Shkruan Zef Ndreka
– Bllokadë e fortë institucionale në Kosovë.
“Dështimi i zgjedhjes së presidentit nuk ishte rastësor, por shumë mirë i kalkuluar dhe i ideuar.
Këtu e sollën vendin njerëz të papërgjegjshëm dhe me qëllime të rrezikshme.”
Kjo është deklarata e fundit e Vjosa Osmanit që shigjeton Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryeministrin Albin Kurti. Pikërisht në momentin e rëndësishëm politik në Kosovë, ku për herë të parë në mënyrë kaq të drejtpërdrejtë presidentja në largim i atribuon përgjegjësinë për krizën institucionale pikërisht forcës politike që e ka dominuar skenën politike në vitet e fundit.
Duket qartë se rruga e tyre nga bashkëpunimi politik, ka përfunduar tashmë në përplasje institucionale, pavarësisht se ironia e kësaj situate vjen nga fakti se Vjosa Osmani u bë presidente me mbështetjen e Vetëvendosjes dhe të Albin Kurtit.
Qartazi në atë kohë, u krijua ideja e një aleance të fortë politike mes tyre, ku presidenca dhe qeveria vepronin në një linjë të përbashkët politike. Por zhvillimet e fundit tregojnë një prishje të thellë të këtij raporti, ku deklarata e Osmanit se vendi u soll në këtë situatë nga “njerëz të papërgjegjshëm dhe me qëllime të rrezikshme” është një akuzë e rëndë politike, e cila nënkupton se kriza nuk ishte thjesht rezultat i mungesës së konsensusit, por një strategji e qëllimshme për të prodhuar bllokadë institucionale, që lidhet me krizën e zgjedhjes së presidentit si krizë politike.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, zgjedhja e presidentit është një proces që kërkon shumicë të cilësuar dhe në faza të caktuara shumicë të thjeshtë parlamentare. Nga kjo frymë, dështimi i zgjedhjes së presidentit u shndërrua në një krizë politike që mund të çojë në ndryshim balancash neser.
Dhe kështu ndodhi. Me dekretin për shpërndarjen e Kuvendit, presidentja Osmani ka pranuar se sistemi politik kishte hyrë në një ngërç të plotë dhe po përpiqet të distancohet nga përgjegjësia politike, duke theksuar se vendimi ishte një detyrim kushtetues dhe jo një zgjedhje e saj politike.
Nga leximi i mesazhit politik të presidentes Osmani, shohim se ka disa elemente kryesore për tu theksuar.
Së pari, distancim nga Lëvizja Vetëvendosje, në të cilën Osmani po përpiqet të mos identifikohet më politikisht me partinë që e solli në pushtet.
Së dyti, transferim i përgjegjësisë, në të cilën theksohet se kriza ishte e kalkuluar, duke e vendosur barrën politike mbi qeverinë dhe shumicën parlamentare.
Së treti, pozicionim për të ardhmen politike, duke qenë se mandati i saj po përfundon dhe ky qëndrim mund të shihet edhe si përpjekje për të ruajtur profilin e saj politik për të ardhmen.
Lind pyetja:
A ka pasoja politike dhe cilat janë ato?
Sigurisht, kjo përplasje ka disa pasoja të pritshme që lidhën me dobësimin e unitetit institucional që Vetëvendosje ka promovuar me vite. Po ashtu, do të ketë një hapje debati për përgjegjësinë politike të krizës politike. Gjithashtu do të kemi ripozicionim të figurave politike për zgjedhjet e ardhshme në Kosovë.
Sigurisht që presidentja Osmani e ka të mbështetur me argumente konkrete “planin e kalkuluar” nga Albin Kurti. Kështu që kjo linjë do të shndërrohet në debat të fortë politik gjatë fushatës së ardhshme zgjedhore.
Gjithsesi, kjo situatë tregoi paradoksin e madh të politikës kosovare, në të cilën presidentja që u zgjodh me votat e Vetëvendosjes po e akuzon sot atë forcë politike se e ka çuar vendin drejt krizës institucionale, gjë që tregon se krizat politike në Kosovë nuk janë vetëm përplasje mes pushtetit dhe opozitës, por edhe konflikte brenda vetë blloqeve politike që kanë qeverisur vendin.
Promoted Content








