Kuvendi i Kosovës po zhvillon këtë të mërkurë një seancë të jashtëzakonshme të thirrur nga opozita për procesin e përllogaritjes dhe shlyerjes së borxheve të kompanive të ambalazhimit të ujit.
Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, kanë zhvilluar një aksion simbolik, duke vendosur kapele të zeza në ulëset e deputetëve të LVV-së, të cilët kanë bojkotuar seancën e sotme.
Ky aksion vjen pas publikimit të disa bisedave të koordinatores për komunitete të LVV-së, Dejona Mihali me ish-drejtorin e KEK-ut Nagip Krasniqi, ku në njërën nga këto biseda të publikuara në mediat vendase, se Mihali i është drejtuar Krasniqit se “a po vjen me kapele”.
“Me ju fol në Kuvend këtyre kapelave është si me fol për deputetët e VV-së. Këta kanë vendosur të jenë si këto kapela. Këta janë të shkretë. Përmes këtyre kapelave të zeza që na i nxori në pah Dejona, këta janë munduar të mbulojnë shumë krime.
Janë munduar të mbulojnë krimin e faljes së borxheve që shkon deri në 20 milionë euro… këta kanë vendosur ta mbulojnë krimin edhe në rezerva shtetërore. Më së lehti është ta vendosësh një kapele dhe të fshihesh por do të dalin të gjitha”-u shpreh Shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri.