Kryeministri Edi Rama, në një bashkëbisedim me qytetarët të martën, në rrjetin e tij social “Facebook”, ka vendosur të marrë në mbrojtje Veliajn, ndërsa ka komentuar edhe vilën në Qerret, për të cilën SPAK-u e akuzon kryebashkiakun se e ka përfituar në mënyrë të padrejtë nga një ndërtues dhe në këmbim Veliaj i kishte dhënë leje ndërtimi.
Rama tha se vila i përket vjehrrit të ndjerë të Veliajt dhe se nuk mund t’i kërkohet llogari kryebashkiakut që është posedues i një shtëpie, në kohën kur sipas Ramës, Veliaj nuk ka pasur asnjë lloj pushteti.
“Në akuzën që i bëhet kryetarit të bashkisë në atë romanin e madh, për shembull, flitet për shtëpinë e të vjehrrit, vite e vite më parë marrë në Qerret atje dhe akuzohet që meqë janë gjetur aty rroba të djalit tënd, fëmija i vogël që shkon te gjyshja në plazh, është shtëpia jote dhe nuk e ke deklaruar. Okej, mbase është, nuk e di, do ta shikojmë me prova, por ama kur shkohet deri këtu që t’i kërkohet llogari dikujt për vjehrrin e vdekur, që është posedues i një shtëpie në kohën kur dhëndri nuk ka pasur asnjë lloj pushteti, është vërtetë mbresëlënëse. Ndërkohë që, këtu frëngjitë nga të cilat hidhet balta me tonelata përditë hapen e mbyllen me llumin që qarkullon dhe e kthen kënetën në arë. Si i bëhet kësaj pune? Kush do ta bëjë këtë?” tha Rama.
Por të dhënat e publikuara në dosjen që CNA disponon dëshmojnë se në fakt Rama është mashtruar nga Veliaj. Më poshtë po rendisim faktet që shkruhen e zeza në të bardhë dhe që vërtetojnë faktin se çifti Veliaj-Xoxa janë në fakt pronarët e kësaj vile.
Në faqen 49, pikat 33 dhe 34 e dosjes theksohet se vërtetohet përmes pagesave të kryebashkiakut dhënë për kompaninë e Gentian Sulës, që Veliaj është në fakt pronari i vilës dhe jo vjehrri i tij i ndjerë.
“33.Nga-organi procedues është proceduar me këqyrjen e faqes së internetit te “AGI KONS”, ku tek rubrika “Projektet”, “Rezidenciale”, ku është konstatuar ndërtimi i rezidencës së banimit “Kodra e Diellit” në Tiranë dhe të resortit “Marea” që ndodhet në fshatin Qerret, Kavajë. Nga provat e administruara rezulton e provuar se shtetasi Erion Veliaj dhe të afërmit e tij kanë blerë pasuri të paluajtshme në këto komplekse/resorte që janë ndërtuar nga “AGI KONS” shpk.
34. Nga hetimet rezultoi se shtetasi Gentjan Sula është gjithashtu aksioner tek Kompania “S&D Invest” sh.a. e cila ka si objekt të aktivitetit: Menaxhim dhe shperndarje të ujit të pijshëm dhe largimin e ujrave të ndotura. Shërbime në fushën e mirëmbajtjes dhe administrimit të pronës së përbashkët. Konsulencë teknike, projektim në fusha të ndryshme. Tregtim, import-eksport etj. Menaxhim dhe shërbim bar – restorante.
34.1. Në lidhje me këtë kompani, me shkresën me Nr 17383/3 Prot., datë 30.10.2024 Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka dërguar informacion mbi deklarimet e kryera në librat e shitjes dhe librat e blerjes të shoqërive “Agi Kons” shpk me NIPT K21622001M dhe “S&D Invest” shpk me NIPT K82112004C. Nga analizimi i deklarimeve të kryera nga shoqëria S&D Invest” me NIPT K82112004C, rezulton se për shtetasin Erion Veliaj janë deklaruar 10 (dhjetë) fatura përgjatë viteve 2020-2021 duke shënuar në kolonën emri i blerësit “Erion Veliaj 6A” dhe “Erion Veliaj Vila 4A” “ thuhet në dosje ndërsa renditen edhe tabelat me pagesat e kryera nën emrin e Veliajt.
