Kreu Aktualitet Një shekull i hidhur, një komb ende i ndarë

Një shekull i hidhur, një komb ende i ndarë

0
23

Shkruan Zef Ndreka

– Shqiptarët kanë humbur shumë në një shekull.
Por ende nuk e kanë humbur të drejtën për të ndërtuar një shekull më të mirë.
“Po plakesh”, më thanë, “nuk je më ai që ke qenë, po bëhesh më i hidhur dhe më i vetmuar.”
Kjo fjali e Viktor Hygos tingëllon sikur të ishte shkruar për një Shqipëri që ka kaluar një shekull të tërë duke kërkuar veten.
Njëqind vjet histori shqiptare nuk janë vetëm rrëfim i kohës që kalon, por është histori e një vendi të cunguar, e një kombi të ndarë, e shqiptarëve që u zgjuan në fillim të shekullit XX duke parë se kufijtë e tyre nuk përputheshin me kufijtë e tyre etnikë. Shqipëria u krijua si shtet, por shqiptarët mbetën përtej kufijve të saj.
Që prej asaj kohe, historia jonë ka qenë një përpjekje e vazhdueshme për të mbijetuar, për tu konsoliduar dhe për të mos e humbur identitetin. Luftëra, pushtime, diktaturë, izolim, varfëri, tranzicion, emigracion dhe ndarjet politike, kanë lënë gjurmët e tyre mbi shoqërinë shqiptare.
Por ndoshta plagët më të thella nuk janë vetëm ato që na i kanë shkaktuar të tjerët. Janë edhe ato që ia kemi shkaktuar vetes.
Një shekull më pas, shqiptarët vazhdojnë të jenë të ndarë mes kufijve që historia ua imponoi dhe kufijve që politika, interesat dhe mosmarrëveshjet i kanë thelluar.
Shqipëria, Kosova, shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, në Malin e Zi, në Preshevë e kudo tjetër në hapësirën shqiptare kanë përjetuar fate të ndryshme politike, por mbajnë një kujtesë të përbashkët historike.
Dhe këtu qëndron paradoksi ynë ku kemi mbijetuar si komb, por shpesh kemi dështuar të sillemi si një komb që e njeh peshën e historisë së vet.
Jemi bërë më të pasur në kujtime, por jo gjithmonë më të mençur prej tyre. Kemi ndërtuar shtete, por ende vuajmë nga dobësia e institucioneve. Kemi fituar liri, por shpesh e kemi përdorur lirinë për tu ndarë mes nesh. Kemi fituar mundësi për të ardhmen, por vazhdojmë të grindemi për të shkuarën.
Ndoshta ky është edhe “hidhërimi” për të cilin flet Hygoja.
Jo hidhërimi i moshës, por ai i një populli që ka parë shumë dhe ka harruar shumë. I një shoqërie që ka paguar shtrenjtë për gabimet e saj, por që rrezikon ti përsërisë ato. I një kombi që ka humbur njerëz, territore, breza të tërë emigrantësh dhe mundësi historike, por ende nuk ka humbur shpresën.
Po vetmia?
Ajo është ndoshta ndjenja më e dhimbshme e shqiptarëve të shekullit XXI.
Sepse miliona shqiptarë jetojnë jashtë vendit. Një pjesë e madhe e rinisë e sheh të ardhmen përtej kufijve. Fshatrat boshatisen, qytetet ndryshojnë fytyrë, ndërsa familjet shpesh janë të ndara mes Shqipërisë dhe Europës.
Por një komb nuk plaket vetëm sepse humbet njerëzit, por plaket kur humbet besimin se mund ta ndryshojë të ardhmen.
Shqipëria nuk duhet të mbetet peng i një shekulli të copëtimit, i zhgënjimeve dhe konflikteve. Historia nuk mund të ndryshohet, kufijtë e vendosur nga historia europiane nuk zhbëhen me dëshira dhe e kaluara nuk korrigjohet me sjellje jo dinjitoze.
Ajo që mund të ndryshohet është mënyra se si shqiptarët ndërtojnë të ardhmen.
Një shtet më i fortë me institucione më të besueshme, me më shumë drejtësi, me më pak përçarje, me më shumë respekt për dijen, kulturën dhe historinë. Një Shqipëri europiane që nuk e kërkon madhështinë tek nostalgjia, por tek shteti që ndërton.
Sepse pas njëqind vjetësh nuk kemi më luksin të ankohemi vetëm për atë që na ka bërë historia.
Tashmë duhet të pyesim veten çfarë do të bëjmë ne me historinë që na ka mbetur.
Dhe ndoshta këtu ndahet një komb që po plaket nga një komb që po piqet.
Plakja sjell hidhërim dhe vetmi, ndërsa pjekuria duhet të sjellë kujtesë, urtësi dhe përgjegjësi.
Shqiptarët kanë humbur shumë në një shekull.
Por ende nuk e kanë humbur të drejtën për të ndërtuar një shekull më të mirë.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu