Ditën kur u arrestua në zyrë, Erion Veliajt iu mor edhe celulari i tij, të cilin këtë të martë kryebashkiaku i Tiranës, kërkoi ta rimarrë. E njëjta dyshe që e la në burg, Ols Dado e Erjon Bani, ishte pjesë e seancës për ankimimin ndaj sekuestros, ku gjyqtari i posaçëm e rrëzoi kërkesën e Veliajt dhe nuk ia ktheu celularin.
Në një reagim nga paraburgimi i Durrësit, Erion Veliaj thotë se një nga arsyet pse prokurori Dado kërkoi ndaj tij arrest në burg dhe gjyqtari Bani e pranoi, ishte rreziku i prishjes së provave. Me ironi, Veliaj pyet se ku qëndron rreziku i prishjes së provave, kur celularin e tij e ka SPAK të sekuestruar, apo edhe lodrat e djalit të tij dhe ish-makina e vjehrrit Arben Xoxa janë në sekuestro.
Veliaj ndalet edhe në rastin e shtëpisë njëkatëshe në Yrshek për ndërtimin e së cilës aplikoi në bashki kompania Fusha, e që sot mban në burg për korrupsion pasiv Erjon Veliaj dhe me masë biznesmenin Fusha.
Po cilat prova do prish unë? Celularët i ka Olsi. Kanë edhe lodrat e fëmijëve dhe ish makinën e vjehrrit. Ç’a halli kanë? Mos do marr makinën e Ben Xoxës e do e djeg në Fushë-Krujë a Mumajes si mjet i krimit? Do vete në Yrshek të nxjerr fakirin nga shtëpia një katëshe apo do fshij statuset për balerinët e Preljocajt? Ols Dado dhe Erion Bani, ju mendoni se jeni më të lirë se unë në burg, por ju burgun e keni në shpirt e njerëz të lirë nuk keni qenë kurrë”, shkruan Veliaj.
Një ditë më parë Veliaj argumentoi se edhe dyshimi i hetuesit se mund të arratisej nuk qëndronte pasi gjatë fazës që ai po hetohej, udhëtoi 3 herë jashtë vendit, në Gjermani e SHBA dhe u kthye për tu përballur me drejtësinë, kështu që masa sipas tij mund të ishte bllokimi i pasaportës.
Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i është drejtuar me ankesë zyrtare Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, duke kërkuar pezullimin dhe hetim disiplinor të Ols Dados me pretendimin se ai po e heton çështjen e tij në konflikt interesi, kërkesa që kanë mbërritur në dy institucionet e drejtësisë e pritet të shihet se çdo të bëhet me to.
Reagimi i plotë i Erion Veliajt
Se mos prishen lodrat!
Më ka marrë malli pa fund për ju të gjithë: Familjen, Tiranën e secilin që bën punë të mira në këtë vend.
Por, gjer sa të shihemi sërish, më duhet të vazhdoj çmontimin e kurthit pse jam në burg: rrezik ikje, prishje provash, rrezik shoqëror.
Dje rrëzova “frikën e ikjes” prej Ols Dados e Erion Banit, pasi kisha ikur 3 herë e isha kthyer 3 herë, teksa gatuhej çarku ndaj meje.
Arsyeja e dytë pse gjykatësi Bani pranoi nga Olsi burg për mua, është rreziku i prishjes së provave. Po cilat prova do prish unë? Celularët i ka Olsi, timin dhe të nja 10 grarive në Tiranë, me të cilët mund të vojerizojë gjithë ditën e gjithë natën, të shohë çdo foto familjare, bebet, kërthizën, dhëmbin e parë, videot e fjalëve të para, fotot me gjyshin e ndjerë në plazh; të gjitha provat e nevojshme për ku e si jetojmë.
Cilat prova do të prish unë?
Kanë edhe lodrat e fëmijëve dhe ish makinën e vjehrrit. Ç’a halli kanë? Mos do vete do formoj legot, e nga traktor do bëj vapor lodër, apo do marr makinën e Ben Xoxës e do e djeg në Fushë-Krujë a Mumajes si mjet i krimit?
Çfarë provash do prish?
Do vete në Yrshek të nxjerr fakirin nga shtëpia një katëshe apo do fshij statuset për balerinët e Preljocajt?
Boll u bëtë qesharakë! Po i thoni miletit se po punove do ta hash, po pate kurajo do dënohesh, po solle progres do të bëjnë gjëmën, po fitove do të të shqyejmë.
Olsi Dado dhe Erion Bani, ju mendoni se jeni më të lirë se unë në burg, por ju burgun e keni në shpirt e njerëz të lirë nuk keni qenë kurrë!
Përqafime të gjithëve!