Bajram Begaj është presidenti i ri i vendit, pasi u zgjodh nga parlamenti të shtunën që lamë pas.
Megjithatë, prej momentit kur maxhoranca publikoi emrin e tij si kandidaturë për postin e kreut të shtetit, opozita ngriti akuza ndaj tij, duke thënë se Begaj është nën hetim nga SPAK.
Sipas opozitës, ai ishte kallëzuar penalisht nga ish-ushtaraku Artur Meçollari për tjetërsimin e bazave ushtarake. Megjithatë, në një reagim, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka hedhur poshtë këto pretendime, duke thënë se Begaj nuk është nën hetim për asnjë akuzë. SPAK ka mohuar pretendimet se Begaj është regjistruar si person në hetim në regjistrin e veprave penale.
“Zoti Bajram Begaj nuk është në hetim dhe nuk ka ndonjë hetim ndaj tij”, thuhet në përgjigjen e SPAK për BË.