Kreu Politikë Protesta dhe ndikimet në proçeset kombëtare

Protesta dhe ndikimet në proçeset kombëtare

0
2

Shkruan Zef Ndreka

Presioni qytetar, instrumentalizimi politik dhe përdorimi i pakënaqësive si mjet për projekte politike të fshehura apo për interesa që nuk lidhen drejtpërdrejt me interesin publik.
Unë jam për protesta, i mbështes ato, por jo për këtë protestë që do ta konsideroja tinëzare, për këtë protestë anonime me drejtues anonim dhe mbase të mbushur me agjentë të kaosit të padukshëm për vendin.
Dhe ndodh pikërisht tani, në kohën e miratimit të projekteve dhe të investimeve disa miliarda eurosh në Sazan e Zvërnec, ndodh në kohën kur po hidhen hapat e fundit për plotësimin e gjithë pikave apo detyrave të shtëpisë për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Dhe në emër të të drejtave për protesta, është gjetur pikërisht momenti i gabuar, i nxitur sigurisht edhe nga qarqe antishqiptare për të ndikuar si gjithnjë, humbje kohe për Shqipërinë.
Kush fshihet pas tyre dhe vërtetë është kaq e vështirë për një shtet të hetohen grupe jo vetëm digjitale që po përpiqen të bllokojnë Shqipërinë në ditët e fundit për anëtarësimin në BE?
Çfarë bëjnë strukturat e shtetit, të sigurisë, të shërbimeve informative?
Sigurisht, pakënaqësitë ekzistojnë. Ndaj presioni qytetarë është mjaft pozitiv. Por manipulimet për ndryshime, për mbështetje të një lideri sidomos nga Kosova siç u kërkua konkretisht për Albin Kurtin në protestë mbrëmë, e zhvlerësojnë edhe të drejtën reale që me të drejtë kërkojnë qytetarët e thjeshtë për një Shqipëri të re.
Kjo situatë e re, e krijuar së fundi nga angazhimet anonime, kanë gritur për zgjidhje disa çështje të rëndësishme që shfaqen shpesh në shoqëritë demokratike, pra, të drejtën për protestë, transparencën e organizatorëve, mundësinë e manipulimit politik dhe ndikimin që protesta mund të ketë në procese të rëndësishme kombëtare.
Po e përseris që përsonalisht jam për protestat dhe i konsideroj ato një mjet të domosdoshëm demokratik për të ushtruar presion mbi qeverisjen, për të ngritur zërin kundër padrejtësive dhe për të kërkuar ndryshime pozitive. Sepse nuk mendoj se ka demokraci pa protesta dhe se vendi ynë do të ishte më i varfër dhe më pak i shëndetshëm.
Megjithatë, mbështetja për të drejtën e protestës nuk do të thotë mbështetje e pakushtëzuar për çdo protestë. Për më tepër, kur një lëvizje si kjo paraqitet si qytetare, por drejtuesit e saj mbeten anonimë, kur mungon transparenca mbi organizimin, financimin apo objektivat afatgjata, më vijnë natyrshëm shumë pyetje të arsyeshme që çdo qytetar si unë ka të drejtë ti bëjë.
Shqetësimi bëhet edhe më i madh kur protesta zhvillohet në një moment të ndjeshëm për vendin. Shqipëria ndodhet përballë proceseve të rëndësishme strategjike, si avancimi i negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe realizimi i investimeve të mëdha që mund të ndikojë në zhvillimin ekonomik të vendit. Në këto kushte, është normale të kërkohet më shumë qartësi mbi motivet dhe qëllimet e vërteta të organizatorëve.
Sigurisht, ekzistojnë pakënaqësi reale në shoqëri. Ka qytetarë që ndihen të pa përfaqësuar, të zhgënjyer nga politika dhe që kërkojnë më shumë drejtësi, meritokraci dhe mundësi. Këto zëra duhen dëgjuar dhe respektuar. Por kur në protestë si ajo e djeshmja filluan të shfaqen thirrje për mbështetjen e një lideri të caktuar politik, aq më tepër të një lideri nga një shtet tjetër, siç u artikulua në rastin e mbështetjes për Albin Kurti, atëherë karakteri fillestar qytetar i lëvizjes është vënë vetë në diskutim.
Pikërisht këtu qëndron dallimi mes presionit qytetar dhe instrumentalizimit politik. Qytetarët kanë të drejtë të protestojnë për problemet e tyre, por askush nuk duhet ta përdorë pakënaqësinë e tyre si mjet për projekte politike të fshehura apo për interesa që nuk lidhen drejtpërdrejt me interesin publik.
Nga ana tjetër, shteti na e ka detyrimin të monitorojë dhe hetojë çdo tentativë të mundshme për ndërhyrje të paligjshme, financime të dyshimta apo ndikime të huaja që synojnë destabilizimin e vendit. Dhe këtë ta bëjnë menjëherë mbi bazën e provave dhe mos të mbetemi në rastin e dyshimeve.
Shqipëria sot ka nevojë njëkohësisht për dy gjëra, për qytetarë aktivë që protestojnë kur është e nevojshme dhe për institucione të forta që garantojnë se protestat mbeten shprehje e lirë e qytetarëve dhe jo instrument i interesave të fshehta.
Vetëm kështu mund të ecet përpara drejt një Shqipërie më demokratike, më të zhvilluar dhe më afër familjes europiane.
Mbase një analizë e saktë do të pranonte se dyshimet për manipulim të protestave mund të ekzistojnë, por për këtë duhen prova. Në të njëjtën kohë, transparenca e organizatorëve dhe qartësia e objektivave janë elementet që rrisin besueshmërinë e protestes qytetare.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu