Shkruan Zef Ndreka
-a mund të kthehet Erion Veliaj nga një i pandehur në një bashkëpunëtor të drejtësisë?
– a do të bëhet i penduar i drejtësisë për të larë ndonjë hesap ndaj qytetarëve edhe pse është ende në gjykim?!
Kjo pyetje bëhet interesante, sepse transferimi i Erion Veliajt në burgun e Fierit mund të shihet edhe në kontekstin e raportit të tij me drejtësinë, me Bashkinë e Tiranës dhe me përgjegjësinë politike e publike që ka mbajtur.
Veliaj është ende në proces gjyqësor dhe nuk mund të konsiderohet fajtor pa një vendim përfundimtar, por kjo nuk e përjashton përgjegjësinë e tij për të dhënë shpjegime publike për çështjet që lidhen me administrimin e Bashkisë.
Më interesantja do të ishte ajo që, në kushtet e mandatit kur po i afrohet fundit, ai të zgjedhë të flasë më hapur për gjithçka që di.
Por a mund të kthehet Erion Veliaj nga një i pandehur në një bashkëpunëtor të drejtësisë?
Ligjërisht, kjo është e mundur, por nuk mjafton edhe të bësh deklarata apo edhe të akuzosh të tjerët. Bashkëpunimi nese zgjedh ta bëje, duhet të jetë konkret, i dobishëm për hetimin dhe i verifikueshëm nga prokuroria.
Pra, Erion Veliaj, a do të zgjedhë të bëhet nga kryebashkiak në të penduar të drejtësisë?
Transferimi i Erion Veliajt në burgun e Fierit ka rihapur një sërë pikëpyetjesh për të ardhmen e tij politike dhe gjyqësore. Ndaj, për këtë ai, a do të vazhdojë të mbajë qëndrimin e deritanishëm, duke mohuar akuzat, apo do të vendosë të bashkëpunojë me drejtësinë?
A ka ai çfarë të tregojë për mënyrën se si funksiononte pushteti në Bashkinë e Tiranës? A do të flasë ai për tenderat, për lidhjet, për ndërmjetësit dhe për njerëzit që mund të kenë përfituar nga pushteti?
Sigurisht, nuk mund të paragjykojmë as fajësinë dhe as ndonjë marrëveshje të mundshme me drejtësinë.
Por koha politike për Veliajn është e kufizuar. Gjashtë muaj mund të jenë pak për të ndryshuar një histori politike, por mjaftueshëm për të zbardhur shumë të vërteta.
Nëse Veliaj vendos të flasë, të presim çfarë do të thotë për veten, por edhe kë do të përfshijë në rrëfimin e tij…