TABULATET TELEFONIKE TË VELIAJT
Në faqen 50, pika 35 evidentohet se Veliaj ka përdorur numrin e tij celular në vilë, duke u konfirmuar se ai shkonte shpesh në të. Kjo është një tjetër pikë që vërteton se ai ishte pronar i saj dhe jo thjesht një vizitor që shkonte në vilën e vjehrrit siç tha Rama.
“Pranë kompanise “ONE ALBANIA”,me shkresën Nr. 18985 O.D., date 09.10.2024, është kërkuar informacion lidhur numrin celular 67 20 55 982 (I identifikuar si numër në përdorim të shtetasit Erion Veliaj). “One” ka kthyer pergjigjen me të cilat ka derguar edhe tabulatet telefonike të disponuara për këtë numër. Nga analiza e tabulateve ka rezultur se numri celular me sipër ka patur logime të shpeshta në zonën e Qerretit. Nga këto analiza, rezulton se këto logime jane kryer kryesisht gjatë fundjavave, por edhe në ditë të caktuara të javës, pranë vilës në Qerret,” thuhet në dosje.
DEKLARIMET E ADMINISTRATORIT TË RESORTIT
Në dosje theksohet se Erion Veliaj dhe bashkëshortja e tij Ajola Xoxa, janë zotëruesit faktikë të pasurisë dhe kjo faktohet edhe nga Maksim Greva administratori i resortit i cili konfirmon ndër të tjera praninë e Ajola Xoxës në objekt.
Ky informacion i dhënë nga Maksim Greva paraqet mjaft interes për hetimin, pasi konfirmon pagesat e bëra nga Erion Veliaj, pranë shoqërisë në pronësi të Gentian Sulës për mirëmbajtjen e vilës, thuhet në dosje.
“Në faqen 52, pika 36 në përmbledhje të rezultateve të kontrollit të miratuar nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me Vendimin nr. 698 datë 05.12.2024, lidhur me dy banesat: 1.) Pasuria Nr. 1/650, volum 29, faqe 166, ZK 3101, ndodhur në Zonën e Stimuluar “Ardian Çarçani”, Qerret, lloji “truall”, sipërfaqja totale 446.6 m2 (nga të cilat truall 446.6 m2; Ndërtesë 80.42 m2), referuar ndryshe si Vila nr. 5; në pronësi të Arbër Veliaj; dhe 2) Pasuria Nr. 1/647, Vol 29, faqe 103, ZK. 3101, ndodhur në Zonën e Stimuluar “Ardian Çarçani”, Qerret, lloji “truall”, sipërfaqe trualli të objektit 494 m2, vilë, me sipërfaqe të bazës së njësisë 82 m2, në pronësi të “Agi Kons” shpk; (MAREA. RESORT, QERRET), rezulton se ka dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se shtetasi Erion Veliaj dhe bashkëshortja e tij Ajola Xoxa, janë zotëruesit faktikë të pasurisë nr. 1/647.
Këto dyshime mbështeten edhe në deklarimet e marra nga Administratori i resortit, shtetasi Maksim Greva, i cili konfirmon ndër të tjera praninë e shtetases Ajola Xoxa në objekt. Sipas deklaruesit pasuria në fjalë administrohet nga shoqëria “S&D Invest” Tiranë. Ky informacion i dhënë nga shtetasi Maksim Greva paraqet mjaft interes për hetimin, pasi konfirmon pagesat e bëra nga shtetasi Erion Veliaj, pranë shoqërisë së mësipërme (S&D Invest në pronësi të Gentian Sulës) për mirëmbajtjen e objektit të emërtuar 4A, siç më sipër u përshkrua.
37.1. Nga tabela e pagesave, rezulton se ka qenë shtetasi Erion Veliaj, që gjatë periudhës 2020-2021 (periudhë që përkon me blerjen e vilës tjetër nga Arbër Veliaj) ka bërë pagesa për mirëmbajtjen e objektit të emëruar si vila 4”, thuhet në dosje.
DEKLARATA E SHOFERIT TË AJOLA XOXËS DHE BABAIT TË SAJ TË NDJERË
Po ashtu mashtrimin e Veliajt ndaj Ramës, e nxjerr zbuluar fakti se shoferi i Ajola Xoxës, Armand Manahasa, i cili më herët ka qenë shofer i të atit të Ajola Xoxës, Arben Xoxa, nuk e ka shoqëruar asnjëherë këtë të fundit tek vila në Qerret.
Pra nëse mashtrimi që Veliaj i ka thënë Ramës do të ishte i vërtetë, si ka mundësi që i ati i ndjerë i Ajolës, nuk ka shkuar asnjëherë në pronën që ai zotëronte?
