Do t’i kërkoj ndjesë gjithë demokratëve që do duhet t’i kthej përgjigje një kolegu nga opozita.” Kështu e nisi Gazmend Bardhi përgjigjen e tij ndaj fyerjeve të Flamur Nokës, pak minuta më parë në seancën plenare të Kuvendi.
Sekretari i ri i PD, Flamur Noka tha se mazhoranca socialiste po përdorte “Enkin, Gazin dhe Jorkën” për të të vjedhur shqiptarët. Por përgjigja e Bardhit, dikur ish-sekretar i PD dhe sot deputet i thjeshtë, nuk vonoi dhe e vuri në pozitë Nokën.
Ai i kërkoi kolegut demokrat të “kampit” tjetër që të denonconte atë që e quajti oligarku i naftës. Bardhi shtoi se Sali Berisha u kishte nisur sms deputetëve të tij që të bashkonin votat me socialistët dhe të rrënonin kërkesën për ngritjen e Komisionit për Investimet Strategjike.
“Do t’i kërkoj ndjesë gjithë demokratëve që do duhet t’i kthej përgjigje një kolegu nga opozita. Prita në fakt që të fliste për çmimin e naftës, po drejtonte gishtat lart e poshtë, por nuk përmendi cili është oligarku i naftës. Dil atje dhe fol për Çet Kastratin po ta mbajti, se ai i përfiton abuzimet me çmimet e naftës, por s’ke guxim ti ta përmendësh.
Nuk ke guxim të përmendësh asnjë nga ata oligarkë që ajo që ti e quan “fake-opozita” i denoncon çdo ditë. E dyta, merri leje doktorit dhe dil sqaro demokratët pse keni dhënën urdhër që të bashkoheni sot me socialistët, që të bllokoni Komisionin për Investimet Strategjike. Dil dhe shpjegoja, pse ka nis Sali Berisha mesazh që të bëheni bashkë me Edi Ramën.
Sa i përket për elektoratin zoti Noka, unë nuk kam ardhur në zyrën tënde. Ti ke ardhur në 2020 në zyrën time dhe më ke thënë mos më ço në Kukës se nuk më do anëtarësia. Më djeg anëtarësia e partisë”, u shpreh Gazment Bardhi, deputet i Partisë Demokratike.