Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka hapur tenderin për blerjen e 4000 ton karburant, për 2 termocentralet lundrues, që ndodhen në Triport të Vlorës. Sipas dokumenteve të tenderit, blerja e kësaj sasie është parashikuar në përputhje me nevojën e furnizimit për periudhën e komisionimit dhe testimit te asetit termik lundrues.
Ndërkaq, lidhur me çmimin e produktit të kërkuar, bazuar në praktikat brenda vendit, parashikohet që çmimi të jetë i formuar nga një referencë në tregjet ndërkombëtare, të cilit i shtohet një çmim Premium.
Po ashtu, KESH specifikon se 2 TEC-et lundrues kanë nevojën e furnizimit me lëndë djegëse të llojit HFO, me përmbajtje të squfurit jo më të madhe se 0.5%. Kompanitë e interesuar duhet të parqesin ofertat e tyre deri në datën 9 shkurt, në një adresë e-mail të vën në dispozicion nga Korporata. Më herët, ky dikaster shpalli edhe kompaninë fituese që do të depozitojë dhe ngarkojë – shkarkojë lëndën djegëse për funksionimin e 2 termocentraleve lundrues në Vlorë.
Me një ofertë prej 7.2 mln euro fituese u shpall “La Petrolifera Italo – Albanese”, që është gjithashtu mbajtëse e koncesionit të terminalit të përpunimit të naftës dhe nënprodukteve të saj, i pozicionuar në afërsi të 2 impianteve të gjenerimit të energjisë. Këto impiante të prodhimit të energjisë nga karburanti u tenderuan përmes një procedure emergjente në kuadër të krizës energjetike gati 2 vite më parë, por deri më tani ato nuk janë vënë në punë.