Shkruan Zef Ndreka
Mospajisja me certifikatë sigurie për një deputet është një çështje shumë serioze, sepse lidhet drejtpërdrejt me aksesin që deputeti ka tek informacionet e klasifikuara të shtetit.
Çfarë është certifikata e sigurisë?
Certifikata e sigurisë është një dokument që lëshohet nga Drejtoria e Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar dhe vërteton se personi nuk përbën rrezik për sigurinë kombëtare dhe mund të ketë akses në dokumente sekrete të nivelit:
– Konfidencial
– Sekret
– Tepër sekret
Deputetët kanë nevojë për këtë certifikatë sidomos kur punojnë në komisione që trajtojnë çështje të ndjeshme, si Komisioni i Sigurisë, Komisioni i Ligjeve, kontrollet mbi shërbimet inteligjente, apo dokumentet e NATO-s.
Pse një deputet nuk merr certifikatën?
Arsyet më të zakonshme për mospajisje janë:
* Probleme me ligjin, pra hetime, dënime të mëparshme, çështje të hapura në SPAK ose polici.
* Lidhje të dyshuara me persona të krimit ose struktura informale.
* Mospërputhje në vetëdeklarimin e pasurisë apo kontakte të pasqaruara.
* Çështje të sigurisë kombëtare, pra kontakte të padeklaruara me shtete të huaja, veprime të dyshimta etj.
* Refuzim për të dhënë informacion në procesin e verifikimit.
Çfarë ndodh kur një deputet nuk merr certifikatën?
Në këtë rast nuk i heqet mandati, sepse certifikata nuk është kusht për të qenë deputet. Por kjo sjell pasoja të rëndësishme sepse:
– Deputeti nuk ka akses në dokumente sekrete.
– Nuk mund të shohë dosje të klasifikuara të Ministrisë së Brendshme, të Mbrojtjes, të SHISH, të NATO-s, të Strukturave të sigurisë.
Pra, funksioni i tij parlamentar kufizohet.
– Mund të përjashtohet nga disa komisione parlamentare, psh nuk mund të jetë pjesë ose raportues në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, në Nënkomisionin e Mbikëqyrjes së Shërbimeve Informative, në Komisionet hetimore që trajtojnë dokumente sekrete.
Ndërkohë, Parlamenti është i detyruar të riorganizojë përbërjet e komisioneve.
– Deputeti nuk merr informacion të klasifikuar, edhe nëse është pjesë e komisionit.
Edhe nëse rri fizikisht në mbledhje, dokumentet nuk i jepen.
Çfarë bëhet në raste të tilla?
Procedura që ndiqet është kjo:
– Autoriteti që lëshon çertifikatën e sigurisë njofton Kuvendin se deputeti nuk e ka kaluar verifikimin.
– Kuvendi e bën listën publike ose e përdor brenda për qëllime funksionale.
– Deputetët kanë të drejtë të ankimojnë vendimin brenda një afati ligjor.
– Nëse refuzimi mbetet në fuqi, deputetët shkarkohet nga çdo rol që kërkon certifikatë sigurie.
Ndërkohë, Grupi parlamentar duhet të propozojë zëvendësimin e tij nga këto detyra.
A është problem politik?
Sigurisht është shumë politik.
Praktikisht, një deputet pa certifikatë sigurie shihet me dyshim nga aleatët e NATO-s, dhe e vë në një pozitë të dobët Kuvendin shqiptar si institucion serioz për trajtimin e informacionit të klasifikuar.
Kjo është arsyeja pse kur shfaqen lista të tilla me 30+ emra, bëhet debat i madh politik, sepse tregon probleme të brendshme të filtrimit, lë hije dyshimi mbi integritetin e shumë deputetëve, paraqet rrezik institucional dhe reputacioni.

Promoted Content








