Gledis Nano – Drejtuesi që mund të rikthejë besimin te Byroja Kombëtare e Hetimit

0

Shkruan Matilda Kurti

Pas një betejë të gjatë ligjore, ku Gjykata Administrative i dha të drejtë dhe e shpalli të paligjshëm shkarkimin e tij nga Policia e Shtetit, Gledis Nano rikthehet në qendër të vëmendjes si kandidat për drejtimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH). Me një dëmshpërblim prej rreth 100 mijë euro, vendimi i gjykatës nuk ishte thjesht një fitore personale, por edhe një sinjal për nevojën e drejtësisë brenda vetë sistemit shtetëror.
Nano, me një karrierë të gjatë në Policinë e Shtetit dhe një profil të formuar përmes bashkëpunimeve ndërkombëtare me FBI, Europol e Interpol, pritet të sjellë në BKH një frymë disipline, profesionalizmi dhe pavarësie funksionale. Eksperienca e tij si drejtues operacional, i formuar mbi terren dhe jo në zyrë, e vendos atë si një kandidat që di të ndërtojë struktura të forta, të besueshme dhe efikase.
Nëse zgjidhet në krye të BKH-së, pritet që Nano të ndërtojë një model të ngjashëm me atë të strukturave ndërkombëtare të hetimit: hetime të targetuara, bashkëpunim të ngushtë me SPAK, ndërveprim të zgjeruar me inteligjencën ndërkombëtare dhe një sistem të brendshëm disipliline që nuk toleron dobësi apo ndikim politik.
Por sfidat nuk do të mungojnë. Menaxhimi i një strukture si BKH kërkon më shumë se sa eksperiencë policore: kërkon njohje të thellë të hetimit penal, ndërtim të një ekipi të larmishëm me ekspertizë të avancuar në fushat e ekonomisë, IT-së dhe analizës strategjike, si dhe aftësi për të ruajtur ekuilibrin midis zbatimit të ligjit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut.
Përtej aspekteve teknike, kandidatura e Gledis Nanos bart edhe një simbolikë të fortë: rikthimin me dinjitet të një zyrtari të shkarkuar padrejtësisht, që tani kërkon të kontribuojë në ndërtimin e një strukture hetimore të pavarur, larg ndikimeve politike, dhe në shërbim të qytetarëve dhe ligjit.
Nëse ky rikthim shndërrohet në një përgjegjësi institucionale të mirëdrejtuar, BKH nën drejtimin e Gledis Nanos mund të jetë më shumë se një strukturë hetimore — mund të bëhet një pikë kthese për drejtësinë shqiptare.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu