Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike është mbledhur këtë të mërkurë, ku kryetari i kësaj force politike Sali Berisha foli për çështjen e kryetarit të bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, i cili ndodhet në paraburgimin e Durrësit, që prej muajit shkurt të vitit 2025 dhe për thirrjen e zv.kryeministres Belinda Balluku në SPAK.
Berisha tha se tani e ka radhën kryeministri Edi Rama të hetohet nga prokurorët. Madje shtoi se ose ai largohet nga pushteti, ose ky është fundi i opozitës.
“O ai largohet, ose është fundi i opozitës. Të jem shumë i sinqertë. Kam besim të guximi, tek trimëria dhe vendosmëria e demokratëve, e opozitarëve. Tani e kanë lakuriq narkosin, s’ka më iluzione.”, tha Berisha.
Më tej, Berisha nisi të fliste për zgjedhjet e 11 Majit, raportin e OSBE-ODIR dhe progres-raportin e publikuar një ditë më parë nga Komisioni Europian për Shqipërinë.
“Sot apo dje më mirë u publikua raporti i BE, dua të përshëndes të gjithë zyrtarët për përgjegjësinë e treguan në shkrimin e raportit. Në fakt raporti ka të gjitha pikat tona, veç gjendjes në Shqipëri. Raporti thotë se problemi kryesor në vend është se qeveria përdor institucionet për qëllime politike. Raporti është një aktakuzë ndaj qeverisë. Thotë se administrata është e politizuar dhe fondet publike keqmenaxhohen”, tha Berisha.
Sipas kreut të PD-së, raporti për zgjedhjet ka prekur problematikën kryesore të zgjedhjeve, tek barazia.
“Pra si Shën Thomai, e ka vënë gishtin aty ku prova është absolute. Tek barazia e lojës. Thotë se u keqpërdorën burimet publike, pra thotë se shteti dhe partia u sollën një me këtë nënkuptim dhe se nuk janë zbatuar rekomandimet e OSBE-ODIHR dhe të Komisionit të Venecias. Pra nuk ka shkëlqim.”, tha Berisha.








