Drejtori i Inteligjencës dhe Sigurisë së Iranit, Esmail Khatib, raportohet se është vrarë në një sulm preciz izraelit gjatë natës në Teheran, konfirmoi një zyrtar i lartë izraelit për Fox News. “Ky njeri kishte gjak amerikan në duart e tij. Rrjeti i tij kishte në shënjestër zyrtarë aktualë dhe të mëparshëm amerikanë, përfshirë presidentin Donald Trump,” shtoi zyrtari.
Ky është një nga atentatet të profilit më të lartë ndaj një zyrtari të lartë iranian që nga fillimi i luftës. Qeveria amerikane kishte ofruar shpërblim për informacione mbi Khatib.

Sulmi u raportua fillimisht nga Iran International dhe më pas u konfirmua nga një zyrtar izraelit. Mediat izraelite raportojnë se Khatib konsiderohej si një nga figurat më të afërta me udhëheqësin e ri suprem, Mojtaba Khamenei
Izraeli konfirmon vrasjen e ministrit të inteligjencës së Iranit
Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, deklaroi se ministri i Inteligjencës i Iranit, Esmail Khatib, u vra në një sulm ajror izraelit gjatë natës në Teheran. Ai shtoi se priten “surpriza të rëndësishme” gjatë ditës që do të “përshkallëzojnë luftën” me Iranin dhe Hezbollahun në Liban.
“Gjatë kësaj dite priten surpriza të rëndësishme në të gjitha frontet, të cilat do të përshkallëzojnë luftën që po zhvillojmë kundër Iranit dhe Hezbollahut në Liban”, tha ai gjatë një vlerësimi të sigurisë.

“Intensiteti i sulmeve në Iran po rritet. Ministri i inteligjencës iraniane, Khatib, gjithashtu u eliminua gjatë natës”, shtoi ai.
Katz theksoi gjithashtu se ai dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu kanë “autorizuar ushtrinë izraelite të eliminojë çdo figurë të lartë iraniane… pa nevojën për miratim shtesë.”
Përshkallëzim në rajon
Përshkallëzimi në rajon vazhdon, ndërsa Izraeli dhe SHBA kanë vijuar një ofensivë të përbashkët kundër Iranit që nga 28 shkurti, duke vrarë deri tani rreth 1,300 persona, përfshirë edhe ish-udhëheqësin suprem Ali Khamenei.
Irani është kundërpërgjigjur me sulme me dronë dhe raketa ndaj Izraelit, Jordanisë, Irakut dhe vendeve të Gjirit që strehojnë baza ushtarake amerikane, duke shkaktuar viktima dhe dëme në infrastrukturë, si dhe duke trazuar tregjet globale dhe aviacionin.








