Opozita do të mbajë sot protestën kombëtare ku në qendër të saj janë aferat e fundit të zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Aferat korruptive të pandalshme, rezistenca e Edi Ramës për të bllokuar drejtësinë dhe lejen për arrestimin e numrit dy të qeverisë së tij, kanë çuar opizitën shqiptare drejt protestave.
Partia Demokratike dhe aleatët e saj u ka bërë thirrje qytetarëve në të gjithë vendin që të marrin pjesë në protestën kombëtare të së hënës, duke e konsideruar atë si një reagim qytetar ndaj korrupsionit qeveritar që ka çuar në përkeqësimin e kushteve të jetesës, pasigurisë dhe mohimit të zgjedhjeve të lira e të barabarta.
Opozita thekson se ekonomia e familjeve shqiptare po rëndohet çdo ditë nga inflacioni i pakontrolluar, pagat në stanjacion dhe ndihma sociale minimale. Në të njëjtën kohë, sipas saj, qeveria jeton në luks dhe abuzon me fondet publike, duke përmendur shifrën prej 190 milionë eurosh vetëm për tunelin e Llogarasë apo aferën miliona euroshe të Unazës së Madhe të Tiranës, për të cilat Edi Rama nuk lejon drejtësinë të hetojë.
Një tjetër shqetësim madhor mbetet siguria. Sipas opozitës, raporte dhe media euro-amerikane kanë evidentuar se krimi ka akses në majat e pushtetit dhe ka dalë jashtë kontrollit, duke rrezikuar jetën dhe pronën e qytetarëve.
Në thirrjen për protestë theksohet se asnjë shoqëri funksionale nuk mund të ndërtohet mbi korrupsionin e normalizuar. Opozita denoncon se qytetarët e thjeshtë përndiqen për çështje banale, ndërsa persona të lidhur me pushtetin mbrohen nga drejtësia dhe ligji.
Sipas opozitës, presioni ndaj administratës publike, kapja e mediave dhe shoqërisë civile synojnë mbylljen e gojës së qytetarëve dhe shtypjen e mendimit të lirë, duke rrezikuar funksionimin e institucioneve demokratike, ndarjen e pushteteve dhe llogaridhënien.
Protesta kombëtare do të mbahet (nesër) më datë 22 dhejtor në orën 18:00 para kryeministrisë.








