Shkruan Zef Ndreka
Krizë e kulturës politike, jo krizë e drejtësisë.
Ka vite që opozitën e shohim të luaj pas një politike me standarde të dyfishta.
Qasja e saj ndaj SPAK-ut është kthyer në një shembull klasik të përdorimit politik të institucioneve të drejtësisë në varësi të interesit të momentit.
Për një periudhë të gjatë, figurat kryesore të PD-së si Sali Berisha, Flamur Noka dhe të tjerë, e kanë quajtur SPAK-un me tallje “SKAP-i i Ramës”, duke pretenduar se organi i posaçëm funksionon si instrument i qeverisë.
Por çfarë ndodh në realitet?
Kur goditet opozita, atë e quajnë “SKAP”.
Sa herë që SPAK ka hapur hetime ndaj figurave të PD-së apo ka kërkuar masa ndaj tyre, narrativa e opozitës është bërë e menjëhershme duke deklaruar publikisht se “SPAK punon për Ramën”, se “është drejtësi selektive”, se “është organ politik”.
Kjo retorikë synon vetëm mbrojtjen e figurave brenda partisë dhe mobilizimin e elektoratit opozitar ndaj një “armiku të përbashkët”.
Kur goditet qeveria, e quajnë “SPAK”.
Në momentet që organi i njëjtë merr masa ndaj funksionarëve të lartë të qeverisë si në rastet Balluku, ujësjellësi, shëndetësia, apo dosjet e tjera të PS-së, e njëjta opozitë ndryshon ton menjëherë duke deklaruar se “SPAK po dëshmon se është i pavarur”, se “Drejtësia po vepron”, se “Askush nuk është mbi ligjin”
Pra, i njëjti institucion etiketohet krejt ndryshe, vetëm se është në funksion të interesit të momentit politik.
E gjitha kjo lojë e dyfishtë, tregon jo problemet e SPAK-ut, por problemet e politikës.
Në fakt, kjo është një sjellje tipike e politikës shqiptare, që në rastet kur drejtësia shkon kundër meje, atëherë institucioni është i kapur.
Por kur drejtësia shkon kundër kundërshtarit, institucioni është i drejtë.
Kjo logjikë e përdorimit të standardeve të dyfishta, dëmton besueshmërinë e klasës politike, konkretisht PD-në, jo të vetë drejtësisë.
SPAK nuk mund të themi se është perfekt, por është më pak i kontrollueshëm se institucionet e mëparshme.
Mund të ketë debate mbi mënyrën e veprimit të SPAK-ut, prioritetet, shpejtësinë e dosjeve apo qasjen e prokurorëve. Këto janë të natyrshme.
Por një gjë është fakt, se nëse SPAK do të ishte realisht “i kapur”, nuk do të kishte guxuar të prekte sot asnjë ministër, zëvendësministër, ish-kryebashkiak, drejtor të madh, apo zyrtar të afërt me qeverinë.
Fakti që po preken të dyja anët e politikës tregon se sistemi, megjithë të metat, ka një pavarësi funksionale që nuk shihej në dekada të mëparshme.
Shtrohet pyetja thelbësore në këtë rast për opozitën:
Nëse SPAK është “SKAP” kur heton opozitën, si kthehet brenda ditës në “SPAK” kur pezullon Ballukun?
Në këtë rast zbërthehen dy dilema:
– Opozita s’ka një qëndrim parimor për drejtësinë.
– E gjithë retorika “SKAP” është e motivuar nga frika politike, jo nga analizat juridike.
Gjithsesi, themi me bindje se SPAK-u është i njëjti institucion dhe s’ka si të jetë një ditë i kapur dhe një ditë i pavarur.
Por ndryshon vetëm interesi i politikanëve që e komentojnë.
Opozita nuk e kritikon SPAK-un për parime, por për rezultate kur ai rezultat i prek vetë ato.
Dhe kjo në vetvete, tregon krizën e kulturës politike në vend, jo krizën e drejtësisë.
Në këtë kuptim, pyetja që në titull “është SPAK apo SKAP?” duhet ti drejtohet vetë opozitës për të na spjeguar përfundimisht nëse është qëndrim parimor apo oportunist?








