Shkruan Albert Vataj
Më 7 janar 1943, Nikola Tesla u shua në qilarin e hotelit ‘New Yorker’ në New York, SHBA, në kushte aspak të denja për një personalitet të rëndësishëm të shkencës. Duke mos i dhënë kurrë rëndësi gjendjes së tij financiare, Tesla vdiq i varfër e i harruar në moshën 86 vjeçare. Në vitet e fundit të jetës së tij Nikola Tesla nderohej si një shkencetar i çmendur dhe u bë i njohur për pohime të habitshme mbi zhvillime të mundshme shkencore si p.sh. “përçuarja e energjisë pa tela” .
Imagjinoni një botë pa kabllo, ku kompjuterët, televizorët dhe pajisjet elektro-shtëpiake mund të funksionojnë pa fijet përcjellëse të energjisë, ravijëzoni një botë së cilës i rrethvjen një valë elektrike që sjell energji ashtu siç dielli sjell dritë. Fantashkencë! E pabesueshme! Në një botë skeptikësh do të ishte një emigrant nga Kroacia që do të guxonte të pohonte shkencërisht se kjo është e mundur. Atëherë kur energjia elektrike sapo kishte hedhur hapin e magjishëm të ndryshimit të botës, Nikola Tesla, ky shkencëtar propozoi një revolucion wireless, një të sotme të paimagjinueshme.
Askush nuk do ta besonte se një supergjeni si ai do të shuhej tragjikishit i kapluar prej vetmisë dhe i brejtur prej mjerimit, megjithëse ai ishte zotëruesi i 700 shpikjeve që revolucionarizuan elektromekanikën dhe hodhën një hap gjigand në fushën e valëve elektrike.
Ai ishte zotëruesi i 9 gjuhëve, ishte një shpikës, fizikant, inxhinier mekanik dhe inxhinier elektrik. Tesla njihet si ndër shkencëtarët më të përkryer të fundshekullit XIX-të dhe fillimshekullit XX-të. Mbamendet gjithashtu dhe si një shtysë e rëndësisë prioritare i teknologjisë moderne. Patentat e tija dhe punët teorike formojnë bazën e sistemit të fuqisë së rrymës elektrike shndërruese, duke përfshirë sistemin e fuqisë shpërndarëse shumëfazore dhe motorët elektrikë, me të cilët ai ndihmoi në Revolucionin e Dytë Industrial.
Nikola Tesla lindi më 10 korrik 1856, në Smiljan të Kroacisë, në atë kohë pjesë e perandorisë Austro-Hungareze, dhe pasi mbaroi Institutin Politeknik në Raz të Austrisë, u diplomua në Pragë.
Ai e filloi karrierën duke punuar fillimisht si inxhinier elektrik në Budapest, në vitin 1881 dhe dy vjet më vonë u zhvendos në Paris duke punuar për shpikësin e madh të atyre kohërave, Edison në një prej filialeve të “Continental Edison Company”.
Në vitin 1883, Tesla demonstroi për herë të parë në Strasburg prototipin e motorit me induksion, por rrethi i shkencëtarëve europianë në atë kohë ishte tepër radikal për të kuptuar idetë e tij.
Duke parë këtë fakt, në vitin 1884 Tesla pranon të punojë për Thomas Edison në New York, me një rekomandim për Edisonin nga shkencëtari i madh i asaj kohe, Charles Batchelor i cili i shkruante Edisonit: “Unë njoh dy njerëz të mëdhenj në këtë botë, njëri je ti, ndërsa tjetri është ky djalosh”.
Nikola filloi të punonte në laboratorët e Edisonit në New Jersey, por shumë shpejt lindën divergjencat nga idetë brilante të Tesles, të cilat Edison i shihte shumë të rrezikshme për biznesin e vet.
Në atë kohë, ai pak rrjet elektrik që ishte ngritur ishte bazuar mbi rrymën e vazhduar dhe kishte shumë kufizime, ku më kryesorja ishte kufizimi në distancë i transportimit të energjisë, i cili ishte vetëm 3 km dhe për të transportuar këtë energji përdoreshin kabllo përcjellëse të trasha dhe rigjeneratorë të energjisë.
Në këtë moment, Tesla mbështetet për eksperimentet e tij nga bankieri i famshëm i asaj kohe, Morgan. Tesla arrin që më 1888, duke pasur si bazë teorinë e tij për fushën magnetike rrotulluese, të marrë patentën për gjeneratorin polifazë të rrymës alternative si dhe për të gjitha pjesët e tjera të rrjetit të rrymës alternative për transformimin, transportin, shpërndarjen dhe përdorimin e saj.
Në vitin 1895 bëhet realitet ëndrra e Nikolës për të shfrytëzuar energjinë mekanike të ujit të ujëvarës së Niagarës për të prodhuar energji elektrike, duke ndërtuar hidrocentralin e parë në botë. Motorët elektrikë, të bazuar mbi teorinë e Teslës, pushtuan globin. Edhe në ditët tona, të gjitha makineritë elektrike bazohen mbi teorinë e këtij gjeniu. Motori me induksion elektrik i Tesles është klasifikuar si një nga 10 shpikjet më të mëdha të njerëzimit.
