me produktivitet të lartë.

viii. Forcimin e rolit të Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s, si faktor i rëndësishëm i paqes, sigurisë dhe zhvillimit në rajon.

c) Koalicioni do të zbatojë një program të përbashkët, që është në përputhje me parimet e demokracisë, lirisë, shtetit të së drejtës dhe tregut të lirë.

d) Çdo parti angazhohet që të respektojë dhe zbatojë marrëveshjen e koalicionit dhe të sigurojë mbështetje të vazhdueshme për realizimin e qëllimeve të përbashkëta.

ç) Angazhimet dhe detyrat e palëve përcaktohen qartë në këtë marrëveshje si dhe ato dypalëshe. Çdo Parti do të ketë një përfaqësim proporcional në përgjegjësitë për zbatimin e Programit të Përbashkët.

Kush janë të mandatuarit e Koaliconit PD -ASHM?

Mandatohet Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Prof. Dr. Sali Berisha që, në emër të Koalicionit, të paraqesë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) listat shumëemërore të kandidatëve për deputet, si dhe çdo dokumentacion të nevojshëm për regjistrimin e Koalicionit dhe të kandidatëve, deri në përfundim të procesit zgjedhor.

Autorizohet z. Franci Nuri dhe/ose z. Marash Logu, që veç e veç apo së bashku, të kryejë të gjitha procedurat e nevojshme ligjore për regjistrimin e këtij koalicioni pranë KQZ, por pa u kufizuar në:

a) Paraqitjen e kërkesës për regjistrimin e Koalicionit “Partia Demokratike-Aleanca për Shqipërinë Madhështore së bashku me këtë marrëveshje, pranë KQZ-së;
b) Përfaqësimin e Koalicionit gjatë procedurës së shortit në KQZ, për renditjen e subjekteve zgjedhore në fletën e votimit;
c) Caktimin e vëzhguesve të Koalicionit në KZAZ-të, KQV-të dhe VNV-të, në të gjithë vendin;
d) Paraqitjen pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) e listave shumëemërore të kandidatëve për deputet, si dhe çdo dokumentacion tjetër të nevojshëm për regjistrimin e koalicionit dhe kandidatëve deri në përfundim të procesit zgjedhor.

Vance pas vendimit për Ukrainën: Europianët fryhen në publik dhe thonë jemi me Zelenskyn, por kur na marrin në telefon privatisht thonë…

0

Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance, deklaroi Trump ka një marrëdhënie të shkëlqyer me shumë aleatë evropianë, por sipas tij ata thonë gjëra të ndryshme në publik dhe privat për luftën Rusi-Ukrainë.

“Këtu është problemi me evropianët … ata duhet të jenë realistë dhe pjesa më e çmendur për këtë, është se ndonjëherë ju keni krerët e shteteve evropiane që në publik do të fryjnë gjoksin e tyre dhe do të thonë: Ne jemi në këtë me presidentin Zelensky për 10 vitet e ardhshme.

Dhe privatisht ata do të marrin telefonin dhe do të thonë: Kjo nuk mund të vazhdojë përgjithmonë, ai duhet të vijë në tryezën e bisedimeve.

Sinqerisht nuk më intereson çfarë thonë evropianët në publik, ajo që më intereson është se çfarë thonë ata në mënyrë private. Dhe ajo që ata duhet t’i thonë presidentit Zelensky është se kjo nuk mund të vazhdojë përgjithmonë, gjakderdhja, vrasjet, shkatërrimi ekonomik, po i bën të gjithë më keq”.

Në vazhdim të intervistës së tij në Fox News, JD Vance thotë se dera është e hapur që Trump dhe Zelensky të rifillojnë negociatat, por me një paralajmërim.

“Për sa kohë që Zelensky është i gatshëm të flasë seriozisht për paqen. Ju nuk mund të hyni në Zyrën Ovale apo kudo tjetër dhe të refuzoni të diskutoni detajet e një marrëveshjeje paqeje”, tha ai.

