Refleksion nga Qamil Gjyrezi
Para disa ditësh u zhvillua Koncerti koral i Shkollës se mesme të lartë të muzikës “Prenk Jakova” të Gjakovës në sallën “Tonin Harapi” të Liceut artistik ‘Jordan Misja’, në kuadër të 80-vjetorit të kësaj shkolle me traditë.

Nën drejtimin e dirigjentit Kastriot Sada dhe me korepetitor Lian Juniku, koncerti solli emocione dhe interpretim artistik të veçantë, për publikun në sallë. Ky bashkëpunim ndërmjet shkollave artistike në Shqipëri e Kosovë duhet të vazhdojë dhe të forcohet edhe më tej.
Shqipëria dhe Kosova ndajnë të njëjtën kulturë, të njëjtin shpirt dhe të njëjtën gjuhë artistike. Përmes projekteve të përbashkëta, koncerteve, shkëmbimeve artistike dhe miqësisë mes nxënësve, mësohen jo vetëm artistë më të mirë, por edhe një të ardhme më të bashkuar për kombin tonë. Në këtë koncert ishte soliste, Arsa Kumnova dhe solist në kitarë, Prijës Berisha. Të dy solistët kënduan dhe luajtën shumë bukur, teknikisht dhe muzikalisht. Në rastin e korit të shkolllës “Prenk Jakovës” Gjakovë, rëndësi ka edhe fakti që muzika korale ruan ende idenë e ‘komunitetit’ në një kohë shumë ‘individualiste’. Kjo e bën rolin e dirigjentëve si Kastriot Sada edhe më domethënës artistikisht dhe pedagogjikisht. E fillova artikullin me një status të dirigjentit dhe drejtorit Kastriot Sada: “Atëherë kur çdo mund të harrohet…
Vazhdojmë me tutje”. Fjalia e Kastriot Sadës: “Atëherë kur çdo mund të harrohet… Vazhdojmë me tutje” krijon një kod emocional dhe kulturor që shkon përtej një statusi të zakonshëm pas koncertit. Në këtë rast, Kastriot Sada mund të interpretohet jo vetëm si dirigjent, por si “ruajtës simbolik i memories kulturore”. Ai ka drejtuar për vite shkollën e muzikës “Prenk Jakova” në Gjakovë, ka qenë pedagog universitar dhe ka zhvilluar bashkëpunime artistike ndërshqiptare, veçanërisht me Shkodrën dhe Tiranën.

Në këtë kontekst po bëj edhe një interpretim psikologjik-artistik. Pas një koncerti të suksesshëm, zakonisht artistët përjetojnë zbrazje emocionale, reflektim, dhe nevojën për të vazhduar. Fraza e Kastriot Sadës ka pikërisht këtë karakter, emocioni nuk mbyllet te suksesi, por projektohet drejt misionit të ardhshëm. Kjo është shumë tipike për artistët-pedagogë që e shohin artin si proçes dhe jo vetëm si performancë. Në semiotikën muzikore, figura e dirigjentit nuk është vetëm drejtues teknik. Ai është ndërmjetës mes partiturës dhe emocioneve, organizues i kohës muzikore, dhe simbol i harmonisë kolektive. Në rastin e dirigjentit Kastriot Sada, duket qartë një profil, pedagog, organizator kulturor dhe promovues i muzikës korale shqiptare. Si përfundim mund të thuhet se kori i shkollës “Prenk Jakova” Gjakovë, nën drejtimin e dirigjentit Kastriot Sada, po funksionon si një shenjë kulturore e memories, identitetit dhe vazhdimësisë shqiptare në hapësirën moderne ballkanike. Dhe fjalia, “Vazhdojmë me tutje” në kuptimin semiotik, nuk është vetëm një mbyllje statusi, por një kod i vazhdimësisë së kulturës. Dhe ky përfundim është i vërtetë , mbasi Kori i Shkollës së Mesme të Lartë të Muzikës “Prenk Jakova “, Gjakovë do të paraqitet më datë 7 Qershor, 2026 me koncert koral në djepin e muzikës klasike në Vjenë/Austri, me dirigjent Kastriot Sada, korepetitor Nezahate Shala Zeka dhe Lian Juniku.
Promoted Content







