Një ditë më parë me urdhër të SPAK-ut, agjentët e BKH-së, zbarkuan në një kompleks në jug të vendit, ku ushtruan kontrolle në vilat e dy biznesmenëve të shpallur në kërkim, Ermal Beqirit dhe Ergys Agasit.
Operacioni i BKH-së ka lidhje me hetimin penal që SPAK ka nisur ndaj atij që e klasifikon si grup kriminal që vepronte brenda AKSHI-t.
Gazetarja Klodiana Lala duke zbuluar detaje të reja nga ky operacion bëri të ditur për Neës24 se SPAK po bën dhe një hetim pasuror, për këta persona dhe ish-drejtoreshën e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj.
Lala bëri të ditur se kontrollet kanë zgjatur 8 orë, ndërsa nga pronat e kontrolluara janë marrë materiale, që pritet të verifikohen nga SPAK.
“Një tjetër vilë që ishte në përdorim nga Ermal Beqiri, i është nënshtruar kontrollit, vila është regjistruar në emër të prindërve të Mirlinda Karçanajt, që ia kishin dhënë me qira Ermal Beqirit. Mund të jetë një pasuri e fshehur dhe mund të jetë një konflikt interesi. Janë marrë të dhëna dhe materiale nga ky ambient. Burime nga SPAK bëjnë me dije se janë ushtruar kontrolle në disa banesa dhe vila, që mund të jenë pasuri të fshehura të personave të dyshuar. Emrat e personave që kanë vilat, mbahen në top-secret, që mos të identifikohen personat e tretë”, tha Lala.
Në vijim ajo shtoi se janë duke u hetuar dhe po kalojnë në filtër shumë kompani dhe pasuritë e zyrtarëve që përfshihen në këtë aferë.
SPAK po heton 12 procedura tenderuese që dyshohet se janë paracaktuar, me vlera të larta që lidhen kryesisht me mirëmbajtjen e serverave të institucioneve të rëndësishme shtetërore. Hetimet kanë zbuluar se kriteret e tenderave dyshohet të jenë diktuar nga kompanitë pjesëmarrëse, duke krijuar terren për fitime të garantuara me miliona euro.
Në hetim është biznesmeni Ermal Beqiri, pronar i kompanisë “Soft & Solution”. Ndaj tij SPAK ka caktuar masën ‘arrest me burg’. Sipas SPAK, dyshohet se Beqiri ka përfituar shuma të konsiderueshme nga procedurat e kontestuara. Masa e arrestit në burg është dhënë nga GJKKO edhe për biznesmenin tjetër, Ergys Agasi i cili gjithashtu ndodhet në arrati.