Në faqen 256 të dosjes theksohet se: ”Është pyetur më datë 16.01.2025 si person që ka dijeni për veprën penale, shtetasi Armand Manahasa shpjegon ndër të tjera se: Nga muaji Shkurt i vitit 2019 deri në Nëntor të vitit 2021 ka qenë i punësuar si shofer personal i shtetases Ajola Xoxa. Këtë shtetase e njeh nëpërmjet babait të saj Arben Xoxa, i cili ka vdekur në muajin Shkurt të vitit 2019. Shtetasi Armand Manahasa ka shpjeguar se e ka shoqëruar shtetasen Xoxa, përveç shtëpisë së saj tek “Kodra e Diellit” dhe zyrat në “Sky Tower” edhe në fshatin Qerret, tek një vilë brenda kompleksit “Marea”. Deklaruesi shprehet se ka filluar të shoqërojë shtetasen Ajola Xoxa dhe nënën e saj në Qerret, tek kompleksi në fjalë, në periudhën 2019-2020. Gjithashtu, në disa raste ka shoqëruar dhe pastruesen e saj që quhej Ela. Deklaruesi shprehet se shpesh ka transportuar në vilën brenda kompleksit edhe sende personale shtëpiake si edhe rroba të ndryshme. I pyetur nëse ka shoqëruar ndonjëherë shtetasin Arben Xoxa tek vila në Qerret, deklaruesi shprehet se nuk ka qenë asnjëherë atje me këtë shtetas dhe as nuk e ka dëgjuar ndonjëherë të përmendej kjo vilë prej shtetasit Arben Xoxa”, thuhet në dosje.
Në përmbledhje të deklarimeve të Armand Manahasa, rezulton edhe njëherë se vila e ndodhur në Qerret, kompleksi “Marea Resort” është në pronësinë faktike të familjes Veliaj-Xoxa. Nga këto deklarime rezulton se edhe pse ka qenë shofer i shtetasit të ndjerë Arben Xoxa, Armand Manahasa nuk ka qenë kurrë në vilën e Qerretit para vitit 2019. Kujtojmë këtu se nga shtetasit nën hetim pretendohet se kjo vilë është blerë në vitin 2017 nga prindërit e shtetases Ajola Xoxa. Për herë të parë, shpjegon deklaruesi, në vilë është shkuar në vitin 2019-2020. Po ashtu, Armand Manahasa nuk ka dëgjuar asnjëherë të flitet për këtë vilë nga shtetasi i ndjerë Arben Xoxa, theksohet në dosje.
QELIZAT TELEFONIKE MES MANAHASËS DHE XOXËS
Po në faqen 256 të dosjes janë zbardhur bisedat telefonike mes Manahasës dhe Xoxës, si dhe bisedat mes Manahasës dhe një shtetasi të identifikuar si Olsi Efthimi. Ky i fundit vërtetohet se është personi që ka ndjekur punimet për arredimin, por edhe ndërtim të më shumë se një pasurie të paluajtshme që zotërohen nga bashkëshortët Veliaj-Xoxa, mes tyre edhe të vilës në Qerret, ku nga bisedat vërtetohet se Ajola Xoxa jepte instruksione për arredimin e vilës dhe aspekte të tjera.
“I pyetur rreth një mesazhi të shkëmbyer me shtetasin Olsi Efthimi më datë 16.07.2020, ku i drejtohet duke e pyetur “Do shkoni në Qerret sot?”, të cilit Olsi Efthimi i përgjigjet “Jo nuk do shkojmë se ka ditëlindjen”, deklaruesi shprehet se komunikimi është bërë me këtë shtetas pasi ai shoqërohej herë pas here me Ajola Xoxën, dhe në dijeninë e tij shkonte (Olsi Efthimi) tek vila në Qerret, pasi merrej me arredimin e saj, me punë dhe aspekte të tjera.Deklaruesi ka shtuar se banesa ndodhej në katin e dytë të banimit, ndërsa në katin tjetër sipër katit të banimit ku banonte Ajola, ajo po kryente punime të cilat ndiqeshin nga shtetasi Olsi Efthimi. Në lidhje me sa më lart, është proceduar me këqyrjen e aparatit celular të shtetasit Armand Manahasa, i sekuestruar në zbatim të vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar nr. 56 datë 15.01.2025. Nga këqyrja e dokumentuar me procesverbalin e datës 17.01.2025 rezulton ndër të tjera se në aparatin celular të këtij shtetasi është i regjistruar numri i telefonit +355672020124, i cili përdoret nga shtetësja Ajola Xoxa. Me këtë numër, rezulton që shtetasi Armand Manahasa ka patur biseda, të cilat fillojnë me datë (26.01.2021), ndërsa komunikimi i fundit është realizuar me datë 6 ott 2023 (06.10.2023).
