Shkruan Zef Bushati
Protesta në Tiranë po jep mesazhin se demokracia nuk është pushteti i një njeriu të vetëm, por përgjegjësia e institucioneve përballë qytetarëve. Çështjet që prekin identitetin kombëtar, territorin, demografinë dhe të ardhmen e vendit nuk mund të vendosen në heshtje, pa debat publik dhe pa kontroll parlamentar. Një shumicë amorfe që hesht dhe një opozitë impotente që nuk bind, nuk e forcojnë demokracinë; përkundrazi, e dobësojnë atë. Por protesta po dëshmon edhe se organizatorët nuk ishin të përgatitur për përmasat që ajo mori dhe për peshën e kërkesave që u artikuluan nga pjesëmarrësit. Ajo nisi si një reagim ndaj sjelljes së papranueshme të një policie private ndaj një qytetari, i cili së bashku me një grup aktivistësh protestonte për mbrojtjen e Zvërnecit dhe të Lagunës. Më pas, disa të rinj nga shoqëria civile, përmes rrjeteve sociale dhe portaleve online, u përpoqën ta zhvendosnin këtë revoltë qytetare në Tiranë. Askush prej tyre nuk e kishte parashikuar se protesta do të shndërrohej në një lëvizje shumë më të madhe se shkaku fillestar, në një uragan rinor kundër korrupsionit, kapjes së shtetit, padrejtësive sociale dhe shpërfilljes së interesave kombëtare. Ajo që filloi si mbrojtje e një lagune dhe e një të drejte qytetare, u kthye në një thirrje të fuqishme për dinjitet, drejtësi dhe përgjegjësi publike. Kur zemërimi i akumuluar i një brezi gjen një shkak për t’u shprehur, protestat nuk mbeten më lokale; ato marrin përmasa kombëtare dhe shndërrohen në zërin e një shoqërie që kërkon ndryshim. Populizmi që po shfaqin organizatoret nuk më pëlqen. Populizmi është një tezë e konsumuar dhe e dëgjuar pafund. Secili prej organizatoreve duhet të marrë përgjegjësi përpara protestuesve dhe përpara Atdheut. Ata, vetë e morën këtë rol. Tani duhet ta mbajnë me dinjitet dhe me seriozitet. Përmasat që mori protesta kërkojnë formim intelektual, organizim, vizion dhe përgjegjësi. Deri tani, ajo që po demonstrojnë organizatoret është një nivel që rrezikon ta bëjë protestën bajate dhe ta çojë drejt konsumimit të parakohshëm. Organizatoret duhet të prezantohen publikisht. Duhet te tregojnë kush janë, çfarë formimi kanë, çfarë përfaqësojnë dhe cilat janë objektivat që kanë. Organizatoret nuk duhet të fshihen pas rremujës, sepse rremuja nuk prodhon rezultat, rremuja të çon drejt dështimit. Nëse ata nuk i kanë aftësitë e nevojshme për të menaxhuar një lëvizje me këto përmasa, duhet të kërkojnë ndihmë profesionale. Jo nga unë, as që më shkon ndër mend. Duhet të gjejnë ekspertë dhe konsulentë seriozë dhe me eksperience. Në politikën moderne edhe kundërshtarët më të mëdhenj si Rama dhe Berisha mbështeten te këshilltarë profesionistë, vendas apo të huaj. Nuk ka asgjë të turpshme në këtë. E turpshme është të pretendosh se di gjithçka, ndërsa gabimet shtohen çdo ditë. Duhet vlerësojnë me përgjegjësi detyrën që kanë marrë përsipër. Entuziazmi nuk mjafton. Kur merr përsipër të përfaqësosh zemërimin, shpresat dhe besimin e shumë qytetarëve, ke detyrimin të tregosh seriozitet, transparencë dhe aftësi drejtuese. Përndryshe, rrezikon të humbasësh jo vetëm protestën, por edhe besimin e atyre që të kanë ndjekur.







