Shkruan Zef Ndreka
Me 23 janar të vitit 1946, pra plot 79 vite më parë, shkrimtarja e re Musine Kokalari do të dënohej si disidente e regjimit komunist të Enver Hoxhës.
Ajo ishte e para grua disidente që kishte krijuar partinë social-demokrate, pikërisht në vitin 1943. Pas luftës, ajo u dënua 20 vite në burg politik deri në vitin 1961, si kundërshtare e rregjimit. Bëri plot 15 vite.
Më pas, ajo do të lirohej, por për të qënë plotësisht e izoluar, në internim, për njëzet e dy vite të tjera, deri në vitin 1983.
Në atë vit do të ndërronte jetë e vetmuar në qytetin e Rrëshenit.
Musine Kokalari, edhe pse ishte nga Gjirokastra, pra nga i njëjti qytet me Enver Hoxhën, e dinte fatin e saj, edhe pse e kishte kushëri udhëheqësin, por për ironi internimi i saj mbi 22 vjeçar ndodhi pikërisht në Mirditë, në zonën e prejardhjes së saj.
Nuk është i ri fakti se të dy, pra Musine Kokalari dhe Enver Hoxha, kishin nje origjinë, nga Oroshi i Mirditës dhe ishin pasardhësit e familjes së Kol Gjonit.
Musine Kokalari ishte një rreze e fuqishme drite, ishte një nga intelektualet më të shquara të kombit, që gjithë jetën e saj e kaloi në burgjet e diktatures dhe në internim.
E kujtoj atë zonjë, me pamjen e saj fisnike e të veshur gjithmon aq hijshem, sidomos në ditën e flamurit.
E kujtoj ambjenteve të bibliotekes, të kinemasë së qytetit, në rradhën e ushqimeve, si dhe në gjirot e mbrëmjeve.
Sa herë e kemi menduar fatin e njerzëve të tillë, kemi besuar se ato janë dëshmia e gjallë dhe pasqyra e gjithë asaj shëmtie e barbarie të komunizmit.
Shumë e trishtë historia e saj. Sa herë kthehemi pas në vite, kujtojmë me shumë nostalgji dhe respekt këtë zonjë të vërtetë, këtë grua që nuk u bë kurrë nënë, këtë intelektuale shumë të shquar, që periudhën më të bukur të jetës së saj ja “fali” burgut dhe internimit.
Musine Kokalari ka të botuara tre libra. Libri I parë titullohet:
“Seç më thotë nëna plakë” , botuar në vitin 1939.
Në vitin 1944 boton librin e dytë: “Rreth vatrës”.
Ndërsa në vitin 1945 librin e tretë :
“Sa u tund jeta”.
Këtu jeta e saj u ndalua, duke e veçuar, duke e përndjekur, duke e përgjuar, deri në vdekje…
Promoted Content