Tani që ish-shefi i zyrës së FBI-së në New York, Charles McGonigal ka pranuar se fajësinë e akuzave të prokurorisë amerikane duke u shpjeguar se erdhi në Shqipëri për të bërë para, tani që Dorian Duçka dhe Agron Neza i kanë dhënë versionet e tyre për aferën “McGonigal”, duket se i ka ardhur radha Edi Ramës të merret në pyetje nga SPAK. Në takimin që pati në Shkodër me studentë të Universitetit Luigj Gurakuqi, kreu i SPAK, Altin Dumani la të kuptohet se do ta thërrasë Ramën për ta pyetur për dosjen “McGonigal” dhe se nuk intimidohet nga pushteti që e vesh kostumi i kryeministrit.
“NUK KA RËNDËSI EMRI, POR PROVAT DHE NUK KA RËNDESI PUSHTETI QË KA DHE NË NJË MOMENT DO T’I DUHET KUJTDO QË TË VIJË DHE TË JAPË LLOGARI NË SPAK APO GJYKATË” U SHPREH DUMANI, KUR STUDENTËT E PYETËN NËSE DO TA FTOJË RAMËN TË JAPË VERSIONIN E TIJ TË NGJARJEVE PËR MCGONIGAL APO JO.
Historia e marrëdhënies okulte që krijoi kryeministri Edi Rama me ish-shefin e FBI-së Charles McGonigal përmban në vetvete një nga skandalet më të mëdha të keqpërdorimit të institucioneve amerikane me qëllim goditjen e opozitës shqiptare. Ndërkohë që në Shtetet e Bashkuara e vërteta për korruptimin e McGonigal është zbuluar me detaje nga prokuroria amerikane, që e detyroi Charles McGonigal të rrëfehet dhe të pranojë një marrëveshje për të bërë burg, në Shqipëri dosjes i mungon një element thelbësor siç është dëshmia e Edi Ramës.
Duke marrë parasysh disnivelin në hetime, kreu i prokurorisë speciale, Altin Dumani është kritikuar jo pak herë se institucioni që drejton ka fshikulluar me forcën e ligjit kreun e opozitës, Sali Berishën, por është zbythur kur vjen puna tek Edi Rama, për të cilin materialet e publikuara përtej Atlantikut qenë kompromentuese për ish-mikun e tij “Çarlin” siç e quante vetë Rama në konfidencë.
“NGA SHUMË MEDIA NË MUAJIN SHKURT TË VITIT TË KALUAR DHE DERI PARA 2-3 MUAJSH, KEMI MARRË KRITIKA PSE NUK KEMI REGJISTRUAR ÇËSHTJEN E MC GONIGAL DHE GJITHË KRITIKËT DUHET TË NDJEHEN TË ZHGËNJYER, SE E KEMI REGJISTRUAR QË NË JANAR TË VITIT 2022. DUHET TË PRESIM MOMENTIN KUR TË KEMI DIÇKA KONKRETE PËR TA PUBLIKUAR” KA THËNË SOT DUMANI DUKE IU PËRGJIGJUR ATYRE QË E AKUZOJNË PËR STANDARTE TË DYFISHTA NË HETIMIN E POLITIKANËVE.
Me këtë deklaratë, Dumani ka pranuar se ka vepruar në kundërshtim me vullnetin e kryeministrit Rama, që në shkurt të vitit 2022 shprehej se “me shpifje ekstreme synohet manipulimi i opinionit me një çështje të hetuar nga drejtësia amerikane që ka shkuar në gjykatë e që s’ka asnjë lloj lidhje me ne këtu”.
Hetimin e Edi Ramës për koruptimin e Charles McGonigal e kërkoi fillimisht Gazment Bardhi. Në janar të vitit 2023, kreu i grupit parlamentar të PD-së depozitoi një kallëzim në SPAK me pretendimin se Rama kishte korruptuar Charles McGonigal dhe duhej hetuar për këtë.
Në fund të shtatorit, pasi McGonigal pranoi fajësinë në gjykatat amerikane, Gazment Bardhi kërkoi informacion mbi hetimet dhe në letrën drejtuar Altin Dumanit kujtonte se: “Rezulton se gjatë dëshmisë për pranimin e fajësisë Charles F. McGonigal ka shpjeguar se marrëdhënien me Edi Ramën e krijoi për efekt të biznesit”.
Pas kësaj, Bardhi mori përgjigje nga SPAK, por u detyrua të firmosë një deklaratë për mosnxjerrjen e sekretit hetimor. Në muajt në vazhdim, oficerët e BKH morën në pyetje Dorian Duçkën dhe Agron Nezën, të cilët në dalje të institucionit nuk folën për mediat. Se çfarë kanë deklaruar këta të dy në SPAK, mbetet një mister, por nga dosja e prokurorëve amerikanë ku Edi Rama përmendet 11 herë, kuptohet lehtësisht se Agron Neza ka preferuar të bashkëpunojë me drejtësinë amerikane.