Shkruan Ferdinand Dervishi
Sot televizioni News 24, i treti më i madh në vend, u gdhi nën rrethim policor, u penguan gazetarët të shkonin në vendet e punës, u ndërpre sinjali i transmetimit.
Një vendim gjyqësor i 3 javëve më parë i ka njohur pronësinë e godinave, mbase edhe të truallit, Bashkisë së Tiranës.
Logjikisht, pas vendimit të formës së prerë të gjykatës, një televizioni i duhen, jo 3 javë, por 3, apo më tepër muaj kohë, që të zhvendoset në një ambient tjetër.
Pra pikëpyetjet më të mëdha për mua janë: përse po veprohet me kaq ngut, përse kaq dhunshëm, përse me panoramë e shije terrori? Kujt i intereson/pëlqen, kush kënaqet/masturbohet etj nga e gjitha kjo?
Përse po merret përsipër risku i dhunës dhe terrorit ndaj mediave në një vend që ka shumë probleme pikërisht me lirinë e medias?
Gjithë sa po ndodh për mua ka lidhje me psikologji diktatorësh e terroristësh, të cilët shohin te veprimet e dhunshme goditje hakmarrëse që, më tepër se kundër televizionit News 24, tentojnë të dhunojnë dhe terrorizojnë gjithë mediat dhe gazetarët kritikë ndaj shtetit që tashmë drejtohet nga pushteti i një njeriu të vetëm.
Është mentalitet i njëjtë me atë të terroristit, i cili nuk preferon të qëllojë me snajper apo kallash, por të vendosë eksploziv.
Sepse shpërthimet bëjnë shumë zhurmë duke shkaktuar panik në një numër të madh njerëzish, duke përcjellë mesazhin e forcës, dhunës dhe terrorit në maksimumin e mundshëm.