Gjendja e avokatit Sokol Mëngjesi, vijon të mbetet e rëndë, pasi u dhunua nga 4 persona ditën e martë në zonën e Ish-bllokut.
Ai është në monitorim intensiv nga stafi mjekësor në reanimacion të Spitalit të Traumës, ku i bëhen ekzaminime herë pas here për të parë gjendjen e tij, nëse hemoragjia që ka pësuar në kokë është përkeqësuar.
Burime nga spitali i Traumës kanë bërë me dije për mediat, se do të pritet deri të hënën dhe nëse gjendja do të jetë e njëjtë siç po vijon dhe nuk do ketë përkeqësim, do të tentohet zgjimi, për ta nxjerrë nga intubimi.
Ndërkohë në Gjykatën e Tiranës është mbajtur seanca për masën e sigurisë, për 2 prej personave të arrestuar në lidhje me sulmin. Gjykata ka caktuar masën e sigurisë arrest me burg për Dritan Nanon dhe Dorian Alian, organizatorin dhe njëri nga autorët e sulmit të avokatit Sokol Mëngjesi.
Edhe për Drivald Alia, Elton Kasaj dhe Romario Tabaku, prokuroria ka kërkuar caktimin e masës së sigurisë arrest me burg në mungesë për të njëjtat akuza si Nano e Alia.