Vance thotë se problemi është se Zelensky nuk ishte i gatshëm të fliste për paqen pa garanci sigurie, një diskutim që Shtëpia e Bardhë ka thënë se duhet të vijë pas një marrëveshjeje paqeje.

“Kur ata janë të gatshëm të flasin për paqe, mendoj se presidenti Trump do të jetë personi i parë që do të marrë telefonin”.

Donald Trump i ndërpret ndihmat ushtarake Ukrainës

0

Nuk kanë të përfunduar telashet për Ukrainën dhe drejtuesit e saj pas incidentit diplomatik që u zhvillua në Zyrën Ovale në Shtëpinë e Bardhë, ku presidenti Donald Trump dhe zëvendësi i tij u përplasën ashpër me liderin ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Paralajmërimet se SHBA nuk do të pranonte dhe shumë gjatë këtë “mosmirënjohje” të Zelenskyt duket se zgjatën vetëm disa orë, pasi presidenti amerikan ka marrë një vendim që me shumë mundësi do të ndryshojë dhe rrjedhën e luftës nëse nuk ka një reagim të shpejtë.

Shtëpia e Bardhë konfirmoi së fundmi se presidenti Trump sapo ka nënshkruar urdhrin për të ndaluar ndihmën ushtarake amerikane për Ukrainën, duke qenë se kreu i Shtëpisë së Bardhë edhe më herët ka pasur kritika për mënyrën sesi ajo është shpërdoruar, ku një pjesë e madhe e fondeve nuk dihet se ku ka përfunduar.

“Presidenti ka qenë i qartë se ai është i përqendruar te paqja. Ne kemi nevojë që partnerët tanë të jenë të përkushtuar ndaj këtij qëllimi gjithashtu. Ne po ndalojmë dhe rishikojmë ndihmën tonë për t’u siguruar që ajo po kontribuon në një zgjidhje”, u shpreh një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.

Lajmi u raportua më herët nga gazeta amerikane Bloomberg e cila shkroi se “SHBA po ndalon të gjithë ndihmën aktuale ushtarake për Ukrainën derisa liderët e vendit të tregojnë një përkushtim të mirë ndaj paqes”.

Bloomberg shton se të gjitha pajisjet ushtarake amerikane që nuk janë aktualisht në Ukrainë do të ndalohen të bëjnë më tej, duke përfshirë armët në tranzit dhe në depot në Poloni.

Përgjimet e Taulant Ballës: Thirrjet për në SPAK i vendos Rama dhe Tao

0

Jashtë dyerve të SPAK, Sali Berisha edhe ditën e sotme ka nxjerrë biseda të reja nga aplikacioni i enkriptuar “Sky Ecc”, duke pretenduar se ato i referohen ministrit Taulant Balla.

Më konkretisht, në biseda mes dy personave, ata bëjnë me dije se “Bujari”, ka takuar një ditë më parë “Taon”, i cili i ka dhënë garanci se kundërshtari i bandës “Nefi” do të shkojë në SPAK me 100% siguri. Madje sipas Berishës, ata i bëjnë presion “Taos” se nëse nuk ia rregullojnë këtë gjë, ai nuk do i ketë më në krah.

Berisha deklaroi se nga kjo bisedë kuptohet se thirrjet në SPAK vendosen nga Taulant Balla dhe Edi Rama, teksa shtoi se nuk ka të dhëna se kush është personi që është paraqitur në SPAK.

Sali Berisha: Armiq të votës së lirë sot janë ministra, kriminelë të votës së lirë janë ministra dhe mbiministra. Vazhdon historia e Taos, i cili siç e dini ju, pasi arrestoi me policinë dhe prokurorinë e Elbasanit rivalët e bandës, pasi u mor me çlirimin e aseteve të Toyota Yaris, vazhdon krimin e tmerrshëm zgjedhor. Por kësaj here, bashkëpunëtor numër 1 ka bandën dhe Skapin e partisë. Ju lutem dëgjojeni.

