Sali Berisha nuk u paraqit në SPAK për të dhënë llogari për krimin shtetëror të 21 janarit. Prokuroria e Posaçme i kishte dërguar për herë të fletëthirrje, duke i kërkuar që të paraqitej në SPAK sot në orën 10:00, ku pritej të merrej në pyetje nga prokurori i çështjes Alfred Shehu si person që ka dijeni mbi vrasjen e 4 protestuesve në bulevard, të cilët u qëlluan me plumba nga godina e Kryeministrisë kur Berisha ishte në pushtet.
Fletëthirrja ishte dërguar në tre adresa, në banesën e tij në rrugën “Mustafa Matohiti”, në Kuvend si edhe në selinë e Partisë Demokratike. Kjo ishte thirrja e dytë e firmosur nga SPAK për ish-kryeministrin, pasi e para, e lëshuar më 3 nëntor, ishte kthyer mbrapsht pa u hapur. Për këtë arsye, SPAK lëshoi një fletëthirrje të re me datë 7 nëntor, këtë herë në të gjitha adresat zyrtare të Berishës.
Por, sërish Berisha injoroi thirrjet e SPAK dhe nuk u paraqit. Kjo do të ishte përballja e parë e Berishës me SPAK, pasi ai nuk është pyetur asnjëherë më parë për krimin shtetëror të 21 janarit. Që nuk do të shkonte në SPAK, Berisha e kishte paralajmëruar që një ditë më parë, kur deklaroi se do të paraqitet vetëm kur të marrë në dorë fletëthirrjen. Berisha sulmoi prokurorët duke i quajtur shërbëtorë që po e përdorin çështjen për të mbuluar skandalet e qeverisë.
“Jam përgjigjur gjithë jetën time çdo thirrjeje të organeve të drejtësisë dhe do të përgjigjem edhe tani. Ka vetëm një kusht: të më vijë thirrja.Njoftimi duhet të vijë siç ka ardhur dhjetëra herë të tjera, dhe unë i jam përgjigjur. Përdorimi i kësaj çështjeje është akt i shëmtuar i Altin Troplinit, mercenar i regjimit të Ramës, që mendon se mund të mbulojë me zhurmë krimet e tyre. Mos më pyesni kurrë nëse do të shkoj, unë do të shkoj sa herë të thirrem nga drejtësia, pa asnjë hezitim,” tha Berisha.
Thirrja e Berishës vjen disa ditë pasi SPAK mori në pyetje Lulzim Bashën, në atë kohë ish ministër i Brendshëm. Më 30 tetor, Basha u mor në pyetje për rreth një orë, por në dalje nga Prokuroria e Posaçme ai nuk dha asnjë detaj, duke deklaruar se çështja është në hetim dhe se respekton sekretin hetimor.








