“Oligark” është një ndër fjalët më të përdorura në retorikën e denoncimeve të opozitës, e cila pretendon se Qeveria pjesën më të madhe të buxhetit e ndan me një grusht biznesmenësh dhe nuk mendon për qytetarët.
Por, nëse flasim për oligarkë në Shqipëri, një prej biznesmenëve më të favorizuar nga vendimet e qeverisë është Samir Mane. Ndoshta, është vërtetë ajo që pretendon z.Mane se ai nuk mund të quhet oligark, pasi nuk ka marrë pjesë në asnjë koncesion, por “rastësisht” shumë vendimmarrje të qeverisë çojnë “ujë” te bizneset e tij.
Këtu mund të përmendim taksimin për blerjet online, apo edhe shpalljen e tij investitor strategjik për ndërtimin e “Green Coast” në Palasë. Ai ka përfituar shumë leje ndërtimi edhe për kulla në kryeqytet dhe “fshatra” me vila për të pasurit, ku një prej tyre në liqenin e Farkës. “Rastësisht” qeveria bëri më ngut tunelin e Llogarasë, si dhe një pistë helikopterësh me lekët e shqiptarëve pranë kompleksit të Zamir Manes në Palasë.
E duket se nuk kemi të bëjmë me aq shumë “rastësi”, kur pak kohë më parë u publikua një video ku biznesmi darkonte tek “Nusreti” në Dubai me disa prej zyrtarëve të lartë të qeverisë si Belinda Balluku, Endri Fuga, Arbjan Mazniku dhe Arben Ahmetaj.
E duket se darkat e Samir Manes me zyrtarët e lartë socialistë janë të shpeshta, pasi e njëjta gjë ka ndodh edhe mbrëmjen e djeshme në stadiumin “Air Albania”. Teksa të gjithë e kishin mendjen nga kombëtarja me shpresën se do “ndizej” nga momenti në moment pas një loje të vakët, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka gjetur kohën që të shijojë disa birra dhe të darkojë me Samir Manen. Në shoqërinë e tyre ndodhet dhe ministri për Pushtetin vendor, Arbjan Mazniku.
Pamjet po qarkullojnë në rrjetet sociale, teksa janë publikuar edhe nga kreu i PD-së, Sali Berisha, i cili krahas videos shkruan: “Derrat e kënaqur nuk ngopen kurrë! Gjatë zhvillimit të ndeshjes Lal djegësi dhe Mazniku i biftekut ishin të angazhuar tek pjatat me sushi!”.
Pavarësisht vendit se ku ndodhen, veç për futboll nuk kanë qenë duke folur. Nuk dihet se cili është interesi i radhës i biznesmenit Mane, teksa nuk mund të gjente “bashkëpunëtor” më të mirë se sa Erion Veliaj, i cili jo pak herë është denoncuar për afera korruptive.
Një gjë është e sigurt, asaj darke në stadiumin “Air Albania” do i dalë “tymi” shumë shpejt.