Kreu Editorial Koncerti që shpëtoi Shqipërinë

Koncerti që shpëtoi Shqipërinë

0
26

Shkruan Thoma Gëllçi

Kur Kryeministri Edi Rama njoftoi se qeveria do të jepte 4.2 milionë euro nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave për koncertin njëditor të Kanye West në Tiranë, pati qytetarë që pyetën se përse një aktivitet privat duhej financuar me para publike.

Kryeministri e shpjegoi thjesht: qeveria do të jepte 4.2 milionë euro, por ekonomia do të fitonte 100 milionë.

Kjo llogari krijoi entuziazëm në mbledhjen e qeverisë. Ministrat kuptuan se Shqipëria kishte zbuluar një formulë të re zhvillimi, të cilën vendet e tjera, me gjithë universitetet, institutet dhe ekspertët e tyre, nuk kishin arritur ta gjenin.

Ministri i Bujqësisë vuri në dukje se rritja e një lope kërkonte vite, ushqim, ujë, veterinerë, stalla, tokë dhe punëtorë. Për më tepër, lopa mund të sëmurej, qumështi mund të mos shitej dhe fermeri mund të kërkonte subvencione. Një këngëtar, përkundrazi, vinte me avion, këndonte dy orë dhe, sipas llogarisë së re, sillte 100 milionë euro. Prandaj u propozua që stallat të ktheheshin në skena koncertesh.

Edhe prodhimi bujqësor u konsiderua i pasigurt. Mbjellja e grurit kërkonte plugim, farë, plehra, vaditje dhe korrje, ndërsa të korrat rrezikoheshin nga thatësira, breshëri dhe përmbytjet. Koncerti ishte i sigurt. Mjaftonte të paguhej artisti dhe ekonomia korrte 100 milionë euro brenda natës.

Ministri i Infrastrukturës shpjegoi se rrugët ishin shumë më të vështira. Kërkonin projekte, fonde, leje, shpronësime, beton, asfalt dhe vite pune. Pastaj çaheshin dhe kërkonin fonde të tjera. Me 4 milionë euro mund të mos përfundonin as dyqind metra rrugë të mirë, ndërsa një koncert sillte 100 milionë. Kështu, në vend të autostradave, mund të ndërtoheshin skena. Qytetarët mund të mos kishin rrugë, por të paktën do të kishin ku të kërcenin.

Edhe sektori minerar u shpall i komplikuar. Nxjerrja e naftës, siç ishte vërtetuar në 30 vitet e fundit në Shqipëri, dilte me humbje. Kromi dhe bakri duheshin nxjerrë nga mali, transportuar dhe përpunuar. Këngëtari nuk kishte nevojë të nxirrej nga nëntoka; ai zbriste vetë nga avioni. Për këtë arsye, u propozua që minatorët të trajnoheshin për montimin e skenave.

Ministri i Turizmit kujtoi se turizmi tradicional kërkonte plazhe të pastra, ujë, kanalizime, rrugë, hotele dhe shërbim të mirë. Turistët ankoheshin, linin komente negative dhe policia kishte punë duke hetuar “review” negative të njerëzve që kërkonin kondicioner. Koncerti ishte më i thjeshtë: njerëzit vinin, paguanin, bënin video, largoheshin dhe qeveria shpallte 100 milionë euro fitim.

Edhe arsimi u pa si një investim tepër afatgjatë. Një fëmijë duhej të studionte të paktën 12 vjet para se të jepte ndonjë kontribut në ekonomi. Një artist ndërkombëtar e jepte kontributin brenda një mbrëmjeje. Pastaj, siç e shikonim edhe vetë, ishte shembulli i Kanye West, që ishte pa shkollë dhe libri i parë në jetë që po përpiqej të lexonte ishte “Albanian Files”, të cilin ia dhuroi Kryeministri Rama.

Në spitale nisi zbatimi i metodës së re të shërimit. Në vend të pajisjeve mjekësore u vendosën altoparlantë të fuqishëm, me idenë se muzika ishte investimi më i mirë për shëndetin publik. Në Onkologjik u vendosën dy altoparlantë, sepse aty nevoja ishte më e madhe. Fondet e qeverisë do të përqendroheshin te financimi i këngëtarëve dhe koncerteve. Sa për skanerët, defibrilatorët, tavolinat e kirurgjisë, shtretërit e spitalit dhe pajisjet e tjera, ato do të siguroheshin me donacione nga qytetarët, sepse shëndetësia mund të priste, ndërsa koncertet jo.

Ministri i Financave bëri llogaritë. Një koncert në ditë, për 365 ditë, me nga 100 milionë euro secili, sillte 36.5 miliardë euro në vit. Dy koncerte në ditë e çonin fitimin në 73 miliardë, ndërsa katër koncerte në ditë në 146 miliardë euro.

Pas disa muajsh, qeveria njoftoi se Shqipëria ishte bërë fuqia më e madhe ekonomike në Evropë. Nuk kishte rëndësi që fermerët po braktisnin tokën, minierat ishin mbyllur, rrugët nuk përfundonin dhe pensionet nuk rriteshin.

Sipas tabelave të Ministrisë së Financave, vendi fitonte çdo natë nga 100 milionë euro.

Kështu, Shqipëria hyri në fazën më të lartë të zhvillimit të saj. Nuk kishte më nevojë për prodhim, eksport, industri, bujqësi, blegtori, krom, bakër, naftë, dogana apo rrugë.

U ndryshua edhe monedha kombëtare. Leku u zëvendësua me Biletën. Të gjitha pagat dhe pagesat do të kryheshin me bileta koncertesh. Me bileta do të paguheshin administrata, mësuesit, mjekët dhe punonjësit e tjerë të shtetit. Vetëm deputetët dhe qeveritarët do të sakrifikonin dhe do të vazhdonin t’i merrnin pagat në euro, si në kohën e vjetër.

Edhe pensionet do të paguheshin me Bileta. Pensionistët e fshatit do të merrnin nga një biletë në muaj, pensionistët e qytetit nga dy, ndërsa përfituesit e pensioneve të posaçme do të merrnin nga katër bileta. Biletat nuk mund të përdoreshin për të blerë bukë, ilaçe apo për të paguar energjinë elektrike, por pensionistëve u jepej mundësia të merrnin pjesë në zhvillimin e madh ekonomik të vendit duke dëgjuar koncertin në këmbë.

Mjaftonte një koncert në ditë.

Me dy koncerte, vendi zhvillohej dy herë më shpejt. Me 365 koncerte brenda së njëjtës ditë, Shqipëria mund të shpallej ekonomia më e madhe e universit, pa prodhuar as qumësht, as grurë, as naftë dhe pa përfunduar asnjë rrugë.

Në fund, populli shqiptar u shpall populli më i lumtur në botë. Nuk kishte më nevojë për protesta, sepse çdo problem zgjidhej me një koncert të ri. Ata që ankoheshin për pensionet, çmimet, spitalet, rrugët apo shkollat u shpallën njerëz që nuk e donin Shqipërinë. Ata ishin korba dhe sorra, përhapës të pesimizmit, armiq të suksesit dhe shërbëtorë të fuqive të huaja, të cilat nuk e duronin dot zhvillimin shqiptar. Sheshet mbusheshin përsëri me njerëz po rata nuk quheshin me më protestues, por spektatorë; ata bërtisnin por qeveria e ngriti volumin aq shumë, sa asgjë nuk dëgjohej më asgjë.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu