SPAK i përgjigjet Ramës për krimet zgjedhore

0

Pas akuzave të hedhura se SPAK ka dalë nga shinat kushtetuese, kryeministri Edi Rama quajti lajthitje edhe angazhimin e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion për të hetuar krimet zgjedhore gjatë zgjedhjeve parlamentare të majit.
“Nuk mund dot të survejohen partitë politike në një proces elektoral. Unë uroj që kjo do të jetë një lajthitje e momentit dhe menjëherë të ndalet çdolloj survejimi në territor sepse nuk mundet dot kurrën e kurrës që ne të kthehemi në kohëra kaq të errëta saqë kush merret me politikë të survejohet. Përpjekja e përbashkët për të luftuar dhe për krimet elektorale bëhet secili në pozicionin e vet kushtetues dhe në llogoren e vet. Dalja nga këto pozicione është ndërhyrje flagrante në liritë dhe të drejtat politike të shqiptareve dhe të përfaqësuesve të tyre”, tha Rama.

Pas kësaj deklarate, SPAK iu përgjigj Ramës duke publikuar “Strategjinë e Hetimit dhe Parandalimit të Krimit Zgjedhor: Zgjedhjet për Kuvendin 2025”.

Kjo strategji, sipas SPAK, mbështetet në:

•Verifikimin në terren të indicieve apo fakteve rreth kryerjes së veprave penale në kuadër të zgjedhjeve për Kuvendin 2025, nën juridiksionin e Prokurorisë së Posaçme.
•Verifikimin e raportimeve që ngrenë dyshime të arsyeshme mbi keqpërdorimin e buxhetit dhe investimeve publike gjatë periudhës zgjedhore prej subjekteve të posaçme.
•Monitorimin e mediave dhe rrjeteve sociale për indicie të mundshme në kryerjen e veprave penale në kuadër të zgjedhjeve.
•Bashkëpunimin ndërinstitucional me Prokurorinë e Përgjithshme, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Policinë e Shtetit, organizmat ndërkombëtare, organizatat e shoqërisë civile që monitorojnë proceset zgjedhore, etj.

SPAK ka zhvilluar takim edhe në KQZ me kreun e saj, Ilirjan Celibashi, për bashkëpunim në hetime dhe goditje krimeve zgjedhore.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu