Shkruan Dom Mark Pashkja
Dritanin nuk e njoh shumë mirë personalisht; e kam takuar vetëm një herë. Di vetëm se është nga Kosmaçi, njëri nga fshatrat ku kam privilegjin të shërbej si meshtar. Herën e vetme që e takova, ma rikonfirmoi një të vërtetë të madhe…
Zakonisht, gjatë muajve tetor–nëntor, vizitoj bashkësitë katolike të shqiptarëve në Itali. Në një numër shumë të madh, që rritet nga viti në vit për shkak të emigracionit dhe shpopullimit masiv që ka prekur vendin tonë, vizitat në ato vende dhe takimet me ta më japin një kënaqësi të jashtëzakonshme. Gjithmonë takohemi në një kishë, ku kremtojmë edhe meshën në gjuhën shqipe.
Teksa afrohesha pranë katedrales në Saluzzo për të kremtuar meshën, në oborr një zë më përshëndeti shqip: “Mirë se erdhe, Pader, jam Dritani, jam prej Kosmaçit”. “Nuk jemi takuar ndonjëherë”, vazhdoi ai. “Unë jam mysliman, por mora vesh se ke ardhur nga keto anë me na pa; ngaqë je prifti jonë, pata qejf me të ftu për një drekë ose darkë…”
Pasi shkëmbyem një bisedë mbi miqtë e përbashkët që kemi në Kosmaç dhe për shumë gjëra të mrekullueshme që e karakterizojnë atë fshat, m’u desh ta përshëndesja, sepse koha nuk më lejonte më shumë. Teksa hyja për të kremtuar meshën, po mendoja për këtë gjest aq fisnik e madhështor.
Fisnikëri që mund të gjendet vetëm në popullin tonë shqiptar. Aty ku gjërat e shenjta të njërës palë janë pasuri për tjetrën. Aty ku prift nuk je veç për katolikët, por edhe për myslimanët. Aty ku hoxha nuk ligjëron veç për myslimanët, por edhe për katolikët.
Në një kohë si kjo, ku Ramazani dhe Krezhmet fillojnë të njëjten ditë, mu kujtua takimi me Dritanin. Takim i cili ma rikonfirmoi realitetin tonë vëllazërorë. Realitet në të cilin, hoxha është edhe i katolikëve dhe prifti i perket edhe myslimanëve.
Agjërim të lehtë e të pranuar vëllezërve myslimanë shqiptarë, kudo që janë.








