Në një lëvizje të papritur dhe shumë të diskutuar, kryeministri Edi Rama ka vendosur të dërgojë rastin e pezullimit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, në Gjykatën Kushtetuese, një veprim që ka ngjallur reagime të shumta. Pas vendimit të Gjykatës së Posaçme (GJKKO), ku Balluku u pezullua nga detyra për shkak të hetimeve të Prokurorisë së Posaçme (SPAK-ut), Rama ka theksuar se ai nuk do ta shkarkojë zv/kryeministren, por do të kërkojë një opinion nga Gjykata Kushtetuese, për të verifikuar ligjshmërinë e këtij vendimi. Kjo manovër politike ka ngritur dyshime të mëdha nëse është një mundësi për të shmangur një përplasje të mundshme me Ballukun, e cila është një figurë kyçe në qeverinë e tij. Po ashtu, disa analistë e kanë cilësuar këtë lëvizje si një mënyrë për të mbrojtur pozitat e tij, duke larguar çdo mundësi që të ketë një përballje të drejtpërdrejtë me zv/kryeministren në një moment kaq të tensionuar. Megjithatë, ky veprim ka ngritur pikëpyetje të shumta rreth interpretimit të Kushtetutës, veçanërisht lidhur me imunitetin e ministrave dhe deputetëve, çka ka krijuar një debat të ashpër ligjor. Disa juristë janë shprehur se nuk ka asnjë mbështetje kushtetuese për pretendimet e Ramës, duke theksuar se imuniteti i ministrave mbulon vetëm arrestimet dhe masat që cenojnë lirinë personale, dhe jo pezullimet nga detyra ose kufizimet e tjera. Kjo përplasje politike mund të krijojë një precedent të rrezikshëm për të ardhmen e politikës shqiptare, pasi kjo mund të hapi një derë për përdorimin e manipulimeve kushtetuese për të mbrojtur figura të larta nga përgjegjësia dhe hetimet. Në të vërtetë, ky është një “grusht kushtetues”, i cili mund të shndërrohet në një precedent të dëmshëm për gjithë sistemin ligjor të Shqipërisë. Nëse Gjykata Kushtetuese pranon kërkesën e Ramës, do të krijohet një situatë ku drejtësia dhe politika janë të lidhura më ngushtë se kurrë, duke krijuar hapësirë për shfrytëzimin e ligjit për interesa politike, dhe duke injoruar thelbin e tij, që është barazia para ligjit. Sipas jurisprudencës së deritanishme të Gjykatës Kushtetuese, ka një precedent të qartë në lidhje me kërkesën e ish-kryeministrit Berisha, i cili e ka provuar këtë rrugë dhe ka rezultuar pa sukses. Për këtë arsye, jo vetëm që ky është një akt politik, por një lëvizje që rrezikon të minojë besimin në drejtësinë e pavarur dhe në sistemin gjyqësor shqiptar. Rama, duke përdorur këtë manovër për të shmangur shkarkimin e Ballukut, ka ngritur pikëpyetje të mëdha mbi fuqinë e politikës për të ndërhyrë në proceset kushtetuese dhe ligjore. Siç duket, ky vendim mund të shkojë përtej një “grushti kushtetues”, duke qenë një sinjal i fortë për forcimin e lidhjeve mes politikës dhe drejtësisë në Shqipëri. Në fund, kjo histori duket se po shndërrohet në një sfidë të vërtetë për gjithë sistemin kushtetues dhe gjyqësor të vendit. Por si do të veprojë Gjykata Kushtetuese? Dhe a do të arrijë Rama të mbrojë pozitat e tij dhe të Ballukut, duke përdorur këtë manovër si mburojë për të rrëzuar SPAK? Shanset për t’u hequr pezullimi janë nul, pasi “precedenti” Sali Berisha ka vulosur tashmë fatin e zv/kryeministres Belinda Balluku. Megjithatë mbetet të shihet në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht.
Çfarë ka ndodhur?