Nikola Tesla nuk u mjaftua vetëm me shpikjet e sistemit të rrymës alternative i cili ndryshoi mënyrën e jetesës në botë, por atij i dedikojmë edhe shpikje të tjera, si drita fluoreshente, llamba me gaz neon, komunikimet valore, sistemet valore të transmetimit të energjisë, rrezet lazer, telekomandat, shpikjet e para në robotike etj. Ai gjatë gjithë jetës regjistroi rreth 700 patenta shpikjesh në të gjithë botën dhe hodhi idetë e para në përdorimin e energjisë diellore dhe asaj detare.
Shumë koncepte të Nikola Tesles akoma janë të pazbërthyera dhe të pakuptueshme për botën e shkencëtarëve. Në vitin 1896 Nikola Tesla botoi artikullin shkencor për rrezet X, për të cilat më vonë Wilhelm Rontgen do të merrte patentën, por Tesla me gjenialitetin e tij, që e bënte në shumë raste edhe një njeri kapriçoz dhe të “çmendur”, asnjëherë nuk pretendoi pronësinë e kësaj shpikjeje.
Po në këtë vit, 1896, Tesla botoi edhe një material ku përshkruante hollësisht në një skemë të gjithë elementët e një transmetuesi radio që më vonë u përdor nga Markoni. Gjithashtu, po këtë vit ai shpiku edhe anën tjetër të komunikimit valor, aparatin marrës dhe arriti që për herë të parë të transmetonte dhe të merrte një sinjal pa fije.
Në vitin 1901, me ndihmën e Morganit Tesla ndërton “Wardenclyffe”, laboratorin e tij të ri ku ndërtoi edhe kullën e tij të famshme, e cila ishte e lartë rreth 60 metë dhe kishte një kupolë në majë të saj me diametër 21 metër që do të ishte transmetuesi i parë në botë i energjisë pa fije dhe stacioni i parë broadcast i valëve elektromagnetike. Pikërisht këtu fillon dhe “çmenduria” e Tesles.
Ai kërkonte që me anë të shpikjes se tij të transmetonte energji valore në të gjithë botën, duke furnizuar kështu me energji anijet në det të hapur, të furnizonte trenat, industrinë dhe shtëpitë e njerëzve, duke arritur deri aty sa të komentonte se shpikja e tij mund të përdorej edhe për komunikimet jashtëtokësore.
Pikërisht këtu lind mosmarrëveshja e tij me Morganin, i cili i ndërpret fondet Tesles për kërkimet e tij. Në vitin 1917, kulla e famshme e cila u përdor për qindra eksperimente të Tesles do të shkatërrohet nën pretekstin e sigurisë kombëtare; ishte koha e Luftës së Parë Botërore.
Tesla kërkonte që të transmetonte energjinë në sipërfaqen e tokës. As me anë të transmetimit të saj me valë elektromagnetike dhe duke përdorur jonosferën, por problemi qëndronte tek mjedisi i përhapjes së kësaj vale, ajri. Ajri ndikonte në humbjen e energjisë me rritjen e distancës së transmetimit të saj.
Për këtë, Tesla mendoi që të përdorte Tokën si përcjellës dhe më vonë si kapacitor të energjisë, por Toka deri në atë kohë ishte përdorur si “tokë” në teorinë e elektricitetit dhe mund të shkarkonte çdo kondensator. Por, ai hodhi idenë që mund të emetonte energji të mjaftueshme në Tokë dhe ta kthente atë në një kondensator gjigant, dhe për këtë filloi eksperimentet në kullën e tij duke përfituar nga një marrëveshje me hidrocentralin e Colorado Springs për të përdorur energji pa pagesë.
Në atë kohë, nga eksperimentet e Tesles bari përreth laboratorit të tij natën shkëlqente me drita vezulluese të kaltra, ndërsa njerëzve që ecnin aty pranë u kërcisnin hapat sikur të ecnin mbi një rërë të trashë. Në një natë vjeshte, Tesla me anë të pajisjes së tij që e quante “Transformatori i shkëlqyeshëm”, arriti të pomponte në sipërfaqen e Tokës një tension 1 milion volt. Rryma përshkoi globin me shpejtësinë e dritës dhe mbërriti në anën tjetër të tij, duke u rikthyer mbrapsht, por duke dobësuar intensitetin.
Por, Tesla në rezonancë me kthimin arrinte të pomponte përsëri rrymë, duke e forcuar valën ashtu siç bëhet me një lisharës. Fenomeni erdhi duke u forcuar dhe shkaktoi djegien e siguresave në hidrocentral, por edhe rrufe gjigante pranë laboratorit si dhe një tërmet prej rreth 5 ballë.
Në vitin 1917, Tesla ndërton një stacion i cili nëpërmjet valëve elektromagnetike zbulonte vendndodhjen precize të anijeve armike, sistem i cili do të quhej radar në Luftën e II-të Botërore.
Nikola Tesla vdiq më 7 janar 1943, në një dhomë të hotel ‘New Yorker’, ku kaloi 10 vitet e fundit të jetës së tij.