Me datën 17.11.2020, Target e njoftoi pinin AM5P80 se Bujari takoi Taon dje dhe ai konfirmoi se Nefi, kundërshtari i bandës do shkojë në SPAK 100 përqind siguri. Pra, thirrjet në SPAK vendosen nga Tao dhe Edi Rama, se Tao nuk i bën pa Edi Ramën këto dhe pastaj dërgohen në Skap për t’i ekzekutuar.

Me datën 23.11.2020, Target njofton pinin AM5P80 se të gjithë e kanë ‘bllokuar’ Taon në mënyrë që të kuptojë nëse nuk ua rregullon këtë, nuk i ka në krah. Pra, Taos banda i bën bllokadë të plotë, ose qëndroji fjalës, ose me ne do kesh punë.

Me datën 24, një ditë më vonë, Target informon të njëjtin pin se sot ata informuan Taon, ose ti bëje këtë për ne, ose nuk do lejojmë në anën tuaj zgjedhje.

E kuptoni ku vendoset fati i zgjedhjeve dhe i votave? Vendoset në bodrumet, vendoset në shpellat e klaneve më mafioze të Edi Ramës. Dhe pastaj kësaj thirrje, këtij paralajmërimi, këtij ultimatumi, Tao tha: Nesër ndodh!

Pra, të gjitha urdhërohen nga banda, ultimatumit të bandës që ose vepro, ose nuk do ketë zgjedhje siç i do, pra nuk do vjedhim vota për ty, Tao u përgjigjet: Nesër ndodh. Këto janë krimi elektoral, dosjet e krimit të shëmtuar të Taulant Ballës, Edi Ramës, mbi të cilat fle Skapi i partisë dhe ky është një krim monstruoz kushtetues.

Nuk e kam të qartë se kush është Target në këto përgjime. Nuk mund ta them, nuk krijoj dot… që është eksponent i krimit, kjo nuk ka diskutim, por nëse është një anëtar i bandës me kollare apo me llërë të zhveshura dhe me automatik në dorë, nuk mund ta them. Një gjë dua të them, që për mua si përgjegjës, si kryetar i partisë kryesore opozitare, krimi elektoral është krimi i parë, krimi më i shëmtuar, më i rëndësishëm, më antikushtetues. Ramën, Gjiknurin, Manjën dhe të tjerët i ka amnistuar Altin Dumani, kjo dihet që ata janë kriminelë elektoralë.

Por këto të dhëna të reja që paraqes unë për krimin elektoral, këto dëshmojnë amnistinë ndaj këtij krimi të shëmtuar nga Skapi i partisë, dëshmojnë hipokrizinë e pretendimit të tyre se do hetojmë krimin elektoral. Ndërkohë, duhet të jemi realistë, Tao në dokumente figuron më i lidhur me disa banda. Jo me një, me disa banda. Prandaj Tao, që është një kriminel i vërtetë që mban portofolin e ministrit dhe mandatin e deputetit, është më kriminel se bandat, të cilave u shërben…

Albin Kurti fitues i votave me postë, pritet certifikimi i rezultatit

0

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka përditësuar rezultatet e votave me postë për parlamentin e ri.

Nga mbi 66% të vendvotimeve të numëruara, udhëheq Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, e cila ka marrë 52.72%, e ndjekur nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 29.8%.

Sipas rezultateve të publikuara online nga autoritetet zgjedhore, në vendin e tretë është Partia Demokratike e Kosovës me 7.98%. Ndërsa më pas renditet koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate, me 3.32%.

Përveç votimit me postë, qytetarët jashtë vendit për herë të parë kanë mundur të votojnë edhe fizikisht në disa përfaqësi diplomatike.

Numërimi i votave nga përfaqësitë diplomatike ka përfunduar dhe, sipas KQZ-së, Vetëvendosje mori shumicën e tyre, përkatësisht 12,261 vota.

Pas përfundimit të numërimit të votave me postë, do të vijojë procesimi i atyre me kusht si dhe i votave të personave me nevoja të veçanta, duke mundësuar certifikimin e rezultateve dhe hapjen e rrugës për formimin e qeverisë së re.

POSTIMET E FUNDIT