A2CNN ka zbardhur një pjesë të dëshmisë dhe përgjigjeve që po jep kreu i grupit parlamentar të PS Taulant Balla në seancën e çështjes “Partizani”, ku ai është paraqitur në GJJKKO në cilësinë e kallëzuesit.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të Jamarbër Malltezit, i cili është njëri prej të kallëzuarve bashkë me kreun e PD Berisha, Balla tha se kallëzimi s’ka qenë vendim i grupit parlamentar të PS. Balla tha se ka kryer detyrën si qytetar dhe përfaqësues i qytetarëve në Kuvend, raporton A2CNN.
Malltezi e pyeti Ballën se si mundi ai të marrë dokumente që kanë të dhëna personale, dhe që mbrohen me ligj, ndërsa deputeti i PS tha se një pjesë i ka marrë zyrtarisht, ndërsa një pjesë e fakteve kanë qenë denoncime të qytetarëve.
Pyetje-përgjigje
Pyetje nga Malltezi: Na e sqaron dot funksionin aktual?
Balla: Anëtar i kuvendit Drejtues i PS për diasporën, kryetar i grupit parlamentar të PS, anëtar i disa këshilleve. Si deputet jam nga 9 shtator 2005.
Malltezi: Në ç’pozicion keni qenë kur bëtë kallëzimin?
Balla: Në 17 nëntor 2020 isha kryetar grupi i PS dhe sekretar i përgjithshëm i PS. Kallëzimin penal e kam nënshkruar si qytetar.
Malltezi: A ka qenë vullnet i grupit parlamentar, apo i juaji?
Balla: Kam kryer detyrën e çdo qytetari, por edhe si përfaqësues i tyre në Kuvend. Kam kryer detyrën edhe si deputet në funksion të interesit publik. Është veprimtari e ndërthurur. Nuk ka qenë vendim i grupit parlamentar të PS.
Malltezi: Provat bashkëngjitur kallëzimit janë depozituar nga ju?
Balla: Ka qenë pyetje hetimore shume vjeçare. Kam përdorur ligjin për statuain e deputetit për të marrë informacion në institucioneve të ndryshme.
Malltezi: Një pjesë e të dhënave janë të dhëna personale. Ju mund te merrni dokumentet e lejuara, po jo të dhënat që mbrohen me ligj. Si janë marrë provat?
Balla: I jam drejtuar institucioneve. Një pjesë i kam marrë zyrtarisht, një pjesë nga denoncime të qytetarëve që mi kanë sjellë ndër vite.
Malltezi: Nëse nuk ju kujtohet “A… law firm”….Alket Hyseni të kujtohet?
Balla: Po. Në 2020 ka qenë deputet i kuvendit të Shqipërisë. Nuk e kam angazhuar si zyrë avokatie.
Malltezi: Keni bërë disa akuza. I bazoni ne prova apo vlerësime?
Balla: Kallëzimet ngrihen mbi dyshime. Në kallëzimin tim kam ngritur dyshime. Këto dyshime shoqërohen nga disa dokumente.
Malltezi: Për çfarë aspekti korruptiv e keni fjalën në kallëzim?
Balla: Se si merret një pronë shtetërore, privatizohet në mënyrë të paligjshme dhe kthehet përfitim financiar.