Ndërkohë theksojmë se (GJKKO) vendosi këtë të shtunë të lërë në fuqi masën pezullim nga detyra dhe ndalim të daljes jashtë shtetit për Belinda Ballukun, në një seancë që zgjati më shumë se 3 orë e gjysmë. Gjatë seancës, në një moment Balluku është shprehur se pezullimi i saj krijon vakum në qeverisje, duke pyetur: “Nëse Edi Rama largohet jashtë vendit, kush do të thërrasë mbledhjen e qeverisë?” Por Gjykata i ka tërhequr vëmendjen se po jepte vlerësime me natyrë politike. Po ashtu, Balluku ka kundërshtuar edhe masat për dy vartësit e saj, duke argumentuar se Elezi duhet të jetë aktiv për shkak të situatës së vështirë hidrike në KESH, ndërsa Gjyli, sipas saj, duhet të jetë në terren për menaxhimin e problemeve të shkaktuara nga moti i keq dhe gjendja e rrugëve. “Ne, si qeveri, e kemi dërguar këtë çështje për shqyrtim, të njëjtën gjë duhet të bëni edhe ju”, mësohet të jetë shprehur Balluku, sipas gazetares Klodiana Lala. Por brenda sallës së gjyqit, ku gjyqtari Erion Çela nuk ndryshoi asgjë nga ajo që firmosi më 19 nëntor, Belinda Balluku tentoi të bind për të kundërtën, gjatë tentativës për të argumentuar se masa ndaj saj ishte e jashtëligjshme. Balluku ka pretenduar në seancë se ka pozicion kushtetues dhe sipas saj nuk mund të pezullohet nga GJKKO, duke theksuar se me një masë të tillë ndaj të marrë ndaj saj është bllokuar i gjithë vendi. “Si është e mundur që unë, një funksionar kushtetues, të pezullohem kur Kushtetuta nuk parashikon pezullim për funksionarët si unë, për të cilët dihet qartë si emërohen dhe si shkarkohen? Ju keni bllokuar të gjithë vendin me këtë veprim që keni kryer. Mesazhet në WhatsApp janë nxjerrë jashtë kontekstit; unë kontrolloj mbarëvajtjen e punës, nuk i them askujt “ishalla mos fitojë filani, mbaje mend”, ka deklaruar ajo. Ndërkohë, vartësitë e saj, kreu i ARRSH-së, Gentian Gjyli dhe ai i KESH-it, Erald Elezi, për të cilët gjykata nuk ndryshoi vendim dhe i la në masë “arrest shtëpie”, pretenduan se nuk kishin kontakt me Ballukun, pasi në kohën që dyshohet se janë kryer komunikimet, nuk kanë qenë drejtues. Ndërkaq kujtojmë se Gjykata e Posaçme, në vendimin e firmosur në datën 19 nëntor argumenton se masa pezullim nga detyra nuk ka ndalim për funksionin e saj si zv/Kryeministre apo ministre e Infrastrukturës, dhe si e tillë mund të merret. Kjo masë nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur, deputetë, kryetar bashkie dhe anëtarët e këshillave bashkiakë, gjë që në këtë rast Belinda Ballukut nuk i cenohet detyra e saj si deputete dhe mund ta ushtrojë funksionin e saj në Kuvendin e Shqipërisë. Belinda Balluku u mor e pandehur për tenderin më vlerë 190 milionë euro për ndërtimin e tunelit të Llogorasë, akuzë që i është komunikuar zyrtarisht, por dyshohet edhe për tenderin 20 milionë euro të Lotit 4 të Unazës së Madhe të Tiranës. Për të dy tenderët, me vlerë 210 milionë euro, sipas SPAK, Balluku ka paracaktuar fituesin përmes mbikëqyrjes dhe ndërhyrjes gjatë gjithë procesit të zhvillimit të garës. Gentian Gjyli dhe Erald Elezi akuzohen për shkelje të barazisë në tendera për ndërtimin e tunelit të Llogorasë. Elezi është i dyshuar edhe për tenderin e Lotit 4 të Unazës së Madhe.








