Lulzim Basha një mision i këputur, as karakter lideri, as guxim për të qënë i pavarur

0

Shkruan Zef Ndreka

Historia politike e tranzicionit shqiptar është e mbushur me figura që u ngjitën shpejt dhe u shuan po aq shpejt. Por pak shembuj janë kaq domethënës sa rasti i Lulzim Bashës.
Dikur përfytyruar si “fytyra e re” e Partisë Demokratike, si simbol i brezit europianist që do të çonte opozitën drejt reformimit dhe modernizimit, ai ka përfunduar sot pa parti, pa bazë dhe pa besim politik. Nga kryetar zyrtar i opozitës dhe kandidat për kryeministër, Basha ndodhet sot në një pozitë të vështirë, i izoluar, pa ndikim real, i thirrur si dëshmitar në SPAK për një nga ngjarjet më tragjike të demokracisë shqiptare, 21 janarin.
Ngjitja e tij në politikë ishte e shpejtë dhe e çuditshme. Nuk lindi nga terreni i betejave politike, as nga përvoja e gjatë në strukturat e PD-së, por si një katapultim i përgatitur në zyrat e lidershipit dhe i shoqëruar nga një mbështetje e çuditshme, e dyshimtë dhe e fortë ndërkombëtare.
Për një kohë të shkurtër, Lulzim Basha u shfaq si njeriu i duhur për të pasuar Berishën, për t’i dhënë një frymë të re partisë, për ta çuar atë drejt reformimit dhe për të rikthyer besimin e humbur të shqiptarëve te opozita.
Por ky iluzion nuk zgjati. Qysh në vitet e para të drejtimit të tij, u duk qartë se Basha nuk kishte as karakterin e liderit, as guximin për të qenë i pavarur.
Ai lëvizi gjithmonë nën hijen e Berishës, pa ditur asnjëherë të ndajë qartë interesin e vet politik nga interesi i “babait politik” që e krijoi, e mbështeti dhe e shkatërroi. Kulmi i kësaj pasigurie u pa kur SHBA shpalli Berishën “non grata”. Në vend që të kishte një qëndrim të prerë e dinjitoz, Basha zgjodhi lojën e dyfishtë. Njëherë për të shpallur ndarje formale, dhe njëherë tjetër për të mos e humbur mbështetjen e atyre që ende e shihnin Berishën si simbolin e PD-së.
Kjo paqartësi strategjike dhe mungesë vizioni e çoi partinë drejt përçarjes më të thellë në historinë e saj. Në vend të reformimit, opozita u fragmentua në disa copa. Në vend të rinovimit, u kthye në përsëritje të së shkuarës. Dhe në fund, Basha mbeti pa asnjërën palë, as me Berishën, as me demokratët. Ai humbi betejat elektorale, humbi besimin e ndërkombëtarëve dhe humbi sensin e drejtimit politik.
Thirrja e tij në SPAK për të dëshmuar mbi ngjarjet e 21 janarit është simbolikisht kapitulli i fundit i këtij udhëtimi të dështuar. Nga njeriu që pretendonte të përfaqësonte moralin e ri të politikës, është kthyer në një figurë të shuar që lidhet më shumë me dosjet e së shkuarës sesa me shpresën e së ardhmes.
“Misioni” i Lulzim Bashës mund të konsiderohet pa mëdyshje një mision i këputur, në të gjitha kuptimet. Ai nuk arriti të ndërtojë një projekt politik me rrënjë, as të rikthente shpresën e opozitës shqiptare.
E nisi si një premtim europian dhe e mbylli si një zhgënjim kombëtar. Në fund, historia e tij mbetet një mësim i qartë për politikën shqiptare ku asnjë projekt i ngritur mbi ndërhyrje të huaja, kalkulime personale dhe mungesë autenticiteti nuk mund të mbijetojë gjatë.
Opozita nuk kërkon fytyra të importuara, por lidership të vërtetë, që buron nga populli dhe që i qëndron fjalës së dhënë.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu