Shkruan Dr. Shefki Hysa
Diplomatic Mission
Diplomatic Mission
Mbresa nga biseda dje me mjeshtrin Atsushi Yamamoto
Jam i pasionuar ndonjëherë deri në marrëzi pas Traditës në kufijtë e Mitologjisë, për Mjeshtrit e Fundit Tradicionalë, që luftojnë me gjithë shpirt për mbijetesën e Trashëgimisë së tyre, derisa shndërrohen në Legjenda të Gjalla, për të cilët shkruhen libra biografikë, bëhen filma dhe mbeten Heronj të Traditës së një Vendi.
Kjo ndodh vetëm në Japoni dhe në Kinë, me shefat Legjendarë të Supës – Ramen dhe me Mjeshtrit e disa llojeve të rralla të Karatesë.
Shefat e Ramen dhe Mjeshtrit e Karatesë kanë shumë nxënës, po lodhen shumë derisa gjejnë Trashëgimtarin e Vërtetë të Sekretit të tyre Tradicional.
E lakmojnë shumë atë Sekret, po ata nuk ua japin as fëmijëve dhe as farefisnisë së tyre, pa u bërë mjeshtra që sakrifikojnë dhe e meritojnë Sekretin. Shpesh ua dorëzojnë nxënësve me të cilët nuk kanë fare lidhje gjaku, por lidhje profesionale, që vërtet sakrifikojnë duke punuar 24/24 për ta merituar Sekretin.
Dhe Nxënësi, pasi bëhet Shef, ose Mjeshtër, e ruan me fanatizëm Trashëgiminë për t’ia dorëduar qoftë edhe një Pasardhësi të Pronarit të Dikurshëm, nëse e meriton, ose një të Huaji Meritor, që i përkushtohet me Heroizëm Traditës!…
Më intrigon Historia e Mjeshtrave Legjendarë edhe për faktin se në një situatë të tillë jam edhe vetë, me pasuesit e mi të Brezit të Ri tërësisht të pa interesuar për Trashëgiminë e Vlerave të Rralla Tradicionale.
Djem pordhacë dhe vajza pordhace të Brezit të Sotëm, të dhënë pas Fasadës plot Shkëlqim të Jetës Moderne, pas aventurave të Kohës Konsumiste, nuk denjojnë të përkushtohen pas Traditës, që kërkon Hyjnitet, Mençuri, Inteligjencë, Dhunti, Mendje të Kthjellët e Shpirt Sakrifice, Përkushtim dhe angazhime Heroizmi.
Sot askush nuk do që të bëhet Hero prej këtyre teveqelëve të Kohës që po jetojmë, qofshin djem, ose vajza.
Dje, Zoti më bëri si Dhuratë takimin me Atsushi Yamamoto, Shefin e Fundit të Ramen, Supa e Famshme Japoneze.
Kishte ardhur si turist në Shqipëri, më saktë për të vëzhguar dy-tre restorante japoneze të hapura në Vendin tone, që servirin, midis të tjerash, edhe Ramenin.
Pasi u njohëm nga pak, aq sa na premtonte koha e një takimi të parë, shkëmbyem me shumë respekt dhe vëmendje përvojat tona.
Ai më tregoi gjithë emocion Historinë e Traditës së Lashtë të Ramen dhe gjithë deziluzion për vështirësitë e sotme për të gjetur Trashëgimtarin.
– Është gati e pamundur të gjesh Ndjekësin Real të Traditës sonë, – theksoi ai, me keqardhje.
– Ke shumë të drejtë, po ke zgjedhur Vendin e Gabuar për të gjetur Trashëgimtarin tënd!… Në Shqipërinë e sotme gjen përgjithësisht të rinj pordhacë, që ushqehen me paratë e prindërve të tyre dhe debatojnë nëpër lokalet e luksit, se kush është ndjekësi më i madh i aventurave të Botës së Errët, që josh egërsisht moshat rinore, – ia ktheva Unë, sa seriozosht dhe me humor provokues.
– Po pse kaq pesimisht? – qeshi ai.
– Epo në këtë gjendjen tënde jam, pak a shumë, edhe Unë. Jam munduar shumë, po nuk gjej dot Dikë të përkushtuar që të angazhohet dhe të më ndjekë në veprimtarinë time, si Kryemisionar Paqeje, qoftë edhe duke më mbajtur dosjet e Punës. Dhe as që bëhet fjalë për Lider Trashëgimtar, siç e kërkon ti, – theksova, jo pa humor.
– Epo ti qenke vërtet në hall, se nuk gjen dot as mbajtës dosjesh, – u shkri së qeshuri Mjeshtri.
– Nuk po bëj shaka, Mjeshtër, vërtet që nuk gjej dot as mbajtës dosjesh nga brezi i sotëm.
Mjeshtri vazhdoi të qeshte, aq sa desh u mbyt.
– Sa të duhen?… Do dhjetë, njëzet, ose më shumë?!… Të sjell Unë plot djem e vajza nga Japonia të përkushtuar 24/24, si mbajtës dosjesh. Heronj të vërtetë janë në përkushtim ndaj Punës, shumica e djemve dhe vajzave japoneze, në sajë të Edukimt Familjar dhe Sistemit Shkollor të Rreptë, por janë të paaftë për Lidership, – më inkurajoi Mjeshtri, pasi pushoi së qeshuri.
– Seriozisht?! – ia ktheva dhe qesha edhe Unë gjithë kënaqësi, duke e vlerësuar shumë idenë e Mjeshtrit Atsushi Yamamoto për të më sjellë ca djem dhe vajza nga Japonia, Heronj të Specializuar në mbajtjen e dosjeve.
– Seiozisht, nëse të pëlqen Ideja ime, – deklaroi i vendosur Mjeshtri.
– Epo ia lemë Kohës, – thashë Unë me gjysmë zëri me atë sjelljen tipike shqiptare “Varja”, me të cilën jemi mësuar të shtyjmë jo më si dikur gjashtë muaj, por tashmë gjithë vitin…
Mjeshtri ngriti supet pa kuptuar asgjë nga temperamenti im prej shqiptari.
Biseduam dhe ca për Motin në Ballkan dhe në Japoni dhe pastaj u ndamë miqësisht me premtimet se do t’i gjendeshim njëri-tjetrit në këto kohë të vështira për të Ardhmen e Botës.
Unë i urova, që Zoti ta ndihmojë më Trashëgimtarin e tij, edhe ai, gjithë pesimizëm më bëri të njëjtin Urim, me dëshirën e mbijetesës së Traditës së Vlerave të Rralla Botërore.
Zoti i dhëntë Trashëgimtarin e Ramen Mjeshtrit Atsushi Yamamoto dhe, Mua, Trashëgimtarin e Misionit të Paqes që drejtoj!…