Nga këqyrja konstatohen komunikime të ndryshme te realizuara me mesazhe të shkruar dhe zanore. Në aplikacionin të WhatsApp konstatohet se gjënden komunikime që i përkasin datës 1 nov 2021 (01.11.2021). Konkretishtt. numri +355672020124 (Ajola Xoxa), i dërgon Armand Manahasës mesazh zanor me kohëzgjatje 0:10 sekonda në orën 11:49. Mesazhi ka përmbajtjen sa vijon: “Mandi kur ti sjellësh varëset, rri lëri këtu te dera, është dhe Ela këtu te shpia. Ndërkohë po vien Olsi që të inspektojë punimet lart, kështu që do hypi edhe unë lart e do zbres me Olsin, kshuqë vazhdo ti pa merak.”. Shtetasi Armand Manahasa në orën 11:49, përgjigjet me mesazh të shkruar “Ok”, thuhet në dosje.
PUNIMET E PAPËRFUNDUA DERI NË VITIN 2020
Rama duket se është mashtruar jo vetëm për pronësinë e vilës së Veliajt, por edhe për faktin se kjo vilë ka qenë e vjehrrit në kohën kur Veliaj nuk kishte asnjë lloj pushteti.
Në dosje nga ana tjetër theksohet se në fakt vila i përket çiftit Veliaj-Xoxa dhe se punimet e vilës nuk kishin përfunduar, të paktën deri në vitin 2020, kohë kur në fakt Erion Veliaj kishte pushtet, pasi drejtonte bashkinë e parë të vendit.
“Gjithashtu, Olsi Efthimi nga këto deklarime, por edhe nga të dhëna të tjera, duket se është personi që ka ndjekur punimet për arredimin por edhe ndërtim të më shumë se një pasurie të paluajtshme që dyshohet se zotërohen nga bashkëshortët Veliaj Xoxa. Ky shtetas rezulton të ketë shkuar në vilën e Qerretit për t’u marrë me arredimin e saj. Nga këqyrja e realizuar në telefonin celular të shtetasit Ergys Krisiko, rezulton qartë se jo vetëm oborri i vilës, por edhe ambientet e brendshme të saj nuk kanë përfunduar akoma, të paktën deri në vitin 2020. Po ashtu, ky shtetas rezulton se ka ndjekur edhe punimet e ndërtimit në katin e tretë të ndërtesës të ndodhur tek “Kodra e Diellit”, ku bashkëshortët Veliaj-Xoxa jetojnë aktualisht. Kjo rezulton si nga deklarimet e shtetasit Armand Manahasa, por edhe nga një mesazh zanor i dërguar nga Ajola Xoxa në drejtim të shtetasit Armand Manahasa, i gjendur në telefonin e këtij të fundit, sekuestruar me vendim të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Në këtë mesazh, shtetësja Ajola Xoxa përmend qartë që punimet në katin “sipër” po inspektoheshin nga shtetasi Olsi Efthimi. Periudha në të cilën ky mesazh zanor është dërguar, viti 2021, përkon me informacionet e dala në median online në lidhje me një ndërtim që po kryhej mbi banesën e kryetarit të Bashkisë Tiranë, ndërtim ky mendohej të ishte pa lejen e autoriteteve kompetente.” Theksohet ndër të tjera në faqen 258 të dosjes.
Pra janë një sërë akuzash të ngritura nga prokurori Olsi Dado dhe të konfirmuara me vendosjen e masave të arrestit nga gjykatësi Erjon Bani, që vërtetojnë katërcipërisht se çifti Veliaj-Xoxa jo vetëm janë pronarët e vilës, por mesa duket Veliaj (nisur dhe nga deklaratat e kreut të qeverisë këtë të martë), ka dashur ta manipulojë situatën dhe t’u hedhë hi syve shqiptarëve për vilën në Qerret dhe sa e sa pasuri të tjera të luajtshme e të paluajtshme, që janë ngritur duke shpërdoruar paratë e qytetarëve shqiptarë./ CNA
